Regjisori Leart Rama e ka transformuar Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe këtë e bën për t’ia dhënë mundësinë vizitorit të futet në jetën e të shtypurve. “Bliss (Misery is a Butterfly)” është e para ekspozitë e tij. Eksploron konstruktin dhe performimin e gjinisë, seksualitetin dhe identitetin në shoqëri duke inkurajuar të sfidohen paragjykimet dhe normat që e përcaktojnë kuptimin e këtyre nocioneve
Janë fenomene që çdoherë nxisin diskutim dhe janë trajtuar në mënyra të ndryshme. Shpesh edhe nëpërmjet artit. Por, jo si në ekspozitën “Bliss (Misery is a Butterfly)” të regjisorit Leart Rama, e hapur të mërkurën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Ekspozita nis qysh në oborrin e Galerisë. Dritat shumëngjyrëshe që depërtojnë nga dritaret e katit të dytë janë shenjat e para. E që në hyrje përplasja me realitetin bëhet e pashmangshme. Galeria kësaj radhe e simbolizon një dollap, në raftet e të cilit janë persona nga grupe të shtypura në shoqëri.
Rama me ekspozitën e tij të parë ka thënë se ka vendosur që ta inkurajojë secilin që të jetë plotësisht vetja, kundër të gjitha paragjykimeve. Karrierën si regjisor e filloi qysh në moshën 16-vjeçare. Është një prej regjisorëve më unik të gjeneratës së tij i dallueshëm në stil. “Four pills at night”, “Tegel”, “The Station “ e “The last breath” janë disa prej filmave të tij. Kësaj here, Rama për publikun solli diçka më ndryshe: një rrugëtim që përjetohet nga afër.
“Për mua kjo është ekspozita e parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ashtu si mund ta dinë shumica, unë bëj vetëm filma e muzikë dhe gjithmonë jam munduar që të mbes aty, mirëpo më është dhënë një mundësi që ta bëj ekspozitën time të parë, kështu që kam vendosur ta provoj. Kjo është komplet një ndarje e realitetit, një pasqyrim i komunitetit të cilin shumë pak njerëz në Kosovë e lënë të dalë jashtë dhe të jenë vetvetja. Kam dashur ta transformoj komplet një objekt që e personifikon një dollap brenda të cilit janë shumë të njëjtë, nuk u përkasin normave të shoqërisë sonë. Kam dashur ta transmetoj të publiku se si është ajo vuajtja, errësira e ngufatja që këta njerëz e përjetojnë në jetën e tyre të përditshme e që nuk guxojnë të jenë plotësisht vetvetja”, ka thënë Rama.

Në prag të derës mysafirët i pret një person, i cili u flet në vesh vizitorëve të caktuar. Përzgjedhjen e bën ai vetë e se çka u thotë nuk dihet. Tutje janë shkallët, ngjitja nëpër të cilat është sfiduese nga dritat që shpejt ndërrojnë intensitetin e ngjyrat. Në dysheme shkruan: “Në dollap dikush është i ngujuar në errësirën e fshehtësisë duke mbetur pa frymë në heshtjen e vetes së tij të vërtetë”. Mbishkrimi vjen edhe si përmbledhje e konceptit me të cilin shfaqet ekspozita.
“Në fillim është një person, i cili nuk mund të tregojë unë se çka është. Secili e vendos t’ia japë një emër dhe një personalitet atij personi. Ai për mua është një rojtar i këtij dollapi, i cili ata që nuk janë pjesë e dollapit nuk i lejon të hyjnë. Kjo është hera e parë që dollapi po hapet për njerëz, të futen e të shohin se kush janë këta njerëz brenda dhe që nuk po i lejon me dalë jashtë. Shkallëve për në katin e dytë janë disa drita verbuese që e bëjnë të pamundur të ecësh nëpër shkallë e kjo të bën të kuptosh sa e vështirë është të jesh aty brenda”, ka thënë Rama.
Në dhomën e parë janë të shfaqura projeksione të pamjeve nga galaktika, të cilat mahnitin e në të njëjtën kohë kujtojnë sa të vegjël janë njerëzit në skemën e madhe të gjërave. Në pjesën tjetër, një njeri i vendosur në akuarium bën përpjekje për të dalë jashtë derisa secili nga të pranishmit shkrep fotografi pa tentuar ta ndihmojë. Kjo, sipas autorit, flet mjaft për shoqërinë. Ekspozita shtron pyetje. Përgjigjet zbërthehen tek pas vizitës.

"Dhoma e parë është dhoma në të cilën është një univers shumë i madh për të treguar se sa të vegjël jemi edhe sa të parëndësishëm jemi në këtë univers gjigand. Në një dhomë tjetër është një person i gjallë, i cili ndodhet në një akuarium me ujë ku nuk mund të marrë frymë, i cili tërë kohën është duke u munduar të dalë, por pa sukses. Secili është duke e fotografuar e xhiruar me telefonat e tyre sepse iu duket e bukur, por askush nuk shkon ta ndihmojë. Kjo pak a shumë e simbolizon shoqërinë e cila çdo ditë glorifikon dikë veç pse është ndryshe e nuk bën asgjë konkrete përveç videove, ekspozita, si puna ime, postime nëpër rrjetet sociale e protesta", ka thënë Rama.
Kalimi nga njëra dhomë në tjetrën shpalos shtresat e ekspozitës.
"Dhoma tjetër është një dhomë audiovizuale ku ka imazhe, të cilat reagojnë ndaj tingullit. Çfarëdolloj tingulli që është në prapavijë imazhi reagon dhe e vizualizon për t'i dhënë kuptim. Me këto imazhe kam dashur ta trajtoj nocionin e familjes se çka është familja për neve dhe çka ajo nuk duhet të jetë. E gjitha kjo është e shfaqur në një çarçaf të nusërisë, që është simbol për çarçafin e virgjërisë në kohët tradicionale që bëhet pas martesës", ka thënë Rama.
Që nga muaji dhjetor regjisori Leart Rama me ekipin e tij kanë punuar në realizimin e ekspozitës “Bliss (Misery is a Butterfly)”.
Jeta Veseli, drejtoreshë artistike e ekspozitës, ka thënë se në fillim çdo gjë tingëllonte e pamundur, deri në momentin e hapjes për publikun.
“Kur Learti e tregoi idenë e tij e kam marrë parasysh krejt se si do të duket. Duke e marrë parasysh se si ekspozitë nuk është realizuar më herët, e di nga teknikat edhe mënyra se si kemi punuar më herët, e kam pritur këtë rezultat. Ka qenë shumë vështirë e realizueshme edhe që nga fillimi thosha se me siguri nuk do të mund ta realizojmë, por jemi munduar dhe e kemi gjetur mënyrën se si të punojmë dhe kemi pasur kohë që të qartësojmë çdo gjë”, ka thënë Veseli
Ndër të parët vizitorë të ekspozitës ishte sociologia Linda Gusia. Ajo ka thënë se përshtypjet e para i kishte shumë intensive.
“Sepse është nga ato ekspozitat të cilën e ndien në trup, edhe në aspektin ndjesor, sensorik, edhe e ndjen veten gati si të sulmuar prej informatave, prej zërit, tymit. Është prej atyre ekspozitave që e ndien para se ta procesosh dhe mendoj se ky ka qenë edhe qëllimi i autorit: ta krijojë njëfarë ndjesie. Edhe vetë publikun ta marrë me vete”, ka thënë ajo.
Ekspozita “Bliss (Misery is a Butterfly)” do të qëndrojë e hapur një muaj.
