Kulturë

“Brian Marsella Trio” në Prishtinë me magjinë e jazz-skenave botërore

Duhet të jetë menduar gjerë e gjatë dhe përzgjedhja ka qenë e qëlluar. Rikthimi i “Prishtina Jazz Festival” ka goditur në shenjë me “Brian Marsella Trio”, që bashkon alamet muzikantësh. Dëshmia e parë ka qenë vetë grupi. E dyta, pritja nga publiku në Prishtinë, e cila në natën e hapjes së ngjarjes unike s’i ka lënë gjë mangët jazz-skeneve të shquara të New Yorkut. “Hapje ndoshta nga më të mirat e të gjitha edicioneve të festivalit”, e ka cilësuar maestro Ilir Bajri, “eksplodim i rikthimit”, kompozitori Liburn Jupolli. Mjeshtëria e lojës është tjetër histori

Është bërë gati një dekadë prej edicionit të fundit të “Prishtina Jazz Festival” – kur për herë të fundit erdhi më 2014 me sloganin “Improvise Kosova” – e rikthimi në teatrin “Oda” ka dëshmuar që magjia e jazzit nuk humbet. Treshja që priu në programin e këtij edicioni ishte magji më vete.

“Brian Marsella Trio” të mërkurën mbrëma për gati dy orë i fali publikut në Prishtinë një mbrëmje prej atyre të klubeve botërore të jazzit. “Brian Marsella Trio” është një përzierje e traditës dhe inovacionit, derisa përçon ndjeshmëri moderne e eksperimentale. Që në momentin kur tingëllojnë notat e para, vërehet qartë se nuk bëhet fjale për një ansambël të zakonshëm. Udhëhequr prej pianistit e kompozitorit Brian Marsella, treshja përfshin, po ashtu, basistin Trevor Dunn dhe bateristin Kenny Wollesen.

Nismëtari i “Prishtina Jazz Festival”, maestroja Ilir Bajri, ka thënë se kjo ishte hapja më e mirë që festivali ka pasur ndonjëherë. Nivelin e artistëve Bajri as që e ka vënë në dyshim, duke e vënë theksin te raportet e ndërtuara të cilat e formojnë një festival.

“Fantastike! Është hapje ndoshta nga më të mirat e të gjitha edicioneve të festivalit. Së pari, për shkak të nivelit të artistëve, pastaj edhe për shkak të miqësisë që e tregojnë ata, mirëkuptimit për rrethanat edhe për krejt çka kemi këtu, dhe për vazhdimin e asaj miqësie, sepse për një festival në thelb duhet të jetë miqësia e pastaj krejt të tjerat vijnë si dhurata”, ka thënë Bajri.

Brian Marsella me shokë dhe një sallë plot audiencë

Stili i treshes është i ndikuar shumë nga traditat e jazzit të New Yorkut, ku është themeluar grupi, por gjithashtu përfshin elemente të muzikës klasike, ritme latine dhe zhanre të tjera të ndryshme. Kompozimet janë gjithmonë të bazuara në një sens të fortë melodie. Pianisti Brian Marsella ka thënë se rrugën për në Kosovë e kishte marrë me pak pritshmëri. Salla plot e teatrit “Oda”, ka thënë se e ka lënë pa fjalë.

“Së pari do të doja që të qëndronim më gjatë këtu, secili na ka pritur ngrohtë, Armend Xhafa ka qenë i mrekullueshëm. Duket që ai është një mbështetës shumë i madh i jazzit këtu në Prishtinë dhe kjo ka shumë rëndësi. Publiku ka qenë fantastik. Nuk kam qenë asnjëherë këtu. Shkon në një vend ku nuk ke qenë më parë dhe ndihesh i nderuar që secili vjen dhe dëshiron të më dëgjojë duke luajtur. Nuk kam menduar se dikush do të vijë këtu sonte. Është shumë ndjenjë e këndshme të shohësh një sallë plot me audiencë”, ka thënë Marsella.

Dunn dhe Wollesen janë të dy muzikantë me përvojë që kanë punuar me një numër të madh artistësh në skenat e muzikës jazz dhe eksperimentale. Dunn është më i njohur për punën e tij me grupin eksperimental rock “Mr. Bungle”, ndërsa Wollesen ka bashkëpunuar me artistë si Tom Waits, Bill Frisell dhe John Zorn. Marsella ka thënë se do të donte që të luanin bashkë më shpesh.

“Sa i përket trios sonë, Kenny, Trevor dhe unë nuk kemi aq shumë raste sa unë do të doja që të luajmë bashkë, sepse çdonjëri nga ne është shumë i zënë me projekte të tjera. Ndjenjë e mrekullueshme të kemi rastin të luajmë bashkë dhe ta shohim njëri-tjetrin për kohën e shkurtër sa jemi këtu”, ka thënë ai.

Performancat e tyre karakterizohen nga një ndjenjë spontaniteti, pasi duket se muzikantët vazhdimisht sfidojnë dhe frymëzojnë njëri-tjetrin për të eksploruar një territor të ri muzikor. Këtë e ka thënë edhe kompozitori Liburn Jupolli.

Eksplodim i rikthimit me “bendin e bendeve”

“Është një eksplodim i rikthimit të Festivalit. Është një përzgjedhje e qëlluar. ‘Brian Marsella Trio’ është një bend i bendeve. Kjo trio është trio e shumë grupeve, sepse secili prej tyre është muzikant me shume pedigre e përvojë. Është një moment shumë i mirë edhe për rikthimin e kësaj energjie dhe njoftimin e tyre me skenën kosovare”, ka thënë Jupolli.

Saksofonisti Arian Randobrava e ka vlerësuar intelektuale muzikën e trios nga New Yorku. Po ashtu, ka thënë se duhet dashuri për të dëgjuar këtë lloj muzike.

“Nuk është si më parë kur ka qenë televizori bardhezi. Edhe ne kemi evoluuar, evoluon edhe muzika, edhe jeta në përgjithësi, kështu që e mirë është kjo qasje edhe pse nuk do të doja ta cilësoja me fjalë, por është më intelektuale dhe e kërkon një publik më të veçantë. Mjafton pak të kesh dashuri dhe ta pranosh atë”, ka thënë Randobrava.

Muzika e “Brian Marsella Trio” u kthye në një përvojë emocionuese, në një udhëtim nëpër botën e lirë të jazzit që ka lënë përshtypje te gati çdonjëri i pranishëm në mbrëmjen e cila e shënoi hapjen e “Prishtina Jazz Festival”.

“Posaçërisht për hapjen e festivalit tonë ka ardhur ‘Brian Marsella Trio’, nga New Yorku që ta bëjë hapjen këtu. Përgjigjen e kemi marrë nga publiku. Se si ata e kanë pritur është shumë me rëndësi për ne”, ka thënë kitaristi Armend Xhaferi, i cili këtë edicion është vënë në krye të stafit organizativ.

Organizimi i një festivali të tillë nuk është i lehtë bazuar në mungesën që ai pati ndër vite. Mungesa e financimit, sipas Xhaferit, është arsyeja kryesore e kësaj ndërprerjeje. Rikthimi i tij u bë vetëm falë ndihmës së Komunës së Prishtinës, nën patronazhin e së cilës organizohet.

“Ky festival i mbajtur në Prishtinë, të cilin para 10 vjetëve e ka organizuar Ilir Bajri, është ndërprerë për shkak të problemeve të cilat i kemi pasur me komunikim me donatorë. Tash ka filluar përsëri, pasi që Komuna na ka mbështet që të jetë nën patronazhin e Komunës së Prishtinës”, ka thëne Xhaferi.

Sfidat e rikthimit nuk i ka përmendur Bajri, i cili ka thënë se e sheh si mundësi për gjeneratat e reja të muzikantëve. Ai ka vlerësuar se vazhdimi i “Prishtina Jazz Festival” ishte kthyer tashmë në nevojë.

“Kur diçka të krijohet si nevojë atëherë çdo zhvillim i asaj nevoje bëhet i natyrshëm, për shkak se nuk është e imponuar ose detyrim. Krejt rezultatet që pasojnë nga aty, jo veç ngjarja kulturore, por edhe reflektimi i tyre në shoqëri, edhe efekti i tyre në shoqëri bëhet më i kollajshëm. E ajo fillon të shihet në nevojën e qytetarëve për me pasë një jazz klub ose dy. Prishtina gjithmonë ka tentime, por këto janë proces i gjatë që do kohë e përkushtim”, ka thënë Bajri.

Image
Muzika e “Brian Marsella Trio” u kthye në një përvojë emocionuese, në një udhëtim nëpër botën e lirë të jazzit (Foto: Prishtina Jazz Festival/FB)

Pas edicionit të fundit në 2014-ën, skenës së jazzit në Prishtinë i erdhi “Prishtina Jazz Week”, organizuar nga bateristi i njohur Nesim Maxhuni. Edhe ky organizim u pezullua si pasojë e pandemisë. Rikthimin e “Prishtina Jazz Festivalit” Maxhuni ka thënë se e ka pritur me padurim. Këtë e vlerëson si të domosdoshme për ta mbajtur gjallë skenën muzikore në vend.

“E kam pritur me padurim kthimin, megjithëse prej 2014-ës ka qenë një tjetër festival tre vjet me radhë që unë e kam organizuar, ‘Prishtina Jazz Week’. Kjo që e ka kthyer Xhafa dhe me programin që e ka bërë më gëzon jashtë mase se është e vetmja mënyrë qysh me e mbajt gjallë skenën pa të cilën është shumë e vështirë me ekzistu si artist”, ka thënë Maxhuni.

E përveçqë publikut po i ofrohet një program i pasur dhe ngjarje e veçantë kulturore, edhe për profesionistët e fushës së muzikës festivali vazhdon të mbetet i rëndësisë së madhe.

“Skena e ka pritur shumë, publiku e ka pritur shumë, natyrisht edhe plot profesionistë të fushës. Kosova nëpërmjet këtij festivali e ka kultivuar dhe zhvilluar shumë jazzin, sidomos gjeneratën që tash është shumë aktive në skenë”, ka thënë Liburn Jupolli.

Festivali që i ka munguar vendit

Saksofonisti Arian Randobrava ka thënë se nata e parë e “Prishtina Jazz Festival” e ka bërë të ndihet sikur të ishte në skenat më të mëdha të jazzit në botë. Edhe përkrahja e audiencës ka thënë se i është dukur më e madhe se në edicionet e kaluara.

“Shumë i lumtur që janë bërë rrethanat që të ndihem thuajse jam jashtë Kosovës. Është ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj, por mund thjesht të them se i ka munguar vendit. Më duket që kësaj here edhe përkrahja e njerëzve është më e madhe se herët e kaluara. ‘Jazz Festivali’ ka qenë në pritje gjithmonë, por besoj se është krejt çështja te përkrahja dhe se si njerëzit i trajtojnë mysafirët që vijnë këtu për të performuar”, ka thënë Randobrava.

Ndjenjën e nostalgjisë kur në Prishtinë ka pasur një numër më të madh të festivaleve e koncerteve jazz, ia ka kthyer mbrëmja e së mërkurës muzikantit Ertan Iliyaz. Ai i ka përmendur edhe jazz-baret që kanë qenë në Prishtinë, të cilat tash e disa vjet qëndrojnë të mbyllura.

“Njëmend është një ndjenjë e veçantë, sepse kemi nevojë me pasë jazz-festivale dhe këso lloj ngjarjeje. Kemi pasur edhe një boshllëk pas pandemisë. Po ndihem shumë mirë, sepse me këtë natë më është kthyer ajo ndjenja kur ka pasur më shumë ngjarje në Prishtinë”, ka thënë Iliyaz.

Image
Se rikthimi i “Prishtina Jazz Festival” ka qenë i domosdoshëm e ka dëshmuar në koncertin e hapjes në teatrin “Oda” (Foto: Prishtina Jazz Festival/FB)

Ndër të shumtë adhurues të jazzit, i pranishëm në hapje të festivalit ishte edhe Halit Yazicioğlu. Ai kishte ardhur nga Turqia. Edhe pse jo veçanërisht për ta ndjekur Festivalin, Yazicioğlu ka thënë se ndër gjërat e para që kishte hulumtuar për Prishtinën ishte se a ka klube të jazzit. Mbrëmja u kthye në një rastësi të bukur për të.

“Kur kam ardhur në Prishtinë, gjëja e parë që kam kërkuar ishte një klub jazzi. Mendoj që këso lloj organizimesh duhet të jenë më të shpeshta. Nga to mund ta kuptosh shpirtin e një qyteti”, ka thënë Yazicioğlu.

Festivali do të zhvillohet në dy hapësira. Në teatrin “Oda” dhe në kino “Armata”. Pas natës së parë, Festivali ka vazhduar me koncertin e dytë nga “Prishtina Jazz Orchestra” për të vazhduar me natën e tretën me “Sara Decker Quartet”. “Prishtina Jazz Festival” do të mbyllet me një natë pak më melankolike krahasuar me netët e tjera, e kjo për shkak të muzikës që do të sjellë treshja Cenk Erdoğan, Enver Muhamedi dhe Derya Türkan.