Kulturë

“Vajtimi i Tokës” nga Kosova i rikthehet Belgjikës me thirrje për veprim

Thirrja për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit, është në qendër të veprës audio-vizuale të Donika Rudit, “Vajtimi i Tokës”. Synimi: të arrijë te një audiencë sa më e gjerë. Stacioni i radhës qe Belgjika. Është rikthyer para publikut belg – para të cilit kishte qenë edhe në prillin e sivjetmë – tash në një tjetër qytet

Cikli i veprave audio-vizuale të kompozitores Donika Rudi kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë, përthekuar si “Vajtimi i Tokës” (Lament of the Earth) vjen si thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit, teksa fokusi kryesor në vepër është shtjellimi i temës së ndryshimeve klimatike dhe eksperiencave tingullore edhe për ata që nuk i dëgjojnë ato. Synimi: të arrijë te një audiencë sa më e gjerë. Stacioni i radhës qe Belgjika. Është rikthyer para publikut belg – para të cilit kishte qenë edhe në prillin e sivjetmë – tash në një tjetër qytet.

Me interpretim të sopranos Kaltrina Miftari, tekst të Doruntina Bashës dhe gjuhën e shenjave e lëvizjet nga Agnes Nokshiqi, “Vajtimi i Tokës” vjen edhe si adresim për ata që ndiejnë, edhe pse nuk flasin e që vërejnë por nuk shohin. Edhe për indiferencën ndaj asaj që i rrethon.

“Vajtimit të Tokës” në Belgjikë nikoqirllëk i bëri “Oortreders Festival”, ngjarje treditore ku arti dhe zëri jetojnë mes pyjeve të Limburgut. Vizitorë dhe artistë kanë qenë në Neerpelt të Belgjikës për të parë shfaqjen me fokus të përbashkët në tingullin dhe muzikën. Gjatë gjithë programit të Festivalit janë eksploruar tema të ndryshme për marrëdhëniet e natyrës dhe shoqërisë, siç është edhe misioni i tij. Edhe gjatë edicionit të katërt, programi është fokusuar në tema të ndryshme ku natyra dhe njeriu kryqëzohen përmes tingujve. Këtë vit janë mbajtur koncerte e shfaqje, biseda e ekspozita me instalime zanore.

Image
Me interpretim të sopranos Kaltrina Miftari, tekst të Doruntina Bashës dhe gjuhën e shenjave e lëvizjet nga Agnes Nokshiqi, “Vajtimi i Tokës” vjen edhe si adresim për ata që ndiejnë, edhe pse nuk flasin, e që vërejnë por nuk shohin. Edhe për indiferencën ndaj asaj që i rrethon

Autorja e veprës, Donika Rudi, ka thënë se komentet kanë qenë të shumta lidhur me aspektin vizual e mesazhin që përçon.

“Mbrëmja e së shtunës kur ‘Lament of the Earth’ u shfaq para publikut belg ishte fantastike. Përpos publikut të gjerë belg, kishte artistë të tjerë evropianë me të cilët kishim kënaqësinë të diskutonim dhe të elaboronim këto tema, ashtu si dhe me organizatorët e festivaleve evropiane, të ftuar, po ashtu, në këtë festival”, ka thënë Rudi. “Lament...”, qe dhënë premierë në prillin e sivjetmë, në “Belgian Music Days” në Eupen të Belgjikës. Para publikut vendor ishte dhënë në qershor, në Parkun e Qytetit në Prishtinë, në kuadër të edicionit të tetë të festivalit të artit në hapësirë publike, HAPU.

Edhe tash, duke marrë parasysh se thirrjet për ndërgjegjësim ndaj natyrës janë aktualitet global, Rudi ka thënë se beson se ka arritur të transmetojë thelbin e veprës te publiku belg.

“Kjo është temë aktuale në të gjithë botën, andaj duhet të bëjmë kujdes dhe të reflektojmë në të ardhmen tonë. Komuniteti artistik ka fuqinë e ndryshimit, ose më mirë të them, të formës kreative të shprehjes dhe thirrjes për ndryshim, andaj le të fillojmë nga përditshmëria jonë, nisur nga gjërat e vogla”’, është shprehur kompozitorja Rudi derisa ka theksuar se hulumtimi dhe fokusi artistik i saj bazohen në ndryshimet klimatike dhe në eksperiencat e reja tingullore për komunitetin e shurdhër.

Siç ishte parë edhe te premiera vendore, kulminacioni i veprës arrihet me tinguj të transformuar e të deformuar si simbolikë që janë kryefjalë për esencën e veprës – vajtimin e Tokës dhe thirrjen për veprim.

Kaltrina Miftari interpreton duke qëndruar disa metra mbi tokë duke ‘vajtuar’ për të. Mban të veshur fustanin e gjatë që ndriçohet me ngjyra jeshile si portretizim për Tokën. Ndërsa artistja Agnes Nokshiqi performon në gjuhën e shenjave si pjesë e fustanit gjigant në mes të pyllit. Nga fundi i performancës thirrja bëhet më e zëshme duke shkundur defin e duke krijuar tingujt përmes shuplakave”, kishte shkruar KOHA më 24 qershor, kur shfaqja ishte përsëritur dy herë në Parkun e Qytetit dhe qe në harmoni me moton e sivjetme të HAPU-t, “A jemi në tokë të bukës?”. Si vepër ciklike, në vete do të përmbajë edhe vepra të tjera që do t’i bashkëngjiten “Lament of the Earth”. Pos premierës në “Belgian Music Days”, para dy javësh është prezantuar edhe në Izmir të Turqisë, në Festivalin Digital izMIR, sikurse edhe në Autumn Festival, organizuar nga FeBeME (Shoqata e Kompozitorëve Belgë të Muzikës Elektroakustike) e të tjera. “Disa bashkëpunime në disa shtete të tjera do të konkretizohen në muajt në vijim, të cilat sigurisht se do t’i bëjmë të ditura shumë shpejt”, ka thënë Rudi.

Kompozitorja Donika Rudi është e specializuar në muzikën akusmatike dhe elektroakustike. Që nga viti 2010 është anëtare e Federatës Belge për Muzikën Elektroakustike dhe drejtoreshë artistike e festivalit “ReMusica”. Që nga kjo kohë është edhe artiste e asociuar në Platformën Evropiane për krijim artistik në hapësirën publike, e njohur si “IN SITU”, në Lieux të Francës. Ka studiuar për kompozicion në Konservatorin e Gjenevës dhe i ka vazhduar në Belgjikë për kompozim të muzikës akusmatike.

Puna e saj varion nga kompozimet për balet, film dhe teatër deri te instalacionet dhe shfaqjet multimediale. Veprat e saj më të rëndësishme janë: Baleti bashkëkohor “Jeta në lëvizje të ngadaltë”, që ishte dhënë premierë në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, pjesët akusmatike “Ode to Life”, “The Echoes of the Crying Earth”, “Emotion Machine”, “E pashprehur”, “9” e të tjera. Gjithashtu ka kompozuar muzikë për drama dhe filma të shumtë, si dhe dokumentarë. Veprat e saj janë interpretuar në Francë, Kolumbi, Zvicër, Portugali, Itali, Australi, Bullgari, Serbi, Kanada, Spanjë e Belgjikë.

Në gusht të këtij viti, pjesa akusmatike e saj “Ode to Life” ishte prezantuar në kuadër të festivalit “Theater Op de Markt” në Hassel të Belgjikës, ku ishte shfaqur për herë të 12-të.