Kulturë

Zhaneta Andrea – emblemë e arkeologjisë shqiptare

Emblemë e arkeologjisë shqiptare, shkencëtare e çmuar e prehistorisë, pioniere në mesin e arkeologëve e udhërrëfyese e arkeologëve të rinj, është cilësuar Zhaneta Andrea. Arkeologia e parë në Shqipëri, vdiq të premten. Ajo ishte 85-vjeçare. Miqtë dhe kolegët e saj e kanë kujtuar si kërkuese të thellë, punëtore të madhe e arkeologe të pazëvendësueshme. Pas ka lënë një sërë veprash të cilat dëshmojnë për kërkimet dhe zbulimet e saj në fushën e arkeologjisë dhe ndrisin rrugën e gjeneratave të vijnë pas.

Lajmin për vdekjen e saj e ka dhënë Akademia e Studimeve Albanologjike ku ndër të tjera punën e saj kërkimore e ka vlerësuar si të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme teksa ka numëruar disa nga vend kërkimet e shumta të saj.

“Puna e saj e palodhur në terren është shtrirë në një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë, përmes pjesëmarrjes dhe drejtimit të një sërë ekspeditash arkeologjike, nga veriu në jug të vendit, si: vendbanimi i Zagorës në Shkodër, vendbanimet shpellore të Blazit dhe Nezirit në Mat, varreza tumulare e Bujanit në Tropojë, vendbanimi neolitik i Cakranit në Fier, nekropoli i Gërmenjit në Lushnje, tuma e Cerrujës në Gramsh. Korça e saj do zinte një vend të rëndësishëm të punës kërkimore”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të ASHSH-së në Facebook.

Zhaneta Andrea u lind në qytetin e Korçës më 1937. Studimet fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje ndërsa studimet universitare në Fakultetin Histori-Filozofi, dega Arkeologjisë, në Universitetin e Sofjes në Bullgari. Në vitin 1962 iu bashkua grupit të parë të arkeologëve shqiptarë dhe ishte ndër gratë e para që jetën akademike ua dedikoi kërkimeve mbi prehistorinë shqiptare. Aktiviteti i saj kërkimor lidhet me vendbanimet e neolitit e deri tek ritualet mortore të periudhës së bronzit dhe të hekurit.

“Në vitet ‘60 ajo kreu ekspedita informative në rrethin e Korçës, dhe vijoi më pas me pjesëmarrjen në gërmime në vendbanimet e Podgorisë dhe Maliqit dhe me drejtimin e gërmimeve në disa varreza tumulare të prehistorisë së vonë, në Barç, Kuç i Zi dhe Shuec, të cilat u kurorëzuan me botimin në vitin 1985 të monografisë me titull ‘Kultura ilire e tumave në Pellgun e Korçës’”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Akademisë.

Arkeologia e numizmatikës, Shpresa Gjongecaj-Vangjeli kolegen e saj të cilën e kishte njohur që nga vitit 1974, kur kishte nisur punën në Akademinë e Shkencave e ka kujtuar me plot admirim e respekt.

“Ajo merrej me prehistorinë, me neolitin ndërsa unë vetë jam marrë me numizmatikën që si kohë janë shumë larg njëra-tjetrës. Kemi qenë kolege, sepse kemi bërë jetë studimore të dyja së bashku. Kështu që e di që përpjekjet e saj, mundimet e saj, pjesëmarrja e saj në gërmime arkeologjike, duke filluar nga më të vështirat që kanë qenë ato në Veri, në Bujan të Tropojës dhe në Kuq të Zi të Korçës në Mato e kudo tjetër kanë qenë të shumta dhe mjaft të rëndësishme, sepse gërmimet në prehistori janë më të vështira sesa gërmimet në fusha të tjera”, ka kujtuar ajo. Ndër të tjera, akademikja Gjongecaj- Vangjeli ka treguar edhe për vështirësitë e shumta me të cilat përballeshin arkeologët e asaj kohë. Ndryshe nga sot kur, gjatë gjurmimeve, arkeologët shkojnë dhe flenë nëpër hotele, në atë kohë, Gjongecaj-Vangjeli kujton se si Andrea detyrohej të flinte nëpër çadra ose nëpër shkolla.

“Sakrificat e saj dhe të gjithë arkeologëve në përgjithësi por më tepër të grave, në atë kohë kanë qenë shumë të mëdha sepse nuk kishim kushte, mungonin dhe punonim edhe në kushte të vështira. Megjithatë, Andrea kishte një pasion të jashtëzakonshëm. Ajo përfundoi studimet në Bullgari pikërisht për arkeologji prandaj erdhi me atë pasionin e madh për arkeologjinë dhe në fakt e vuri në jetë në kuptimin që nuk la gërmim që i caktoi departamenti shkencor, pa kryer, pa realizuar”, ka thënë ajo.

Duke treguar për vështirësitë e mëdha që kishte udhëtimi jashtë vendit, gjatë periudhës së Shqipërisë së viteve ‘90, Gjongecaj-Vangjeli ka numëruar kontributet e shumta të Zhaneta Andreas.

“Nuk la artikull pa botuar që lidhej me kërkimet që bënte, me rezultatet që nxirrte nga gërmimet arkeologjike. Ka shkruar monografi, ka ndihmuar dhe shoqëruar të rinjtë dhe gjithashtu ka vënë edhe leksione pranë universitetit. Një tjetër kontribut i saj është edhe pjesëmarrja në konferencat ndërkombëtare ku ka paraqitur rezultatet arkeologjike të gërmimeve shqiptare”, ka thënë ajo.

Si figurë të shquar të arkeologjisë dhe historisë së lashtë të Shqipërisë, Zhaneta Andrean do ta kujtojë edhe arkeologu Muhamet Bela. Kishin bashkëpunuar në disa ekspedita të ndryshme arkeologjike.

“Ajo ka një kontribut të jashtëzakonshëm në kërkimet dhe studimet arkeologjike sidomos në Korçë, Zonën e Matit, Malësisë së Gjakovës, Tropojës e të tjera. Profesoreshë Zhaneta mbi të gjitha ishte një njeri i shkëlqyer. Ajo ishte shumë komunikuese. Zhani, siç i thoshim ne, ishte skrupuloze në kërkesa, aq dashamirëse si njeri, por aq kërkuese për të arritur rezultate sa më konkrete dhe sa më të sakta në fushën e studimeve arkeologjike”, ka thënë doktori i arkeologjisë. Ka çmuar kontributin e saj të madh në zhvillimin dhe shtytjen para të shkencës së arkeologjisë shqiptare, me theks të veçantë prehistorinë.

Zhaneta Andrea ishte një nga emblemat e arkeologjisë shqiptare, kontribuuese e shquar në kërkimet e studimet arkeologjike, sidomos, të prehistorisë së Shqipërisë. Janë mjaft artikuj studimorë si autore dhe me bashkautorësi të saj, pjesëmarrje në Kuvende, Kongrese, Konferenca shkencore brenda e jashtë vendit, vepra të saj të veçanta, pjesëmarrje në procesin e mësimdhënies si pedagoge në Universitetin e Tiranës etj., që flasin për erudicionin e nivelin e epërm, si dhe ndihmesën e kësaj shkencëtareje të talentuar, në sqarimin e mjaft çështjeve që lidhen kryesisht me neolitin, eneolitin, epokat e bronzit dhe të hekurit të hershëm në Shqipëri”, ka thënë ai për KOHËN.

Ndër të tjera, Bala ka kujtuar edhe se si gjatë punës me profesoreshë Andrean kishin bërë edhe disa zbulime shumë të vlefshme.

“Sugjerimet dhe ndihmesa e profesoreshë Zhanetës, ishin shumë të çmuara për mua, për ecurinë dhe përmbylljen e suksesshme të këtyre ekspeditave, ku u zbuluan: eneoliti, që u evidentua për herë të parë në Qarkun e Kukësit, bronzi i hershëm, fundi bronzit e fillimi i hekurit, si dhe gjetjet e periudhës antike e mesjetare”, ka thënë ai.

Zhaneta Andrea u varros të premten në varrezat e Sharrës në Tiranë.