Kulturë

“Në kërkim të Burbuqe Rushitit” me portretin e krijueses e zërit të së vërtetës

Familjarë, kolegë e miq janë bërë bashkë për të kujtuar poeten e gazetaren Burbuqe Rushiti. Në dokumentarin nën regji të Ujkan Hysajt shpërfaqet portreti i Rushitit prej një krijueseje e gazetareje të kohëve të vështira. Në momentet kryesore të luftës në Kosovë, Rushiti ishte zëri i së vërtetës që ia bënte me dije botës për atë që po ndodhte. E si krijuese renditet lart sa u përket poezisë e teksteve të këngëve

Rrëfimi nis në një ambient shtëpiak. Në raftin që janë të renditura plot libra. Kërkimi për poeten fillon nga poezitë që ka shkruar. Bashkëshorti i saj, Mustafa Komoni, shfleton varg pas vargu, për të zbuluar ndonjë kujtim të fshehur të gruas së tij të ndjerë.

Por udhëtimi drejt thellësive të saj nuk përfundon veç me fjalët artistike. E vërteta ka qenë për vite me radhë arma e saj. E këtë e ka bërë pikërisht në periudhën më të vështirë të vendit, atëherë kur Kosova po digjej shkaku i luftës.

Në fillim ishte zëri i saj ajo që përcillej te audienca, duke qenë e angazhuar në Radio Prishtinë deri në vitin 1990. Pas largimit të dhunshëm nga puna, punoi si redaktore në revistën “Teuta”, e në “Bujku” si gazetare e politikës së jashtme.

Kur lufta nisi, ajo s’deshi të informonte veç popullsinë shqiptare. Bëri atë që vështirë se do ta bënte dikush nëse s’do ta ndiente profesionin si mision. Njohjen e gjuhës turke e shfrytëzoi për të kontaktuar me redaksinë e televizionit turk NTV. Në mesin e krizës së popullit të saj, me mikrofon në dorë ajo shkonte qytet pas qyteti. Krimin serb ua bënte me dije edhe turqve. U bë edhe korrespondente e CNBC për Ballkan, raportoi edhe për konfliktin në Luginën e Preshevës dhe atë të Maqedonisë.

Angazhimi i saj s’mbaroi me kaq. Përderisa në njërën anë merrej me poezi e në tjetrën me gazetari, i hyri edhe një rrugëtimi të ri. Vargjeve të saj u la rrugë të hapur për t’u shndërruar në këngë. Plot kompozime e zëra kanë lindur pikërisht nga pena e saj.

E në rrafshin personal ajo kishte qenë shumë e dashur dhe një grua e lirë. Një nënë që ende mbetet shembull për fëmijët e saj për mënyrën se si i ka rritur. I gjithë ky rrugëtim i gazetares e poetes e cila vdiq më 2019 u rrumbullakua në 40 minuta rrëfim. Në ekranin e “Kino Armatës” u dha premiera e filmit dokumentar “Në kërkim të Burbuqe Rushitit” nën regjinë e Ujkan Hysajt, produksion i familjes Komoni dhe “AJO Pictures”.

Arritja më e lartë e dokumentarit i cili u duartrokit gjatë ishte fakti i mospërzierjes së dy shtyllave jetësore të Rushitit. Sado të përafërta, ekipi realizues ishte kujdesur në portretizimin e protagonistes si poete dhe si gazetare. I gjithë dokumentimi vjen nëpërmjet dhjetëra rrëfimeve të bashkëpunëtorëve e familjarëve. Secili në natyrshmërinë e vet ndan fragmente nga përjetimet me të. Ndërkaq një pjesë e rëndësishme ka qenë edhe përfshirja e poezive të Rushitit, të cilat vijnë me zërin e Sheqerie Buqajt.

“Emërtimi i filmit ka ardhur nga problemi se si me e trajtu dokumentarin. S’kemi dashur ta bëjmë të atillë që është reportazh apo video që e kujton Buqen dhe harrohet ajo punë. Kemi dashur me i integru edhe familjarët që kanë qenë vetë personazhe”, ka thënë regjisori Hysaj.

Gjatë punës dyvjeçare për dokumentarin, tregon se njëra prej diskutimeve ka qenë edhe arritja e autenticitetit të rrëfimit të drejtpërdrejtë të familjarëve.

“Në njërin prej diskutimeve iu thashë familjarëve: pse s’po luani ju vetë? Pse s’po bëheni aktorë e me dalë në kërkim. Mustafa me dalë në kërkim të poezive. Djemtë e Buqes, Rinori e Krenari, të cilët gjurmojnë në aspektin gazetaresk se kush ka qenë ajo si gazetare. Ata janë në kërkim edhe mendoj që kërkimi vazhdon për një njeri që e kemi humbur”, ka treguar regjisori.

Ka thënë se për realizimin e dokumentarit janë përfshirë rrëfimet e veç 50 për qind të bashkëpunëtorëve të saj. E ato me redaksinë turke janë realizuar me dy vizita në Turqi.

“Sfidë tjetër ka qenë edhe organizimi i filmit në dy shtylla, ana e gazetarisë dhe e poezisë. Gërshetimi i poezisë si art më vete dhe gazetarisë si dokument më vete, ka qenë vështirë, sepse është dashur t’i japim kuptim tematik jetës së saj, të lidhen dy rrugëtimet pa u vërejtur si diçka që s’funksionon”, ka thënë ai.

Në poezi ajo ishte njeriu i lirë që tregonte ndjesitë në vargje. Ndërkaq në gazetari ishte e guximshmja, profesionistja që raportoi pa emocionet e ngjarjeve dhe mbi të gjitha, njerëzorja.

“Një gazetare që e bënte punën e vet, që s’dinte të ndante çka donte më shumë, gazetarinë apo poezinë”, kështu e ka përshkruar gazetari veteran, Nehat Islami.

“Ishte koha pa rrjete sociale, pa ndonjë mjet komunikimi, pra ishin vetëm mediat. Ajo ishte burimi i vetëm për politikë për mediat turke. Ajo ishte fytyrë publike në Turqi”, tregon në dokumentar gazetari turk Fatik Turkmenoglu.

E pavarësisht kësaj, sfida e përballjes me dhunën dhe represionin serb në baza të përditshme për hir të raportimit ka qenë e madhe. Këtë e pranojnë edhe kolegët e saj.

“Buqe si ja bën që gjithë këto gjëra po ndodhin? Sheh njerëz të vdekur, dhe kjo është e tmerrshme...? Ajo tha: ‘Pas një kohe të tregosh ngjarjen është më e rëndësishme se vetë ngjarja’”, kujton Turkmenoglu.

Për ish-gazetarin në NTV, Fuat Kozluku, ajo kishte aftësinë për të tërhequr vëmendjen në tragjedinë e Kosovës.

“Një vit pas përfundimit të luftës shkova përsëri në Kosovë. ‘Të shkojmë në Mitrovicë, Burbuqe?’, i thashë. Ne shkuam në anën e serbëve, u sulmuam verbalisht nga një serb. Burbuqja ndërkohë tha: A nuk ju mjaftoi? Tani e tutje nuk mund të bëni asgjë. Së paku heshtni. Nuk është e dobishme për askënd grindja, lufta, konflikti. Secili prej jush keni të varur në mur një ose më shumë fotografi’. Me fjalë të tjera, ajo kishte shprehje që përmbanin deklarata të tilla paqësore”, tregon në dokumentar Kozluku.

E në rrafshin artistik, Mendi Mengjiqi, Pranvera Badivuku, Shefqet Shehu, Akil Koci kanë qenë veç disa nga emrat me të cilët ka bashkëpunuar.

“Buqja kishte ndarë edhe një tekst të bukur për mua, që quhej ‘Do të kalonte mote e mote’, të cilin e bëra me melos popullor. E kam kujtim nga Buqja”, ka kujtuar Badivuku.

“A ka mundësi më tha ta marrësh këtë poezi dhe mundësisht ta bësh këngë. Tekstin e lexova disa herë dhe e pashë që më flejti”, kujton për njërën prej këngëve Reshat Randobrava.

“Këngën e quajtur ‘Kusar’ pranova ta këndoja veç për shkak të tekstit. Unë në atë kohë isha shumë e dashuruar dhe iu përshtatej ndjenjave të mia shpirtërore”, rrëfen në anën tjetër këngëtarja Shpresa Gashi.

E për karakterin e saj kanë fjalë të mira edhe miqtë e familjarët. Bashkëshorti Mustafa Komoni kujton periudhën kur fëmijët e tyre në periudhën e pasluftës janë konsultuar me prindërit për të dalë jashtë vendit për studime.

“Krenari ishte i pajtimit që të shkonte. Thashë më vete, a do të jemi ne të pajtimit që me marrë rrugën që ai e dëshiron. Te Buqja nga momenti i parë e kam parë vendosmërinë që fëmijët s’janë robër tanë, por ata duhet me e zgjedhë vetë rrugën nga donë me shku”, kujton Komoni.

Djali i saj, Rinori, me plot emocione tregon se ajo ka qenë një shpirt luftarak.

“Një send mbetet gjithmonë: ideologjia, krijesat. Buqja e ka pasë në shpirt me kriju”, rrëfen ai.

Ndërkaq djali tjetër, Krenari, tregon se përmes dokumentarit u janë kthyer shumë ndjesi.

“E kemi jetuar jetën e Buqes në këtë dokumentar. Kemi mësu shumë për të që s’i kemi ditur më herët”, ka treguar ai.

Ndërkaq Afërdita Saraçini-Kelmendi e çmoi shpirtin e lirë të saj.

“Lirisht mund të them grua boheme. E ka dashtë qejfin, kangën, e ka dashtë me pi një gotë raki, e ka dashtë jetën. Edhe e ka dashtë të kuqen”, tregon ajo.

“Prej kur e kam pa të parën herë në shkollë të mesme, e deri në vitin e fundit ka qenë e veshur jashtë të tjerëve”, ka rrëfyer Visar Kelmendi.

Burbuqe Rushiti shkollimin fillor, të mesëm dhe fakultetin i kreu në Prishtinë. Studio gjuhën dhe letërsinë angleze, si dhe gjuhën dhe letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Fillet e shkrimeve të saj janë në revistat “Zëri”, “Bota e re”, “Kosovarja”, dhe bashkëpunoi edhe me Radio Prishtinën. Në korrik të vitit 1999, botoi librin e saj të parë në gjuhën turke, “Kokunu ozeldim Kosova” (Kam mall për erën tënde Kosovë). Vlerësimet e kritikës letrare turke ishin në nivel dhe brenda gjashtë muajsh hyri në listën e librave më të shitur në vend.

Në vitin 2000 Burbuqja si konkurrente e propozuar nga gazeta “Hurriyet” për gratë më të suksesshme të Mileniumit në Turqi arriti që me votat e opinionit turk të jetë njëra ndër katër gazetaret më të preferuara të Turqisë. Burbuqe Rushiti vdiq pas një sëmundjeje të rënde më 4 gusht 2019 në Prishtinë. Në përvjetorin e parë të vdekjes, Botimet KOHA ka botuar studimin e saj të titulluar “Ninullat popullore”. Kjo vepër ishte punimi i magjistraturës së Burbuqe Rushitit, asokohe 35 vjeçe, që e mbrojti më 1996 në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.