Kulturë

Ministria e Kulturës përkrah 51 organizata me mbi 1.7 milion euro

Është dashur të kalojnë tri të katërtat e vitit derisa skena e pavarur kulturore dhe organizatat e trashëgimisë kulturore të marrin vesh se cila do të jetë shuma e përkrahjes për projektet e tyre vjetore. Më gjithë shumat e mëdha që janë përkrahur disa organizata, vonesa llogaritet të jetë një problem në vete. Pos kësaj duhet ende kohë për t’u nënshkruar kontratat me MKRS-në. Sipas listës së publikuar në fund të javës që shkoi, 51 organizata të kulturës dhe trashëgimisë kulturore janë përkrahur me 1 milion e 746 mijë euro. Mbështetja shkon deri në 100 mijë euro

Ministrisë së Kulturës i janë dashur gati tetë muaj që t’u tregojë organizatave të skenës së pavarur kulturore se cila është mbështetja që do ta kenë për sivjet. Është dashur të kalojnë tri të katërtat e vitit deri sa skena e pavarur kulturore dhe organizatat e trashëgimisë kulturore të marrin vesh se cila do të jetë shuma e përkrahjes për projektet e tyre vjetore. Me gjithë shumat e mëdha që janë përkrahur disa organizata, vonesa llogaritet të jetë një problem në vete. Pos kësaj duhet ende kohë për t’u nënshkruar kontratat me MKRS-në.

Sipas listës së publikuar në fund të javës që shkoi, 51 organizata të kulturës dhe trashëgimisë kulturore janë përkrahur me 1 milion e 746 mijë euro. Mbështetja shkon deri në 100 mijë euro. Kjo është hera e parë që MKRS-ja mbështet skenën e pavarur kulturore nëpërmjet garantëve institucionale. Në të kaluarën janë mbështetur qindra organizata e individë me shuma më të vogla. Sa u përket individëve, pos listës paraprake ende nuk është publikuar lista përfundimtare.

Për dallim prej listës paraprake ku prej 362 aplikimeve me propozime për projekte në kulturë e trashëgimi kulturore, kriteret bashkë me mënyrën e aplikimit kanë bërë që lista fituese të ketë vetëm 26 organizata, pas ankesave, gjendja ka ndryshuar. Numri pothuajse është dyfishuar. Në listën paraprake nuk figuronin organizime të mëdha e me nam si “DokuFest”, “Anibar” “PriFilmFest”, teatri “Oda”, festivali “EtnoFest”. Në listën përfundimtare figurojnë. Madje “PriFilmFest” prin me 100 mijë euro mbështetje bashkë me “Artpolis” pasuar nga “DokuFest” me 98 mijë, Fondacioni kosovar trashëgimia kulturore pa kufij “CHwB Kosova”96 mijë, “Hardhfest” 83 mijë e “Anibar” 80 mijë.

Tetari “Oda” është përkrahur me 80 mijë euro, kurse Qendra “Multimedia” me 75 mijë euro.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq me Qendrën “Multimedia”, ka thënë se problemet me vonesën e shpalljes se rezultateve nga thirrja janë pengese serioze për shumë organizata dhe në fakt dëmet janë qysh tash të dukshme.

“Megjithatë, në aspektin e garantëve të ndara, duhet të themi se është hera e parë që MKRS e ka trajtuar me dinjitet skenën e pavarur kulturore. Kjo duhet te nënvizohet”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, ajo çfarë mbetet të rregullohet për të ardhmen është efikasiteti i procesit dhe instalimi i një sistemi më të drejtë të meritokracisë.

“Megjithatë, edhe kësaj radhe pamë organizata të vogla kulturore që organizojnë ngjarje kulturore margjinale, por që kanë marrë grante më të mëdha se disa organizata të tjera kulturore qe janë aktive - simbolikisht të them - 15 muaj në vit”, ka thënë ai.

Regjisori Florent Mehmeti, i cili menaxhon teatrin “Oda” ka thënë se shihet ndryshimi i qasjes nga ana e MKRS-së. Vonesën e ka përshkruar si shumë problematike.

“Tash veç jemi në shtator dhe tri të katërtat e vitit kanë kaluar. Tash kemi përgjigje, e kush e di kur do t’i kemi kontratat. Kjo është problematike”, ka thënë ai. Sipas tij, monitorimi i projekteve që subvencionohen është shumë i rëndësishëm.

“Subvencionimi duhet të jetë i monitoruar mirë sa i përket performancës. Nuk ka kapacitet të monitorohet qindra projekte. Ishte dashur të jetë edhe sistemi i matjes së performancës, të shihet sa ka qenë ndikimi dhe sa u është kthyer investimi qytetarëve. Shpresoj që ngadalë të shkojmë në këtë rrugë”, ka thënë ai. Ka shtuar se tash e 22 vjet shpresohet e kultura do të përkrahet ndryshe.

“Shpresojmë që të mos kthehemi prapa. Ministri aktual e kabineti kanë ambicie të mëdha për reforma, por sa do të mbërrihet, do ta shohim”, ka thënë ai.

Lista përfundimtare e individëve, projektet e të cilëve janë përkrahur nuk është publikuar ende. MKRS-ja po ashtu ka paralajmëruar se shpejt do të hapet një thirrje e dytë për përkrahje të projekteve në kulturë e trashëgimi kulturore. Thirrja e parë ishte hapur në prill të këtij viti.

Skema e re e MKRS-së kishte pesë kategori dhe mundësia e aplikimit qe online nëpërmjet platformës “e-Kosova”. Por, telashet për të aplikuar nuk kanë qenë të vogla. Publikisht një numër bartësish të projekteve janë ankuar se ka qenë e vështirë të plotësohen e të ngarkohen formularët me informatat e kërkuara.

Sivjet, për herë të parë kanë hyrë në lojë grantet institucionale duke bërë që OJQ-të e profilizuara në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore sipas kategorisë “Mbështetje për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë euro.

OJQ-të që hyjnë te kategoria “Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 25 mijë deri në 35 mijë euro.

Ndërsa sa i përket kategorisë “Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të aplikojnë OJQ-të dhe individët. Shuma e përkrahjes është nga 10 mijë deri në 20 mijë euro.

“Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj” është kategoria për të rinjtë dhe shuma e përkrahjes është prej 3 mijë deri në 5 mijë eurosh.

OJQ-të dhe individët mund të aplikojnë edhe në kategorinë e pestë “Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ku shuma maksimale e përkrahjes shkon në 10 mijë euro.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, te kategoria “përkrahja e kulturës”, prej ku edhe merren mjetet për thirrjen publike, MKRS-ja ka 2.2 milionë euro si subvencione dhe transfere.