Kulturë

Propozohet që Muzeu Kombëtar i Kosovës të krijojë hapësirë të veçantë për kontributin e grave

Ekspozita bazë e Muzeut Kombëtar të Kosovës e hapur në shkurtin e vitit 2018 përmban eksponate që sjellin dëshmi të periudhave të ndryshme historike e ngjarjeve që i kanë karakterizuar ato.

Në pavijonin e arkeologjisë e po ashtu në atë të historisë, midis eksponateve ka prej tyre që lidhen me gratë. Gjinia nuk ka pasur rol në konceptimin e ekspozitës. Në arkeologji gjenden artefakte të ndryshme, që prej parahistorisë e deri në antikitet, të cilat dëshmojnë se artistët kanë realizuar vepra kushtuar grave. E në pjesën ku rrëfehet historia, sidomos ajo e fundshekullit të kaluar, gjenden uniforma e gjësende të tjera të grave vendëse e të huaja që kontribuuan në çlirimin e Kosovës.

Por një grup i deputetëve të Kosovës duan që Muzeu i Kosovës të shkojë përtej kësaj: të krijojë një hapësirë vetëm për kontributin e grave.

“Sot duhet të dakordohemi për ftesën ndaj Muzeut Kombëtar të Kosovës për krijimin e hapësirave që njohin kontributin e grave në luftë dhe gjatë rezistencës. Dhe të zotohemi se do të ofrojmë gjithë ndihmën e nevojshme. Duke e pranuar e njohur këtë do t’i edukojmë gjeneratat e reja për frymën barazitare”, ka thënë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti. Propozimin e saj ka kërkuar që ta çojë përpara nëpërmjet një rezolute.

“Nëpërmjet kësaj rezolute po bëjmë thirrje që të krijohet hapësira e duhur për shënimin e këtij kontributi”, ka thënë deputetja e cila edhe ka iniciuar që të hënën të mbahet seancë plenare, në të cilën është diskutuar për pabarazinë gjinore. Por projektrezoluta e propozuar nuk është hedhur në votim pasi, sipas vetë iniciueses, është shfaqur nevoja për harmonizimin e saj. Ka mbetur që projektrezoluta të jetë pjesë e rendit të ditës në ndonjë nga seancat plenare të ditëve të ardhshme.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka përkrahur iniciativën. Ai ka thënë se çdo ditë duhet të punohet për barazinë gjinore.

Ka falënderuar gratë deputete për nismën e tyre që kontributi i grave dhe sakrifica e tyre gjatë rezistencës dhe luftës së Kosovës të muzealizohen dhe të ketë një përmbajtje e cila kurohet brenda Muzeut Kombëtar të Kosovës për ta shënuar dhe respektuar këtë lloj sakrifice.

“Ju falënderoj për nismën dhe shpreh nga këtu gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të MKRS-së që bashkë me Muzeun Kombëtar të Kosovës, bashkë me ekspertët e muzeologjisë, muzetë e tjera të vendit tonë dhe shoqërinë civile gjatë javëve dhe muajve në vijim bashkërisht të punojmë për ta krijuar një përmbajtje të dinjitetshme kushtuar kontributit dhe sakrificës së grave gjatë rezistencës dhe luftës në Kosovë”, ka thënë Çeku një ditë para Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsi.