Kulturë

Xhevdet Bajraj, banori i fundit në shtëpinë e shkrimtarëve refugjatë në Mexico City

Xhevdet Bajraj iku në vitin 1999 nga Kosova, me fëmijët në krah për shkak të luftës. Për të frika ishte dëbimi. “Casa Refugio Citlaltepetl”, e vendosur në lagjen Condesa, ka qenë një ndalesë për dekada për ata që kanë filluar nga e para në Mexico City. Tani që të ftuarit kanë ndryshuar dhe nuk është më i pushtuar nga shkrimtarët e vendeve të mëparshme në luftë, por nga dy biblioteka dhe një mori projektesh kulturore, ky pallat përballet me mungesë totale të buxhetit publik për të mbajtur veten.

Shtëpia u ndërtua në vitin 1920. Citlaltepetl ishte shtëpia për republikanët që ikën nga Lufta Civile spanjolle dhe ishin të dëbuarit e parë që qëndruan aty. Shpejt u bë një strehë për shkrimtarët, që lindi si ide më 1998 dhe iu bashkua rrjetit të 25 qyteteve që mundësonin hapësira për shkrimtarët në rrezik, dhe ky në Meksikë ishte i vetmi jashtë Evropës. E gjithë ideja e sistemit erdhi nga shkrimtari Salman Rushdie i persekutuar nga fundamentalistët islamikë. Ai u zgjodh që të menaxhojë rrjetin, organizatën Parlamenti Ndërkombëtar i Shkrimtarëve, dhe mes të gjithave ata zgjodhën pikërisht këtë shtëpi.

Rushdie pati thënë: “Është shumë e rëndësishme që autorët jo vetëm që janë të gjykuar nga fjalët e tyre, por edhe për veprimet e tyre; prej të cilave mund të ndihmojnë kolegët në rrezik”, në kopshtin e Citlaltepetl.

Image

“Casa Refugio Citlaltepetl” e vendosur në lagjen Condesa, ka qenë një ndalesë për dekada për ata që kanë filluar nga e para në Mexico City. I fundit shkrimtar që gjeti strehë në këtë shtëpi, ishte Xhevdet Bajraj (Foto: El Pais)


Poeti shqiptar Xhevdet Bajraj mbërriti në qershor të vitit 1999 me gruan dhe dy fëmijët e tij pasi lanë një Kosovë të shkatërruar. Ata u vendosën në një nga apartamentet, nga ku ai krijoi përmbledhjen e tij të parë dygjuhëshe me poezi, “Lutem për shqiptarët”. “Këtu kam lindur sërish, është hera e parë në 10 vjet që nuk kam frikë se do të më vijnë në derë për të më arrestuar apo vrarë. Meksika është si një ëndërr: hap dritaren dhe ngjyra të shpërthen para syve”, tha ai në një intervistë pas disa muajsh.

Një pjesë e krijimit të tij letrar u shtyp në revistën Línea de Fuga, nga botuesi Philippe Olle-Laprune i cili edhe e udhëhiqte shtëpinë deri më 2017 kur ajo u vu nën kontrollin e Departamentit të Kulturës së qytetit dhe asnjë shkrimtar refugjat nuk mund të shkonte më aty, shkruan elpais.

Kur toka filloi të dridhej më 19 shtator 2017, Lorna Martinez Skossowska ishte 86 vjeç. Ajo e kuptoi se nuk mund të largohej nga ndërtesa e saj dhe pas ca kohe vdiq, por librat e saj lulëzuan. Njerëzit filluan t’i marrin librat nga shtëpia e saj dhe t’i dërgonin në Citlaltepetl që ishte shumë afër shtëpisë së saj. Dhe nga aty u bë një librari e vogël.

Kjo librari e saj ka fqinj, Librarinë e Javier Valdez. Gazetari u vra më 15 maj 2017. Pas ngjarjes, gruaja e tij u detyrua të ikte dhe Citlaltepetl ishte vendi për të filluar nga e para. Në njërën dhomë ajo vendosi librat e Javierit. Gjatë kohës, të tjerë gazetarë dhe botues dhuruan libra të tjerë aty.

Shaomy Medina arriti në Mexico City një muaj më parë dhe është valltar i cili tani relaksohet dhe shijon muzikën aty. Ky lloj projekti u bë esencial për shtëpinë që ofron hapësira për aktivitete kulturore të lidhura me migrimin, refugjatët. Si kthim, kërkohet donacioni. Drejtoresha Maria Cortina thotë se projekti i shtëpisë Citlaltepetl nuk përfundon kurrë, se vazhdon të jetë një vend për refugjatët, gazetarët, migrantët, nënat që kërkojnë fëmijët: “të ndjehen si në shtëpi këtu”.

Xhevdet Bajraj është lindur në vititn 1960 në Kosovë, ndërsa tash jeton në Mexico. Atij i është dhënë statusi i refugjatit falë Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve. Ai pati ikur nga lufta në Kosovë për në Mexico City.