Kulturë

Zgjoi” i rekordeve: 35 mijë bileta për 75 ditë

Rendi nëpër kinematë e vendit për të shikuar “Zgjoin” vazhdon të jetë i gjatë. Kjo ka bërë që filmi nën regji të Blerta Bashollit të vazhdojë e të qëndrojë në repertorët e kinemave, edhe më shumë se dy muaj pas premierës në ekranin e madh. Producenti Yll Uka ka thënë se rekordet e shënuara nga “Zgjoi” janë ogur i mbarë për rrugën që po e pret drejt “Oscarit”

“Filmi ‘Zgjoi’ vazhdon të mbetet një nga filmat më të shikuar në ‘Cineplexx’”, është postimi me të cilën ka nisur ditën rrjeti më i madh i kinemasë në vend. Rreth 200-300 vizitorë në ditë ende ndalojnë te biletaria e “Cineplexxit” për filmin nën regji të Blerta Bashollit. Ishte filmi më i shikuar gjatë 2021-shit. Vendosi rekord sa u përket shitjeve të biletave në vend. Rreth 35 mijë bileta janë shitur qëkur nisi shfaqja e filmit më 22 tetor të 2021-tës.

“Zgjoi” u konsiderua si një rrëfim që shpalos plagët e thella që lufta e fundit vragoi mbi fate njerëzish, duke shërbyer njëkohësisht si frymëzim për mbijetesë. Filmi për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin është i bazuar në rrëfimin e Fahrie Hotit dhe shpërfaq sfidat e grave në mungesë të burrave si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Defrim Puka, menaxher i marketingut dhe komunikimit, ka treguar se vetëm në “Cineplexx” filmi ka 32 mijë bileta të shitura.

“Është filmi më i shikuar i vitit 2021, edhe nëse e krahasojmë me premiera botërore”, ka thënë ai. Ka treguar se filmi i dytë i shikuar me më së shumti bileta të shitura është “Fast & Furious” me 15 mijë bileta.

“Kjo është një arritje goxha e madhe për kinematografinë vendore që të arrijë t’i tejkalojë edhe premierat ndërkombëtare me shitje të biletave brenda një viti”, ka thënë ai, duke shtuar se “Zgjoi” është një film shumë mirë i realizuar dhe interesimi për filmin ende po vazhdon.

“Edhe pse janë bërë gati tre muaj që filmi është shfaqur në kinema po vazhdon që të shikohet me rreth 200-300 vizitorë në ditë dhe prandaj po besoj që do ta mbajmë edhe rreth një muaj në kinema për shkak të interesimit”, ka thënë ai. Sipas tij, ky vit pritet që të jetë shumë i mirë për kinematografinë dhe po ashtu pritet që të ketë premiera shumë të mëdha.

“Pritet të kemi një vit me filma me heronj pasi që presim katër filma prej DC dhe Marvel”, ka thënë ai. Duke u larguar pakëz nga “Zgjoi”, ka shtuar se sjellja e radhës e kësaj kinemaje është filmi “Scream” nën regji të Matt Bettinelli-Olpin dhe Tyler Gillett për të cilin më 13 janar do të organizohet edhe aktiviteti i veçantë “Horror Night”.

Kurse sa i përket “Zgjoit” ka thënë se një numër kaq të madh i të interesuarve i ka tërhequr rrëfimi, por edhe mjeshtëria artistike e treguar nga regjisorja Basholli.

Zhdukja e burrit të Fahrije Hotit në luftë është fillimi i sfidave, vuajtjeve e vështirësive, përballë të cilave heroina e filmit – që portretizohet nga aktorja Yllka Gashi – nuk dorëzohet. Në kastin e filmit janë edhe aktorët: Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami dhe Astrit Kabashi.

Premiera kombëtare e filmit në gusht të 2021-tës kishte ardhur me lajmin se është kandidati i Kosovës për nominim në “Oscarin” e Evropës. E më 21 dhjetor u dha lajmi se “Zgjoi” është në listë të ngushtë për “Oscar”. Kurse më 8 shkurt do të bëhen të ditur 5 filmat e nominuar për filmin më të mirë ndërkombëtar të shpallur nga Akademia Amerikane dhe më 27 mars pritet të mbahet ceremonia kryesore.

Producenti Yll Uka ka thënë se deri tani në total janë mbi 35 mijë bileta të shitura për “Zgjoin”. Filmi përveç “Cineplexxit” – në Prishtinë dhe Prizren – është shfaqur edhe në “Cinemarine” në Prizren dhe që nga 28 nëntori me hapjen e kinemasë “Hyrije Hana” në Gjakovë ishte pjesë e repertorit edhe të kësaj kinemaje. Pas më shumë se tri dekadave “Hyrije Hana” nisi punën në ish-hapësirën e kinemasë së dikurshme në pallatin e kulturës “Asim Vokshi” dhe madje pikërisht me shfaqjen e filmit “Zgjoi”.

“Nga të gjitha kinematë na është thënë se do të vazhdojnë ta shfaqin filmin pasi që ka akoma interesim për të dhe sigurisht që kjo është shumë e mirë për ne si produksion, por edhe për kinematë. Na vjen shumë mirë që publiku vendas është duke e mirëpritur rrëfimin e Fahrije Hotit dhe duke bashkëndier me të. Është një rrëfim inspirues për të gjithë ne”, ka thënë ai. Sipas tij, rekordet e shënuara nga “Zgjoi” janë paralajmërim i mbarë për rrugën që po e pret drejt “Oscarit”.

Një dekadë më parë regjisorja dhe skenariste Blerta Basholli do t’i rrekej punës që me historinë e Fahrije Hotit të endte fijet e projektit për një film. Mes vështirësive jo të pakta gjatë realizimit gjëllinte shpresa që të paktën filmi të kishte premierën në “Sundance Film Festival”. Guximi për të ëndërruar u shpërblye me të madhin festival amerikan të filmit që mbahet në Utah. Nga aty “Zgjoi” doli i stolisur me tre trofe: Çmimin e Madh të Jurisë, atë të Audiencës dhe Çmimin për Regjinë. E ky ishte veç fillimi i hapërimit. Sukseset që u shënuan bënë që Kosova pikërisht me “Zgjoin” të jetë afër “Oscarit” si asnjëherë më parë.