Kulturë

Çerek milioni për 68 vepra, Ministria me çmime çudit edhe artistët

Nëpër botë edhe vepra të ditëve të sotme nëpër ankande shiten me miliona euro e një gjë e tillë nga jo pak kritikë të artit shihet me dyshim. Në Kosovë dihet se nuk ka treg të artit, por edhe mënyra se si Ministria e Kulturës e ka shpërndarë çerek milioni euro për blerje të veprave të artit është shoqëruar me kritika. Ani pse edhe më parë është vlerësuar kjo nismë e MKRS-së, tash, kur ka dalë lista e veprave të blera, aty gjenden artistë që nëpërmjet thirrjes, me paratë e shtetit, shënojnë rekord në çmime. Me çmime që arrijnë deri në shtatë mijë euro për një vepër arti – aq sa muajin e kaluar në Tiranë u shit një vepër e të madhit Ibrahim Kodra – janë çuditur edhe vetë artistët, përderisa mënyra e vlerësimit është një muhabet më vete

Shteti i Kosovës paguan vepra arti deri në 7 mijë euro. Me shifra të përafërta paguan edhe veprat e artistëve që kurrë nuk kanë shitur ndonjë punim të tyre. Bile paguan sa dyfishi i asaj që mund të japë një institucion i artit bashkëkohor në rajon. Kësisoj ka vepruar Ministria e Kulturës nëpërmjet një thirrjeje publike të dizajnuar për të blerë vepra të artit pamor në kuadër të Pakos për ringjallje ekonomike.

Shteti me paratë e destinuara për ta ndihmuar ringjallen pas goditjes nga pandemia ka blerë 68 vepra të artit në vlerë prej 247 mijë eurove. Ka raste kur vepra e dikujt që nuk ka ekspozuar përtej Kosovës është paguar sa e një artisti, veprat e të cilit kanë shëtitur nëpër galeri të Evropës e janë shitur nëpër kryeqytetet evropiane qysh në vitet ‘80.

Krejt kjo situatë për dikë që e di mirë se si shitet e si vlerësohet një vepër arti është neveritëse.

Me thirrjen publike të 8 tetorit Ministria e Kulturës ia ka mësyrë blerjes së veprave të artit nëpërmjet Pakos për ringjallje ekonomike. Ka bërë të ditur që është e interesuar të blejë vepra në 12 disiplina të artit pamor. Ka përcaktuar që veprat do të paguhen prej 1 500 deri në 7 000 mijë euro. Nuk është kërkuar të shihen veprat, por vetëm imazhet e tyre.

Nëpërmjet kësaj thirrjeje MKRS-ja ka bërë të ditur se do të kontribuojë drejt diversifikimit të trashëgimisë së arteve pamore, duke krijuar hapësirë të shprehjes artistike për komunitetet me prapavija të ndryshme kulturore.

“T’i ofrojë publikut të gjerë vendas dhe ndërkombëtar qasje në veprat e fondit shtetëror të artit të Kosovës; të krijojë mundësi për individë, institucione të pavarura dhe publike për të prezantuar fondin shtetëror të artit të Kosovës në kuadër të programeve të kuruara vendore dhe ndërkombëtare; të konfirmojë rëndësinë e veçantë që arti e ka në shoqëri”, janë disa prej objektivave të renditura në thirrje.

Për të vlerësuar aplikacionet janë emëruar dy juri. Në jurinë e parë ishin Zake Prelvukaj, Arta Agani dhe Vesa Sahatçiu. Sipas MKRS-së, treshja ka bërë vlerësimin e projekteve në shkallën e parë. Kurse në shkallën e dytë veprat e përzgjedhura janë vlerësuar nga “juria me përbërje vendore dhe ndërkombëtare”. Treshja Sislej Xhafa, Eleni Laperi dhe Dita Starova-Qerimi.

Nga lista e publikuar del se janë paguar piktura e fotografi deri në 7 mijë euro. Deri në 6 mijë euro janë paguar video-instalacionet. Ka raste kur piktura e një artisti që ka shitur vepra në galeri evropiane qysh në vitet ’80 është vlerësuar shumë më ulët sesa e dikujt që shet për herë të parë.

Aq sa është çmimi rekord që ka paguar Ministria e Kulturës për një vepër arti, aq është çmimi me të cilin muajin e kaluar në një ankand televiziv në Shqipëri është shitur një vepër e maestro Ibrahim Kodrës (1918 – 2006), i konsideruar si njëri prej piktorëve më të njohur shqiptarë i të gjitha kohëve që ka ekspozuar edhe përkrah Picassos, Henri Matisse, Amedeo Modiglianit, Georges Rouaultit e deri te Salvador Dali.

“Instrumentisti rozë”, vaj dhe media mikse në kanavacë, 70 me 60 centimetra e vitit 1974, në nëntorin e sivjetmë u shit për 7 mijë euro.

“Konkurset e tilla janë neveritëse e gërditëse”

Adem Rusinovci është profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë edhe dekan në këtë institucion. Sipas tij, në situata kur pandemia godet vendet sikurse me rastin e koronavirusit shteti duhet të ndihmoje të gjitha kategoritë, përfshirë artistët. Ai ka thënë se konkursi ka qenë një lloj ndihme për artistët dhe për këtë arsye si punonjës i shtetit që ka pagë nuk i është dukur e ndershme të ofrojë ndonjë vepër për ta shitur. Por e ka parë si tejet problematik krejt procesin. Ka thënë se artistët është dashur të ndihmoheshin e jo të hapej thirrje për t’ua blerë veprat.

“Konkurset e tilla janë neveritëse e gërditëse, sipas meje”, ka thënë ai. Fillimisht e ka kontestuar formatin nëpërmjet të cilit janë bërë vlerësimet. “Unë nuk e kam të qartë se si një artist pranon t’i vlerësohet vepra nëpërmjet një fotografie. E pastaj edhe si një anëtar jurie vlerëson nëpërmjet një fotografie”, ka thënë ai. Sipas Rusinovcit, në asnjë vend normal në botë nuk emërohet një juri prej politikës për të blerë vepra që një ditë do të shkojnë në një muze, pasi muzeu duhet t’i bëjë vetë politikat e veta. Ka thënë se prioritet duhet të jetë muzeu i artit e pastaj të blihen veprat. Sipas tij, kur shteti ta ketë muzeun e artit bashkëkohor, ai institucion përcakton se çfarë do të prezantojë dhe organizon blerjen e veprave të artit.

“Si duket edhe këto (veprat e blera v.j.) do të përfundojnë nëpër institucione e deri te ndonjë shtëpi e ndokujt”, ka thënë ai. Si probleme më vete i ka përmendur çmimet me të cilat janë blerë veprat.

“Kam parë çmime astronomike të blerjes që nuk janë as në Evropë. Të shitet një fotografi 6 mijë e 7 mijë euro edhe për gjermanet është shtrenjtë”, ka thënë ai. Ka thënë të ketë dëgjuar se emra eminentë janë larguar nga lista duke mos ua blerë veprat.

“Nëse është ndihmë duhet të ishte lineare për të gjithë artistët, sikurse për kategoritë e tjera”, ka thënë ai.

KOHA vite më parë ka parë një kontratë me të cilën Rusinovci ia kishte shitur Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup skulpturën e tij “Koka”. Ia kishte paguar 3 mijë e 500 euro. Edhe në mesin e artistëve ishte konsideruar si çmim i mirë me të cilin një artist nga Kosova shet vepër jashtë vendit. Rusinovci kishte hapur ekspozitë personale në këtë institucion të themeluar më 1964.

“Me rendësi është që Ministria tash e ka fondin e vet”

Skulptori Luan Mulliqi, i cili është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka thënë se krejt procesin e ka kuptuar si ndihmë për artistët nëpërmjet blerjes së punimeve. Ka thënë se ka menduar që ai vetë dhe të tjerët që kanë paga të rregullta nuk duhet të ofrojnë vepra për t’i shitur.

“Më ka pëlqyer ideja meqenëse MKRS-ja ka nevojë për një fond të vetin të veprave të artit e pastaj edhe Qeveria. Të gjitha ato vepra që janë marrë nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës për institucione duhet të kthehen. Institucionet tona duhet të blejnë vepra nga artistët e jo t’i marrin ato të GKK-së”, ka thënë ai.

Sa u përket kritereve e vlerësimit ka thënë se ka dëgjuar se ka qenë një juri profesionale që e ka bërë zgjidhjen më të mirë që ka pasur mundësi. “Natyrisht që gjithmonë kemi të kënaqur dhe të pakënaqur. Me rendësi është që Ministria tash e ka fondin e vet dhe shpresoj që edhe në vitet në vijim të vazhdojë me blerjen e veprave më të mira”, ka thënë ai. Sipas Mulliqit, është dashur që juria të japë vlerësim financiar e jo MKRS-ja të përcaktojë çmime.

“Çmimet janë pak të çuditshme”

Profesori i Fakultetit të Arteve e artisti Mehmet Behluli nëpërmjet kësaj thirrjeje ka shitur një pikturë të titulluar “17 shkurt 2008”. Është vlerësuar financiarisht shumë më pak se disa piktura të tjera e fotografi. Behluli ka thënë se ka marrë pjesë në këtë proces pasi si iniciativë ishte e mirë.

“Si nismë mund të përshëndetet e si proces ka mundur të shkojë më mirë. Çmimet janë pak të çuditshme. Kush i ka caktuar çmimet? Në botë i cakton tregu e te ne s’ka treg. Janë disa gjëra që të bëjnë të çuditesh”, ka thënë Behluli.

Piktorja Zake Prelvukaj, e cila ka qenë pjesë e jurisë në fazën e parë, ka thënë se procesi ka shkuar shumë mirë. Ka thënë se projekti do të zgjasë pesë vjet.

“Së pari janë shikuar veprat e pastaj i kemi përzgjedhur në mënyrë unanime dhe kemi qenë korrektë. Kanë qenë mbi 400 vepra. Jemi munduar të zgjedhim më të mirat. Fatmirësisht edhe katër vjet do të blihen vepra”, ka thënë ajo. Sipas saj, të dyja juritë kanë qenë korrekte e po ashtu edhe Ministria e Kulturës. Ka thënë se MKRS-ja ka bërë një veprim shumë të mirë duke blerë vepra të artit. Për këtë disa herë ka thënë se i është falënderuese ministrit aktual të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Sa u përket veprave të blera nga Ministria e Kulturës, ende nuk ka ndonjë destinim se ku do të shkojnë. Këtë nuk e ka sqaruar MKRS-ja as në thirrje publike. Aty thjesht është treguar se do të bëjë “pasurimin e fondit aktual shtetëror të artit”. KOHA ka marrë vesh se MKRS-ja është duke shikuar mundësinë që veprat të shpërndahen nëpër institucione shtetërore brenda vendit e edhe në ambasada. Po ashtu MKRS-ja ka kërkuar që përkohësisht veprat të qëndrojnë në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Por GKK-ja është përgjigjur negativisht me arsyetimin se nuk ka hapësirë.

Lista e veprave të 68 artistëve të blera nga Ministria e Kulturës