Tashmë dihet që këngëtarja Rita Ora është çdoherë gati për t’iu bashkuar iniciativave inovatore në skenën muzikore. Ora është e para artiste që në bashkëpunim me “Melrose Media” po nis serinë muzikore të titulluar “Iconic People in Iconic Places” (Njerëz ikonikë në vende ikonike), që do të mbahet në natën finale të “Paris Fashion Week”.
Para pak minutash ka nisur transmetimi premierë i koncertit të saj në të cilin interpreton live në një performancë mahnitëse nga Kulla e Eiffelit në Paris. KOHA ka prerë biletë për këtë dhe do të sjellë detajet.

Krahas lokacionit, këtë koncert e bën të veçantë edhe fakti se shënon kthimin e artistes me një performacë live që nga fillimi i pandemisë. Siç edhe është paralajmëruar, Ora po performon nga maja e Kullës, duke u shfaqur me kostume të realizuara ekskluzivisht për të nga “Fendi”, “Miu Miu”, “Lanvin” dhe “Alexander Vauthier”.
I gjithë koncerti që po transmetohet live është i qasshëm nga çdo shtet në botë.
Dhjetë për qind e fitimeve nga ky koncert do të shkojnë për kampanjën “Soccer Aid” të UNICEF-it. Rita është një nga fytyrat kryesore të UNICEF-it që nga viti 2013, duke punuar me fëmijët refugjatë, kurse e mbështet kampanjën “Soccer Aid” qe dy vjet. Në vitin 2019 ajo është zgjedhur ambasadore e UNICEF-it.
Lexo edhe: