Plani “Patkoi”, për argumentet e qeverisë federale gjermane, kishte vlerë për shkak se rrëzonte tezën e dëbimit “spontan” të kosovarëve nga ana e forcave serbe policore dhe ushtarake, siç pretendohej atëbotë nga përkrahësit dhe miqtë e Milosheviqit në Evropë dhe në Gjermani. Në të vërtetë, për këtë nuk nevojiteshin fare informatat e shërbimeve të fshehta, por duhej të bëhej vetëm rikonstruktimi i veprimeve ushtarake të forcave serbe gjatë kësaj periudhe
Kur pala gjermane u njoftua për “Operacionin Patkoi” – që ekzistonte që nga vjeshta e vitit 1998 dhe i cili më vete përmbante planet për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës – menjëherë ekspertët e Shërbimit të jashtëm gjerman të inteligjencës u kërkuan qasje bullgarëve me qëllim të vlerësimit të këtij materiali. “Pas disa ditësh raportuan se njohuritë e siguruara nga shërbimi bullgar përmbajnë më vete informata mjaft bindëse”, shkroi Fischer në ditarin e tij. Ky plan, shkroi ai, i koduar me emrin “Patkoi”, për argumentet e qeverisë federale kishte vlerë, për shkak se rrëzonte tezën e dëbimit “spontan” të kosovarëve nga ana e forcave serbe policore dhe ushtarake, siç pretendohej atëbotë nga përkrahësit dhe miqtë e Milosheviqit në Evropë dhe në Gjermani. Në të vërtetë, për këtë nuk nevojiteshin fare informatat e shërbimeve të fshehta, por duhej të bëhej vetëm rikonstruktimi i veprimeve ushtarake të forcave serbe gjatë kësaj periudhe. Duke u bazuar vetëm në këto informata publike, në të cilat kishin të gjithë, konfirmohej se spastrimet etnike në Kosovë nuk ishin reagim spontan i serbëve ndaj bombardimeve të NATO-s, por një aksion i cili ishte planifikuar qëmoti dhe me kujdes. Dhe vërtet rikonstruktimi i aktiviteteve ushtarake të forcave serbe, që nga fillimi i luftë në Kosovë, i ngjasonte një plani “Patkoi”, pasi ofensiva me shpejtësi lëvizej përpara nga veriu në drejtim të jugut të Kosovës.
Prej masakrave te plani që shqiptarët të mbeten pa shtetësi
“Politika e Miloshevqit nga viti 1989 pothuajse deri në detaje ishte identike me planin e nacionalistit radikal serb, Vasa Çubriloviq, i cili ishte hartuar në mars të vitit 1937 në Beograd”, shkroi Fischer.
Siç e kanë pohuar më pas edhe shumë studiues, qëllimi i udhëheqësit serb ishte dëbimi me forcë i shqiptarëve të Kosovës prej shtëpive që i kishin pasur me breza duke përdorur metodat më brutale si: vrasjet masive, përdhunimet, plaçkitjet, djegiet dhe terrori, në një shkallë aq të gjerë saqë krahasohej si i pashembullt që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kuadër shteti okupator serb përdori edhe një metodë tjetër bizare, të gjitha dokumentet e identifikimit do të konfiskoheshin me qëllim që shqiptarët të mbeteshin pa shtetësi dhe të bëhej e pamundur rikthimi i tyre në Kosovë. Viktimat shqiptare me qindra mijëra do të dëboheshin në shtetet fqinje të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
“Sigurisht Milosheviqi e llogariti që kjo ‘zgjidhje përfundimtare’ jo vetëm që do ta rriste autoritetin e tij në sytë e popullit serb, por do t’ia garantonte edhe vazhdimin e qëndrimit të tij në pushtet....Gjykata e Hagës e bazoi padinë e saj kundër Milosheviqit mbi një mal dëshmish, përfshirë edhe pohimet e dëshmitarëve okularë nga mijëra refugjatë që kishin parë vrasje, vende të masakrave dhe varre masive. Ajo arriti në përfundim se operacioni ‘Patkoi’ ishte një plan ushtarak i hartuar nga shtabi i përgjithshëm i Beogradit nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Slobodan Milosheviqit”, e përshkroi John G. Stoessinger në librin e tij “Why Nations Go to War” politikën e spastrimit etnik gjatë luftës së Kosovës (1998/99).
Në këtë kuptim bërja publike e planit “Patkoi” shërbeu si legjitimim shtesë për sulmin e NATO-s ndaj Beogradit. Sidoqoftë, përmbajtja e plotë e planit të koduar serb, përmbledhja e të cilit thuhet të ketë qenë në posedim të autoriteteve gjermane dhe të tjera ushtarake dhe të sigurisë, nuk doli kurrë në publik. I vetmi informacion në dispozicion publikisht ishte afërsisht se ushtria jugosllave kishte formuar pozicionet e saj kryesore në formën e një patkoi, fundi i hapur i së cilës do të shtrihej afërsisht në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë fqinje. Nga kjo u konkludua - ndër të tjera nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping, se më 7 prill kishte një provë se “një spastrim dhe dëbim sistematik i shqiptarëve të Kosovës ishte planifikuar qysh në dhjetor 1998, me të gjitha detajet dhe emërtimin e të gjitha njësive jugosllave që do të përdoreshin për këtë qëllim...”.
Ky plan u përmend nga ministrat e atëhershëm gjermanë, Joschka Fischer dhe Rudolf Scharping, ndër të tjera, edhe për të justifikuar më fuqishëm se ndërhyrja ushtarake e NATO-s në luftën e Kosovës kundër Jugosllavisë së cunguar kishte qenë e domosdoshme. Ndërhyrja ushtarake NATO-s kundër Beogradit fillimisht u justifikua me refuzimin e Marrëveshjes së Rambouilletit dhe nevojën e shmangies së katastrofës humanitare në Kosovë, edhe pse në Kartën e OKB-së intervenimi humanitar nuk është sanksionuar në mënyrë të qartë. Për këtë arsye, për më tepër, për shkak se lufta e NATO-s u zhvillua pa një mandat paraprak të KS të OKB-së, shumë kundërshtarë të kësaj ndërhyrjeje ushtarake në Kosovë e kontestuan legjitimitetin e aksionit të NATO-s dhe bashkë më të edhe ekzistimin e një plani të koduar serb me emrin “Patkoi”.
Mamushë, 1999 (Foto: Alban Bujari)
“Më në fund kemi dëshmi për atë se spastrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të Kosovës ishin planifikuar me të gjitha detajet...”
Edhe pse Bundestagu gjerman më 16 tetor 1998 kishte dhënë dritën e gjelbër për mundësinë e përfshirjes së Bundeswehrit në luftën për Kosovën, që paraqiste një vendim radikal dhe një thyerje të tabusë dhe të vetëpërmbajtjes historike gjermane, plani i koduar ushtarak serb “Patkoi” dhe çështja e legjitimitetit të vendimit të koalicioni kuq-gjelbër lidhur me pjesëmarrjen e Bundeswehrit në operacionin e NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur u bënë temë e debateve të shumta në mes pozitës dhe një pjese të opozitës gjermane në Bundestag, si dhe një nga temat më përfolura në konferencat për shtyp gjatë dhe pas luftës. Treshja qeveritare, Schröder-Fischer dhe Sharping u bënë mbështetës të vendimit të NATO-s për ndërhyrje në luftën e Kosovës, madje dhe pa mandatin e Këshillit të Sigurimit, me qëllim që të evitohej katastrofa humanitare dhe të pamundësohej dëbimi i përhershëm i shqiptarëve nga Kosova. Në anën tjetër, një pjesë e opozitës, kryesisht nga e majta radikale, ish-komunistë, si dhe një grup i vogël i pacifistëve nga radhët e të gjelbërve dhe socialdemokratëve shfaqte dyshime për këtë angazhim të ushtrisë gjermane, duke pretenduar se ky veprim shkelte parimet e politikes tradicionale gjermane dhe binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Në një takim të veçantë të Bundestagut më 15 prill 1999 lidhur me luftën në Kosovë, shumica e deputetëve të opozitës dhe ata të opozitës, me përjashtim ata të së majtës ekstreme, u solidarizuan me vendimin e qeverisë federale për të qenë pjesë e ndërmarrjes së përbashkët ajrore të vendeve të NATO-s kundër objektivave ushtarake të NATO-s. Për shkak të kundërshtive të brendshme të grupeve pacifiste, para së gjithash të të majtëve të PDS-it, qeveria e koalicionit kuq-gjelbër mbronte qëndrimin se në javët dhe muajt para fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s bashkësia ndërkombëtare kishte bërë përpjekje për arritjen e një zgjidhjeje politike të çështjes së Kosovës. Po ashtu, qeveria federale iu kundërpërgjigj kritikave se Milosheviqi kishte qenë ai që kishte penguar çdo zgjidhje politike, duke kryer krime ndaj popullatës shumicë shqiptare në Kosovë. Për shkak se ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, mbronte pjesëmarrjen e Bundeswehrit në operacionet ajrore të NATO-s dhe e kishte pohuar ekzistencën e planit “Patkoi”, deputetët e opozitës së majtë nga radhët e PDS-it e quanin si “Kriegsminister“.
“Më në fund kemi dëshmi për atë se spastrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të Kosovës ishin planifikuar me të gjitha detajet dhe emërimet për njësitet pjesëmarrëse jugosllave... Informacionet u morën nga një burim i besueshëm i Shërbimit Informativ. Përpunimi dha një pasqyrë të qartë trishtuese. Unë vendosa që ky plan ‘Patkoi’ të bëhet publik në ditët vijuese”, pati thënë Scharping, i cili ishte kritikuar ashpër në opinion nga kundërshtarët e bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së mbetur.
Rimanishtë, 1999 (Foto: Alban Bujari)
“Jam i tronditur me imazhet e përditshme të vuajtjes së refugjatëve”
Duke diskutuar për gjendjen në Kosovë, kancelari i atëhershëm federal, Gerhard Schröder, para deputetëve të Bundestagut deklaronte: “Udhëheqja jugosllave që nga fillimi ka besuar dhe planifikuar fushatën e spastrimit etnik, një fushatë, dëshmitar të së cilës jemi ne sot. Kjo, të nderuar zonja dhe zotërinj, deri më sot u ka kushtuar me jetë mijëra njerëzve në Kosovë. Jam i tronditur me imazhet e përditshme të vuajtjes së refugjatëve. Ne kemi parë shtëpi të bombarduara dhe dëshmitarët e depërtuar na kanë raportuar neve gjëra të tmerrshme. E gjithë kjo është vepër e ushtrisë dhe policisë ‘jugosllave’. Pa marrë parasysh se cilin ju e takoni apo përpiqeni ta intervistoni, kjo nuk e ndryshon realitetin: Dëbimi dhe vrasjet kishin filluar shumë më herët sesa kur NATO-ja filloi aksionin e saj ushtarak, dhe ajo kishte filluar vetëm që të mund t’u jepte fund deportimit dhe dëbimit.” Ndërsa ministri i Jashtëm, Joshka Fischer, pohonte se plani “Patkoi” mund të quhet si të dëshirohet, por e rëndësishme ishte se ky plan kishte filluar të zbatohej qysh në vitin 1998. Ai bëri thirrje për ta kuptuar saktë intencën e këtij plani duke lexuar biografitë e familjeve shqiptare nga Kosova që ishin vendosur në Gjermani dhe historitë e tyre të dëbimit.
“Zëvendëskryeministri i qeverisë serbe dëshiron dhe synon një Kosovë pa shqiptarë”
“Atëherë do ta kuptoni atë çfarë ka ndodhur një vit më parë dhe në fillim të vitit vitin 1999. Kemi 300 000 mijë të dëbuar brenda Kosovës, kjo do të thotë se gjërat tashmë ishin në zhvillim të plotë. Shesheli, zëvendëskryeministri i qeverisë serbe, dëshiron dhe synon një Kosovë pa shqiptarë. Më tej, ai pohonte se për ta pamundësuar realizimin e kësaj ideje erdhi reagimi i NATO-s, të cilin me zemër të thyer e kishte mbështetur qeveria kuq-gjelbër. Ajo arriti ta ndërpriste katastrofën humanitare, për fat të keq vetëm ta ndërpriste”, kishte thënë Fischer.
Ndërsa deputeti nga radhët e SPD-së, Peter Struk, pretendonte se që nga pranvera e vitit 1998 elita shtetërore serbe në krye me Milosheviqin po zhvillonte një aksion dëbimi dhe të shkatërrimit të fshatrave shqiptare në shkallë të gjerë. Sipas tij, para dhe gjatë marrëveshjes Holbrooke-Milosheviq ishte dizajnuar plani "Patkoi" për dëbimin e shqiptarëve dhe se ishte realizuar derisa bashkëpunëtorët e Milosheviqit ndodheshin në tavolinën e bisedimeve në Rambuje. “Ky plan parasheh shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët. Prandaj, kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë”, kishte deklaruar në Bundestag deputeti Struk.
Rezzo Schlauch, (Aleanca 90/Të gjelbrit), duke shpjeguar se kërkesa e përhershme e të gjelbërve gjermanë “Kurrë më luftë“ nënkuptonte “Kurrë më gjenocid”, kishte thënë prerazi se pengimi ndalohej vetëm me përdorimin e mjeteve ushtarake kundër Milosheviqit, veprim që kontestohej nga disa grupe pacifiste dhe e majta radikale gjermane.