Për kinematografinë e Kosovës 15 qershori do të jetë historik. Është filmi i shkurtër “Pa Vend” i Samir Karahodës, i pari produksion vendor që garon për “Palmën e Artë”. Ishte pikërisht ky regjisor që më 2019 e çoi vendin në “Berlinale”. Tash në festivalin prestigjioz shpalos një tregim për ëndrrat dhe për ata që s’heqin dorë prej tyre, ani pse i ka harruar shteti. Edicioni i 74-t i Festivalit të Filmit në Cannes mbahet prej 6 deri më 17 korrik
Data e 15 qershorit në historinë e kinematografisë së Kosovës ka zënë një vend të veçantë prej së martës mbrëma. Një ekip krejt lokal ka goditur fort. Ka bërë të ditur se e ka çuar Kosovën në një prej festivaleve më prestigjiozë në botë sa i përket filmit: atë të Cannes. Filmi i shkurtër “Në Vend”, nën regji të Samir Karahodës, është bërë pjesë e konkurrencës zyrtare për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër.
Ekipi me producent Eroll Bilibanin ka bërë kthesën e madhe. Për herë të parë një prodhim kinematografik vendor ka hapur dyert e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes tek është futur në konkurrencë zyrtare. Janë dashur 75 vjet, qysh prej themelimit të Festivalit, që një ekip kinematografësh vendorë të dorëzojë produktin e vet në Cannes dhe të marrë dritën e gjelbër se është në garë për çmimin prestigjioz.
“Pa Vend”, film i zhanrit “docu-fiction” përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të pingpongistëve
Kosova sivjet do të përmendet edhe për projekte të tjera në këtë festival. Por lajmi për “Pa Vend” në raport me datën 15 qershor ka edhe një simbolikë tjetër. Në këtë datë është shënuar përvjetori i 11-të i vdekjes së të parit aktor nga Kosova që kishte shkuar në Festivalin e Cannes, Bekim Fehmiu.
Karahoda: “E bëmë edhe një histori...Cannes dëshmi e fortë”
Rrëfimi i Kosovës në Cannes do të jetë në konkurrencë me 9 filma të tjerë. Nga gjithsej 3739 që kanë qenë në konkurrence, selektorët kanë përcaktuar që 10 të jenë në garë. Në edicionin e sivjetmë të Festivalit, “Në Vend” do të ketë konkurrencë filmin “North Pole” nga Maqedonia e Veriut, “In the Soil” nga Danimarka, “Orthodontics” nga Irani, “The Right Words” nga Franca, “Through the Haze” nga Portugalia, “Sideral” bashkëprodhim braziliano-francez, “All The Crows In The World” nga Hong-Kongu, “August Sky” bashkëprodhim braziliano-islandez dhe “Absence” nga Kina.
Rrëfimi i ekipit kosovar shtjellon suksesin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni “Lidhja e Prizrenit” duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. “Pa Vend”, film i zhanrit “docu-fiction” përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të pingpongistëve.
“Personalisht i uroj dhe përgëzoj anëtarët e klubit të pingpongut ‘Lidhja e Prizrenit’ në krye me trajnerin Rifat Rifati për sukseset e tyre pavarësisht rrethanave, të cilët akoma vazhdojnë stërvitjet në kushte jonormale. Është një histori unike, një rrëfim për dashurinë ndaj sportit dhe një luftë e heshtur ndaj diskriminimit. Vlerësimi nga një festival siç është Cannes na bën edhe më krenarë si ekip dhe dua t’i falënderoj të gjithë për kontributet e tyre individuale”, ka thënë fillimisht regjisori Samir Karahoda nëpërmjet një komunikate për media. Aty është sqaruar se qasja e ekipit ndaj këtij rrëfimi u jep hapësirë për të shprehur shqetësimin e shoqërisë për një ndjenjë të përgjithshme të pashpresës që përshkon jetën dhe me të cilën ballafaqohet shoqëria edhe sot.
Samir Karahoda: “E bëmë edhe një histori për kinematografinë e Kosovës kur dimë se çfarë festivali është, ku vetëm 10 filma janë zgjedhur nga e gjithë bota”
“Në një rrugëtim të veçantë kinematografik, ky film na sjell në ditët e sotme, duke vënë në pah ngecjen dhe injorimin e institucioneve karshi sporteve të vogla, solidarizimin qytetar dhe këmbënguljen kundrejt dorëzimit”, ka sqaruar ekipi.
Regjisori Samir Karahoda tashmë është i njohur në botën e filmit. Më 2019, në edicionin e 69-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin filmi i tij “Në Mes” ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Edhe asokohe bëri histori. E dërgoi Kosovën për herë të parë në garë zyrtare në “Berlinale”.
Të martën mbrëma Karahoda ka thënë për KOHË-n se është tejet i emocionuar.
“E bëmë edhe një histori për kinematografinë e Kosovës kur dimë se çfarë festivali është, ku vetëm 10 filma janë zgjedhur nga e gjithë bota”, ka thënë ai. Sipas tij, fakti që “Pa Vend” është në Cannes, jep një dëshmi të fortë.
“Është dëshmi se vendi jonë ka vlera dhe ka krijues, se filmi është bërë me ekip lokal”, ka thënë ai. Ka treguar se bëhet fjalë për një tregim të bazuar në ngjarje të vërtetë.
“Është tregim që duhet ta shohim të gjithë se çfarë njerëz luftarakë kemi kur duan të bëjnë diçka edhe kur nuk e kanë përkrahjen e shtetit”, ka thënë ai për filmin për të cilin është punuar nga shtatori deri në prill. Ka thënë se i dedikohet rinisë së Kosovës, sidomos talentëve të sportit. “Është fotografia më e mirë e këtij vendi. Ata shfrytëzohen nga politika vetëm për mburrje. Qëllimi është që t’i sensibilizojmë shoqërinë dhe institucionet që nëse nuk investohet në të ardhmen e rinisë sonë, ajo do të zgjedhë rrugë të tjera. I dimë ato rrugë. Janë të gabuara”, ka thënë Karahoda. Njëri prej personazheve është mik i tij dhe regjisori ia njeh nga afër sakrificat që ka bërë.
“Ata e kanë pasur ëndërr që të luajnë në gara ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Bilibani: “Nuk bën t’iu ndërpriten njerëzve ëndrrat”
Në ekipin e filmit bëjnë pjesë edhe montazheri Enis Saraçi, disenjatori i zërit Memli Kelmendi, xhiruesi i zërit, Gëzim Rama e “Pa Vend” është produksion i shtëpisë filmike “SK Pictures”.
Producenti Eroll Bilibani fillimisht nëpërmjet komunikatës ka thënë se kanë arritur të krijojnë një lidhje të veçantë me gjithë ekipin e pingpongut që ishte pjesë e produksionit.
“Një gjë që na bashkonte ishte dëshira e madhe që të bëjmë më të mirën sipas mundësive tona. Në korrik, në tapetin e kuq të Cannes, ekipi ynë i filmit dhe pingpongistët që asnjëherë nuk u ‘dorëzuan’ do të ecin në tapetin ku kanë lënë gjurmë Bekim Fehmiu e Arta Dobroshit. Por këtë herë është me një film nga Kosova, që është duke i vendosur themelet e valës së re të filmit nga një vend i vogël me ëndrra të mëdha”, ka thënë ai.
Për KOHËN ka treguar se edhe pse më herët e kanë ditur se janë përzgjedhur të jenë pjesë e Festivalit, kur është publikuar lajmi, është përballur me një emocion të veçantë.
“Më janë prerë këmbët. Nisi të më rrahë zemra më shpejt duke më kapluar emocione që nuk përshkruhen”, ka thënë ai. Ka përmendur faktin se për herë të parë Kosova është pjesë e konkurrencës zyrtare në Cannes. Ka thënë se me Karahodën një herë kanë thyer akullin në “Berlinale” e tash edhe në Cannes.
“Aty kemi vetëm dy shqiptarë të Kosovës: Bekim Fehmiun dhe Arta Dobroshin. Tash ne po shkojmë me një tregim kaq të rëndësishëm për vendin, ndoshta do t’ju ndihmojmë të gjithë talentëve të rinj që kanë potencial dhe nuk po u ofrohet mundësia. Ne po duam të themi se nuk bën që t’iu ndërpriten njerëzve ëndrrat”, ka thënë ai. Ka thënë se Kosova do të jetë një nga liderët e kinematografisë botërore kur merren parasysh sukseset e sivjetshme.
Filmin 15-minutësh “Pa Vend” që kishte titull pune “Table Stories”, Qendra Kinematografike e Kosovës e ka përkrahur me 15 mijë euro.
“Kjo arritje fillimisht është madhështore për regjisorin Karahoda dhe për gjithë ekipin. E për kinematografinë është vula më e mirë e suksesit”, ka thënë drejtori i QKK-së, Arben Zharku.
Kosova sivjet në Cannes do të jehojë goxha.
Është 20-vjeçarja Luana Bajrami e cila është bërë regjisorja më e re që në një hark gjysmëshekullor të historisë së “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes, do të shfaqë filmin e saj. “Luaneshat e Kodrës” do të jetë filmi i parë i metrazhit të gjatë nga Kosova që do ta shfaqë premierën në një ndër festivalet me prestigjioze në botën e filmit. Pasi që “Luaneshat e Kodrës” shënon filmin e parë të Bajramit, ajo ka mundësinë që të dalë edhe me çmim nga Festivali i Cannes, ani pse nuk është pjesë e garës zyrtare. “Caméra d’Or” (Kamera e artë) është çmim të cilin Festivali i Filmit në Cannes e ndan për një nga seksionet e tij – përzgjedhjen zyrtare, “Directors' Fortnight” apo “International Critics Week”. Është themeluar në vitin 1978 dhe ndahet gjatë ceremonisë përmbyllëse të Festivalit, nga një juri e pavarur. Edicioni i sivjetmë mbahet prej 6 deri më 17 korrik.
E historia e Festivalit të Filmit në Canes dhe aktorëve e regjisorëve shqiptarë shtrin rrënjët shumë vjet më parë. Në vitin 1967, në këtë festival, filmi “Mbledhësi i puplave”, ku luan Bekim Fehmiu, kishte triumfuar duke fituar Çmimin e Madh të Jurisë dhe Çmimin FIPRESCI. Pastaj është aktorja Arta Dobroshi, e cila shkëlqeu me personazhin e Lornës në filmin madhështor “Heshtja e Lornës” në vitin 2008, rol për të cilin ishte nominuar në Festivalin e Cannes. Kësisoj, Dobroshi u bë aktorja e parë nga Kosova që eci nëpër qilimin e kuq të këtij festivali. E në vitin 2019 ishte filmi i shkurtër “The Van” (Furgoni) i regjisorit Erenik Beqiri, me aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, i cili u shfaq premierë botërore në edicionin e 72-të të Festivalit të Cannes. Shënoi edhe një rekord për kinematografinë shqiptare, pasi që u bë filmi i parë shqiptar që konkurroi për çmimin prestigjioz, “Palma e Artë”.
Rrëfimi i ekipit kosovar shtjellon suksesin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni “Lidhja e Prizrenit” duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme