Të gjalla janë shenjat e krimit ndaj familjes Berisha në Suharekë, e do të vazhdojnë të jenë të tilla. Lokali ku u vranë e u dogjën anëtarë të kësaj familjeje është transformuar në muze të kujtesës. Është një objekt i vogël por që dëshmon një tragjedi të madhe
Në vendin ku 22 vjet më parë forcat serbe kishin kryer masakrën ndaj familjes Berisha në Suharekë, të premten është hapur Muzeu i Martirëve të kësaj familjeje. Lokali ku pak kohë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s forcat serbe kishin futur për t’i vrarë e djegur 52 anëtarët e familjes Berisha, është transformuar tani në muze të kujtesës për 49 anëtarët e vrarë, prej të cilëve 19 viktima kanë qenë të moshës nën 18-vjeçare. Ndërkohë që si të pagjetur ende figurojnë 20 viktima të kësaj masakre. Aty janë ekspozuar reliktet që u takonin këtyre viktimave, e që pjesët e tjera në lokal janë lënë të paprekura për të dëshmuar krimet e luftës të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës civile.
Me rastin e shënimit të 22-vjetorit të kësaj masakre, në shenjë kujtimi dhe respekti për viktimat, krahas hapjes së Muzeut të Martirëve të Familjes Berisha, janë bërë edhe homazhe tek Kompleksi Memorial.
Halit Berisha, njëri prej anëtarëve të kësaj familjeje, ka theksuar se më 26 mars të vitit 1999 është bërë krimi më i madh ndaj një familjeje.
“Të gjithë këta janë viktima civile të regjimit kriminal serb”, ka thënë Berisha, duke theksuar se forcat serbe në fushatën e tyre janë ndihmuar nga serbët lokalë. Berisha ka bërë të ditur se në këtë masakër, që ka ndodhur në qytetin e Suharekës, janë vrarë 49 persona, prej të cilëve 19 kanë qenë fëmijë nën moshën 18-vjeçare. Sipas tij, masakrës i kanë mbijetuar Gramoz, Vjollca e Shyhrete Berisha.
“Na mungojnë si të pagjetur edhe 20 të tjerë. Prej tyre 10 janë fëmijë. Po i kërkojmë pandërprerë që nga paslufta. Ndërsa Serbia nuk do me u përgjigj se ku i ka çuar”, ka deklaruar Berisha, teksa ka shtuar se shpreson vetëm në presionin e shtetit amerikan për ta bindur Serbinë që t’i hapë dosjet sekrete dhe të zbulojë vendndodhjen e të pagjeturve.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka theksuar se nga faktori ndërkombëtar pret që të angazhohet më shumë për kthimin e trupave të fëmijëve, që ende figurojnë si të pagjetur. “Kërkojmë drejtësi”, është shprehur shkurt ai.
Në anën tjetër kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur bindjen se dhimbja për këto humbje jetësh është prezente sot e kësaj dite.
“Dhimbja është e gjallë, edhe pse kanë kaluar kaq vite; jeton kjo dhimbje, jo vetëm te familjarët, të cilëve ju mungojnë më të dashurit, në këtë rast edhe fëmijët. Është e dhimbshme e vërteta, që ende trupat e tyre nuk janë kthyer, ende nuk dihet për fatin e tyre”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, këto ditë janë ditët e dhimbjes, jo vetëm në Suharekë dhe te Berishët, por kudo në Kosovë ku ka martirë. Njëherësh ka vlerësuar përpjekjet e autoriteteve lokale për t’u kujdesur për vendet përkujtimore të martirëve dhe dëshmorëve.
Gjatë ditës edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te obelisku i të vrarëve të familjes Berisha në Suharekë. Ai bashkë me një delegacion ka vizituar edhe Muzeun e Martirëve të Familjes Berisha. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, pas homazheve Kurti ka deklaruar se ky muze i kësaj masakre “është jeta jonë, është e kaluara jonë e pashlyeshme, traumatike, që sot shënon një plagë që kullon, plagë të hapur, për shkak se nuk ka ende drejtësi për viktimat dhe as gjykime e dënime të kriminelëve serbë”.
“Nuk mund të kemi të ardhme të sigurt, nuk mund të kemi paqe e qetësi përderisa nuk e kemi drejtësinë e cila jo vetëm që na është mohuar, sepse na është vonuar, por për shkak se nuk ka filluar ende”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.
Pasi ka vizituar Muzeun, ka lënë edhe një shënim për të në librin e vizitorëve.
“Ky muze është jeta jonë dhe e vërteta e Serbisë. Për jetë të mirë dhe të ardhme të sigurt nevojitet drejtësia”, ka shkruar ai.
{gallery}
Në Muzeun e Martirëve të Familjes Berisha në Suharekë janë ekspozuar reliktet që u takonin viktimave të kësaj familjeje e pjesët e tjera në lokal janë lënë të paprekura për të dëshmuar krimet e luftës të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës civile