Kulturë

I pari Skënderbe në Kosovë

Ishte 13 prilli i vitit 1968, kur në shkollën e mesme në Kaçanik do të zbulohej busti i Skënderbeut. Kishte nxitur të madh e të vogël në Kaçanikun e fundviteve ‘60 që të interesoheshin më shumë për figurën më të rëndësishme të historisë shqiptare – deri atëherë pak të njohur në mesin e shqiptarëve të Kosovës së ripushtuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Edhe atëherë, edhe sot, i pari bust i Skënderbeut zbërthehet jo vetëm si “përpjekja e parë me tredimensionalizu prezencën e Skënderbeut si kult dhe si kulturë”, por edhe përpjekja e vetënjohjes, krenarisë, identitetit

Ylber Hysa po e shikonte me sytë katër arsimtarin e artit figurativ teksa po ia jepte argjilës formën dhe imazhin e kryeheroit të shqiptarëve. Babai drejtor, Bedri Hysa, ia kishte besuar Musa Mehmetit punimin e bustit të parë të Skënderbeut në Kosovë. Në Kaçanikun e grykës. Ishte pranvera e hershme e vitit 1968.

“E mbaj mend si fëmijë artistin duke punuar përditë në një hapësirë afër shkollës”, kujton Ylber Hysa, ambasador i Kosovës në Mal të Zi. Komuna e Kaçanikut katër vjet më parë kishte marrë vendim që të hapej gjimnazi, por gjithçka nisi të jetësohej në vitin 1967/68, kur në bankat e shkollës do të uleshin 75 gjimnazistët e parë – shtatë prej tyre vajza. Shkolla e mesme fillimisht do të vendosej në klasat e fillores “Emin Duraku”. Ama vëmendjen e opinionit lokal do ta rrokte emri i shkollës së re.

“Unë, që isha i vetmi person zyrtar, e pagëzova gjimnazin me emrin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeu”, kujtonte më 2004 Bedri Hysa, në shkrimin përmbledhës, në hyrje të monografisë së gjimnazit, “Skënderbeu” në Kaçanik.

Pas disa muajsh, krejt diskutimi në qytezë do të kishte në bosht bustin e shkollës së re.

Marrëveshja “sekrete”

“Baba im ka bërë një përpjekje të madhe për ta vendosur edhe skulpturën e Skënderbeut në Kosovë”, kujton përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në shtetin fqinj. Ai gjatë një bisede telefonike nga Pogdorica përmbledh atë që e quan marrëveshje të heshtur ndërmjet Bedri Hysës dhe njërit prej ish-funksionarëve të Kosovës së fundviteve gjashtëdhjetë.

“... dhe marrëveshja ka qenë përafërisht kjo: Nëse del problem, atëherë është problem vetëm për babën tim, do të thotë ai e merr përgjegjësinë. E nëse... (ndalet pak gjatë bisedës e qeshet Hysa, v.j.) nëse ka sukses, atëherë krijohet një lloj trashëgimie që munden me përcjellë të tjerët. Domethanë kështu ka qenë marrëveshja edhe me Ilaz Kurteshin”, thekson ai. “Domethënë baba jem e ka marrë përgjegjësinë dhe nëse do të ketë reagime”.

Pas rënies së liderit famëkeq, Aleksandar Rankoviq, në Kuvendin e Brioneve më 1966, Jugosllavia ua kishte liruar pak shqiptarëve lakun në fyt. Megjithatë, dora e shtetit ende zhbironte kudo në viset shqiptare në Jugosllavi. Ndihej edhe në qytetin që krenohet me vargjet “Kaçanikut i raftë pika/qysh s’e di se çka është frika”.

Vetë Bedri Hysa përshkruan në monografi se si kaçanikasit e shihnin hapjen e shkollës dhe përurimin e bustit të Skënderbeut si një dritare shprese për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavinë që pas dy dekadash do ta niste shpërbërjen e përgjakshme.

“Me arsimtarin, Musa R. Mehmeti, u pajtuam që ai ta bëjë bustin e Skënderbeut. Atë unë e pata nderin që ta zbuloj më 13 prill 1968. Më duket se ky ishte busti i parë i heroit tonë kombëtar në Kosovë”, kujton Bedri Hysa në shkrimin që në pleqëri do ta radhiste në makinë shkrimi.

Nxënës i gjeneratës së parë të “Skënderbeut” ishte edhe veterani i arsimit, Remzi Çaka. Ai spikat momente nga ceremonia madhështore. Ai përshkruan me entuziazëm frymën që po dominonte jo vetëm në mesin e shkollarëve.

“Aq më fuqishëm që përurimi i këtij monumenti historik është bërë me rastin e kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut; me një ceremoni madhështore, tok me nxënësit e gjeneratës së parë të këtij gjimnazi, me këshillin e arsimtarëve dhe masën popullore, e në prani të mysafirëve të shumtë, të ftuar nga Komuna e Kaçanikut, përkatësisht kryetari Sali Bajra, i cili mban edhe fjalën kryesore, motivuar nga ai çast dhe roli historik e legjendar i Skenderbeut”, tregon Çaka. “Ky fjalim, edhe aty për aty, u denoncua nga aktorët partiakë e të Sigurimit të atëhershëm Shtetëror”.

Kërkesa e ‘68-s për vendosjen e Skënderbeut në Prishtinë

Muaj më parë në kryeqendrën e Kosovës – që do t’i duheshin edhe gjashtë vjet derisa të merrte statusin e Krahinës Autonome – ishte organizuar simpoziumi shkencor kushtuar kryeheroit. Aty ishin hedhur edhe farat e para të bashkëpunimit shkencor e kulturor ndërmjet Prishtinës e Tiranës.

Qysh atëherë Bedri Hysa ngulmonte se Prishtina duhet t’ia ndante vendin e nderit shtatores së prijësit shqiptar të mesjetës. “Atë vit, me rastin e 500-vjetorit të heroit, Konferencës në Prishtinë i pata dërguar telegram përgëzimi me propozimin që të ngrihej shtatorja e Skënderbeut në qendër të Prishtinës. Pra, nga Kaçaniku më 1968”.

Teksa i kthehet rolit të babait, diplomati Ylber Hysa vlerëson se busti i Skënderbeut në qytezën juglindore ishte përpjekja e parë për ta përjetuar si një kult, “sepse edhe atëherë as që është ditur fort (për Skënderbeun.v.j. Praktisht është monumenti i parë në Kosovë. Ka qenë përpjekja e parë me tredimensionalizu prezencën e Skënderbeut si kult dhe si kulturë”, thekson ai.

“Ajo ka qenë historikisht një periudhë mjaft interesante, bëhet fjalë pas rënies së Rankoviqit më 1966 dhe praktisht është një përpjekje e parë me etablu Skënderbeun si kult, sepse deri atëherë nuk është përmendur, domethënë dhe nuk ka pasur ndonjë shënim për të”, thotë Hysa.

Historiani i kthyer në përfaqësues shteti në ish-Republikën jugosllave të Malit të Zi thotë se – sikur i referohet ai – periudha postrankoviqiane, kryesisht e viteve ‘70, etabloi kulturën e përpjekjes, të njohjes dhe shprehjes së vetë shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Në këtë rrafsh përmend si suksese të mëdha rihapjen e Institutit Albanologjik, hapjen e Universitetit të Prishtinës, themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe hapjen e Bibliotekës Universitare, të cilën do ta drejtonte edhe babai i tij

“...mundesh me e quajtë periudhë e artë që vlen deri më ‘81, ose kushtimisht deri më ‘89, praktikisht janë vendosur institucionet që merren me identitetin, që praktikisht është pjesë e atij zgjimi dhe nëse doni, pjesë e atij zgjimi është edhe përpjekja për me kërku ma shumë të drejta politike”, thotë ai.

Çaka, i cili më vonë do të kthehej në “Skënderbeun” e Kaçanikut si profesor e si drejtor, thotë se politika e atëhershme shoviniste jugosllave, do t’i dënonte më vonë politikisht e me burgosje gjeneratën e parë të gjimnazistëve vetëm për faktin se kishin kërkuar që serbishtja të mësohej veç si lëndë zgjedhore.

Barsoletat e para për Skënderbeun

Shpalosja e bustit të Skënderbeut kishte nxitur të madh e të vogël në Kaçanikun e fundviteve ‘60 që të interesoheshin më shumë për figurën më të rëndësishme të historisë shqiptare – deri atëherë pak të njohur në mesin e shqiptarëve të Kosovës së ripushtuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Rëndësia që po i kushtohej “zbulimit” të prijësit arbëror, Hysa në retrospektivë e përmbledh si “një vetënjohje dhe një krenari”.

“...bile nëse më lejon, mundem me tregu si barsoletë: Baba më tregonte se si kaçanikasit, njerëzit e thjeshtë, atë ditë, thoshin se Skënderbeu ia ka k’jtë nanën Gjergj Kastriotit”, rrëfen me qeshje Hysa, duke ndërprerë për disa sekonda njërin prej rrëfimeve të “kthimit” të parë të Skënderbeut në Kosovë. Menjëherë merr qëndrim serioz: “Po du me thanë se është ajo përpjekja, si të thuash, ajo përpjekja e vetënjohjes, e krenarisë, e identitetit me të cilin shqiptarët kanë bërë përpjekje me iu kthy vetes”.

Përpjekja e madhe ishte nismëtuar nga rilindasit qysh në shekullin nëntëmbëdhjetë, kur popujt e Evropës po krijonin shtetet e tyre kombe. Nuk kishte figurë që rrezatonte më shumë përndritje e shpresë për përbashkimin e shqiptarëve.

“Skënderbeu është kthyer në historinë shqiptare në Rilindje, rilindasit e kanë kthyer si një vetënjohje, në përgjithësi në Ballkan, por për shqiptarët, sidomos në shekullin nëntëmbëdhjetë, Skënderbeu ishte konsensus për bashkim”, thotë ai. “Në idenë për shtetin shqiptar, Skënderbeu ka qenë figura më konsensuale, duke pasur parasysh edhe rolin që kishte me Besëlidhjen e Kuvendit të Lezhës për bashkimin e shqiptarëve, për shtetin shqiptar në mesjetë”.

Ibush Vishi, drejtor aktual i “Skënderbeut”, tregon në monografi fotografinë e vetme të shpalosjes së bustit të Skënderbeut nga Bedri Hysa më 1968. Thotë se ka edhe një shkrim në njërin prej numrave të atëhershëm të gazetës së vetme “Rilindja”, për ceremoninë e bujshme. Por i vjen keq që busti prej argjile i Mehmetit nuk i rezistoi dhëmbit të kohës.

“Monumenti i Skënderbeut i asaj kohe, punuar në argjilë, me kalimin e kohës u dëmtua edhe vetvetiu, sikundër që edhe fillimisht nuk u kishte shkuar për shtat forcave aktuale regresive komuniste”, thekson Vishi.

Nga “Skënderbeu” në “Mareshalli Tito” dhe anasjelltas

Megjithatë, rrëfimet për atë moment historik për qytezën dhe jo vetëm u kanë rezistuar edhe kohërave të pastajme të turbullta, duke rrokur edhe vëmendjen e gjimnazistëve të lirisë, që ngjiten e lëshohen shkallëve sipër të cilave shkruan kuqezi: “GJIMNAZI SKËNDERBEU KAÇANIK”. Me shumë sfida do të përballeshin nxënësit para luftës. Sidomos gjatë viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë.

Nga viti 1973, pas të ashtuquajturave “reforma dhe eksperimente të kohës, dy shkollat e mesme, ‘Voskopoja’ dhe ‘Skënderbeu’, u fuzionuan, ndërsa sipas diktatit të politikës ditore u riemërtuan me emrin e përbashkët ‘Mareshali Tito’”, shkruan në “Historikun e shkollës”.

Gjimnazistët e mësimdhënësit pas dëbimit më 1991 nga shkolla dhe mësimit në shtëpi-shkolla deri në vitin shkollor 1996/97, kur “nxënësit dhe arsimtarët e shkollës së mesme ‘Skënderbeu’ provokuan rikthimin në lokalet e rregullta shkollore, me ç’rast pushteti okupator u detyrua të heshtte. Por objektet ishin dëmtuar shumë. U desh një aksion i gjallë popullor-fizik e financiar që të rehabilitoheshin objektet”.

“Në respekt të Kryetrimit e për nder të tij e të gjeneratave tona, përgjatë gjithë kohërave, po ashtu edhe gjimnazi ‘Skënderbeu’ i Kaçanikut, që nga themelimi, më 1967/’68 e deri më sot, me nder e krenari e mban emrin e tij”, thotë Vishi, drejtori aktual i “Skënderbeut”, në ndërtesën e shkollës së përuruar më 1972, kur ishte zgjeruar e pavarësuar gjimnazi i Kaçanikut pas shumë sfidash fillestare. Me vendosmëri kërkon që fjala “Kryetrimi” t’i shkruhet me të madhe.

“Rilindja” dhe shuplakat

Pas përfundimit të luftës çlirimtare, me idenë e pashuar edhe për monumentin e Skënderbeut, duke vazhduar nën drejtimin e profesorit Çaka, përkrahur nga udhëheqja komunale, “Skënderbeut” përsëri i “rilind” busti në oborr, më 2 mars 2003, me autor skulptorin tiranas, Artan Peçini, tregon Vishi. Atëherë ishte vendosur që edhe dita e shkollës të shënohej çdoherë më 2 mars, kur ishte mbajtur Besëlidhja e Lezhës më 1444.

“Për fat e për koincidencë, edhe në shpalosjen e këtij busti, pas 35 vjetësh, marrin pjesë edhe ish-kryetari i Komunës, Sali Bajra, dhe ish-drejtorët e gjimnazit, Bedri Hysa e Latif Nallbani”, rrëfen Vishi.

Pranë e prapa bustit ngrohin trupat gjimnazistët ulur në stola të enjten. Një mirëmbajtës heq letrat e produkteve ushqimore të hedhura nga nxënësit. Të tjerët, vajza e djem, luajnë futboll në fushën me rrethojë.

Por vite më parë shumëkush u trondit kur po qarkullonte me të madhe në internet një videoxhirim i një të riu të radikalizuar kaçanikas që po e rrihte shuplaka bustin e ri. Kaçaniku me rrethinë ishte njëri prej vendeve më të prekura nga numri goxha i lartë shqiptarëve që i ishin bashkuar “Shtetit Islamik në Siri dhe Irak”.

“Çfarë ka qenë shokuese për mua si historian, si djalë i Bedriut, ishte kur njëri prej këtyre radikalëve islamë ka dalë me një xhirim që i ka pasë mëshu shuplakë. Domethënë pikërisht Kaçaniku ka qenë vendi ku janë promovu këto vlera, dhe shihne çfarë do me thënë përmbysja e një nocioni të tillë”, thekson Ylber Hysa.

Poshtë bustit të ri, në bazament, shkruan: “Lirinë nuk jua solla, e gjeta në mesin tuaj”. Prapa tij, djem e vajza vazhdojnë të luajnë bashkë. Herë futboll, herë basketboll. Prania e ekipit të gazetës nxit vëmendjen e shumë prej tyre.

Image
Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare, me idenë e pashuar edhe për monumentin e Skënderbeut, duke vazhduar nën drejtimin e profesorit Remzi Çaka, përkrahur nga udhëheqja komunale, “Skënderbeut” përsëri i “rilind” busti në oborr, më 2 mars 2003, me autor skulptorin tiranas, Artan Peçini

Visha e Çaka besojnë fort se historia e kryeheroit do t’u mbijetojë të gjitha sulmeve, sikur u ka mbijetuar për qindra vjet pavarësisht përpjekjeve të shpeshta. Nganjëherë edhe nga vetë shqiptarët. Të njohur e të panjohur.

“Bazuar në këtë ideal të brezave, në këto peripeci të njerëzve të gjallë, të figurave historike e të monumenteve, veçanërisht sot, kur njohim dhe përjetojmë frytet e lirisë, është vështirë që njeriu i ndërgjegjshëm të dëgjojë, të shohë e të goditet nga goditjet joparimore, injorante e hiç më pak edhe djallëzore, kundër këtyre figurave e kategorive historike të lashta e aktuale”, thekson Vishi.

“Po kur absurdi shkon edhe deri te mohimi i Kryheroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, për të cilin janë shkruar mbi 1000 vepra e në mbi 40 gjuhë të botës, veprimi merr edhe konturat dhe dimensionet më të qarta kriminale kundërhistorike”, shton ai, duke vlerësuar se “vetëdija po thërret bashkë identitetin tonë…”

Çaka e Vishi thonë se figura e Skënderbeut dhe misioni i tij për atdheun dhe Evropën e lirë duhet të shërbejnë si përkujtesë për intensfikimin e shqiptarëve për bashkim dhe integrim evropian.

“Kontributi dhe heroizmi i pazëvendësueshëm i Skënderbeut na ka mbajtur gjallë dhe na ka frymëzuar me shekuj, sikundër edhe sot. Pra, edhe në Kaçanik, me bustin e tij, i pari në Kosovë”.

Lexoni edhe: