Kulturë

Artisti me të vërtetat e botës reale

Viti 2020 vetëm dy muajt e parë i kishte normalë, sikur bunaca para një stuhie në det. Kusuri tjetër filloi e mbaroi nën diktatin e murtajës moderne me izolim, ankth e statistika të vdekjeve me një kurbë të çmendur. Por dikush përsiat edhe përtej kësaj përditshmërie, për universin që nuk ka asgjë statike, që është prore në lëvizje në drejtim të kompleksitetit edhe më të madh e ndryshimeve të pafundme. Këtë dritare botëvështruese ka muzikanti dhe kompozitori i njohur Ilir Bajri, i cili i mëshon asaj që ideja e “normalitetit” shpesh është iluzore, gjithnjë për po të njëjtën arsye.

“Besoj se nevoja jonë për ‘normalitet’ është vetëm manifestim i prirjes së vazhdueshme për organizim më të mirë të shoqërisë njerëzore dhe balancimit të nevojave të jetës në raport me natyrën e fenomeneve të saj”, thotë ai.

Asgjëmangut ndryshe nga një skenar distopik i një regjisori me trille, ndjesia e “fundit të kohërave” mes çekanit e kudhrës së emergjencave bëri që edhe shtetet më të forta të shtrëngonin rripin nga kriza që u bë e ndjeshme kudo. Edhe pse s’u tha, artet u cilësuan si një luks. Megjithatë, pa u ndikuar aspak nga fryma e ditëve tona për të folur me tone alarmuese, Bajri përgjigjet qetë-qetë.

“Perceptimi i realitetit është subjektiv, ani pse ekziston një konsensus i përbashkët për shumë nga fenomenet dhe të vërtetat e botës reale”, thotë ai, për të shtuar se interpretimi i tyre është i lidhur ngushtë edhe me karakteristikat individuale.

“Virusi që zbuloi të tjera viruse të njerëzimit”

Duke përvijuar fillimin e mendimit, ai ka bindjen se yshtja kryesore e secilit për zhytje në ujëra artistike është dyshimi i vazhdueshëm dhe nevoja e parezistueshme për vizione e ide që duken se shkojnë përtej reales, të tilla që shpesh quhen utopike e ëndërrimtare. E thekson se historia, si lloj i civilizimit, gëlon nga individë të tillë që, kur mblidhen në grupe e organizohen, i shtyjnë me të shpejtë këto hove zhvillimi.

“Nuk është për t’u habitur që ata që nuk tregojnë interesim për mësim, nuk kanë kureshtje për t’i kuptuar fenomenet natyrore dhe as nuk e kuptojnë rëndësinë e shkencës dhe artit, ndihen të vetmuar e të zhytur në monotoni e ankthe, ngase përmbushja e kënaqësia e tyre vijnë vetëm në momente të ndërveprimeve kolektive në ahengje, lojëra e festa”, thotë Bajri

“Njësoj edhe gjatë kësaj krize mes shumë vajtimeve, negativiteteve, parashikimeve ogurzeza e frikës nga gjithçka, një pjesë e mirë e njerëzve u mundua të mësojë, të punojë e të reagojë kundrejt sfidës me të cilën ballafaqohemi të gjithë”, thotë Bajri.

Për të, virusi me kurorë, i cili targetet e tij nuk i diskriminon, por i sulmon papërjashtimisht njësoj, zbulon në të vërtetë të tjera “viruse” më të rrezikshme që rëndojnë në qafën e njerëzimit: egoizmi, ksenofobia, fashizmia e injoranca.

“Arti dhe artisti janë vazhdimisht bajraktarë në zbulimin, identifikimin dhe luftimin e këtyre rreziqeve për shoqërinë dhe civilizimin njerëzor”, pohon ai bindjeplotë.

Vetmia e krijimit

Kur 2020-a solli një angështi traumatike për një shumicë njerëzish që u shkëputën prej ndërveprimit ditor, “raca” e artistëve ishte më rezistuese: ajo vetminë e ka natyrë të dytë. Ndërsa biseda vëmendëson të përbrendshmen e krijimit si akt, si diçka kufitare me terratinat e iracionales, Bajri nuk e tumir fort të thënmen e vulgarizuar se një “trokitje” në derën e Beethovenit solli në jetë një prej kryeveprave të tij simfonike. Thotë se kjo është veçse një mit që themelet i ka te një thjeshtëzim e keqinterpretim i ideve të kompozitorit emërmadh.

“Ndoshta e gjithë kjo i ka burimet edhe në moskuptimin e nevojës për vetizolim, që intelekti e kërkon kur ballafaqohet me ide të reja e fenomene të panjohura, kur ka nevojë për analizime e reflektime të thella e të gjata”, thotë ai.

Për kompozitorin 51-vjeçar, vetmia si ndjenjë mungese është krejt e ndryshme prej vetmisë që vjen si nevojë. Njënjëshëm, sipas tij, edhe izolimi i detyruar me qëllim të parandalimit të pandemisë COVID-19 nuk duhet të lidhet nevojisht me kufizim të lirisë apo mohim të të drejtave themelore.

“Nuk është për t’u habitur që ata që nuk tregojnë interesim për mësim, nuk kanë kureshtje për t’i kuptuar fenomenet natyrore dhe as nuk e kuptojnë rëndësinë e shkencës dhe artit, ndihen të vetmuar e të zhytur në monotoni e ankthe, ngase përmbushja e kënaqësia e tyre vijnë vetëm në momente të ndërveprimeve kolektive në ahengje, lojëra e festa”, shpjegon Bajri.

Image
Sado që koncertet recitale i ka të rralla, ustai i jazzit Ilir Bajri më 9 dhjetor i fali publikut të vendlindjes së tij, Pejës, koncertin e pagëzuar “Introspective”. Në mbrëmjen e tretë të “Peja Jazz” në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, valëzoi një lloj ditari personal përmes tingujve muzikorë (Foto: Melos Gashi)

“Emocionet i kam kah e ardhmja”

Në muajt që pasuan shfaqjen e pandemisë, sikur ndodh në gjendje të skajshme ekzistenciale, seç pati edhe një rikthim kah e kaluara e dikurshme, e menduar dhe ndjesuar gjithnjë si e artë. Dikush pikasi edhe atë se si në kulturën e gjerë virtuale u shpërhapën me të madhe estetikat e quajtura “cottagecore” që idealizojnë idilin e jetës së qetë në fshat.

Bajri e cilëson të kaluarën si “librari gjigande” të përvojave e mësimeve. Veçse është i prerë që atë të mos e kundrojë me emocione.

“Emocionet i kam të rezervuara për ardhmërinë, sepse ajo është ushqimi për optimizmin tim”.

Duke folur për prirjet që i mëshojnë idealizimit të jetës së qetë në fshat, ai është i mendimit se kjo është veçse një përpjekje për të rikonceptualizuar dhe riplanifikuar mënyrën e të jetuarit në këtë shekull.

“Kjo jetë domosdo duhet të zhvillohet në balancë shumë më të mirë me mjedisin e natyrën krahasuar me shekullin e kaluar, kur nga egoizmi e shpërfillja janë asgjësuar ekosisteme e lloje të tëra gjallesash”, thotë Bajri.

Kështu, sipas tij, artistët janë ata që, duke reflektuar e përgatisin veten dhe shoqërinë për ndryshimet e nevojshme që duhen bërë.

E përsëri ai pëlqen të përmendë se si simfonia e Beethovenit dhe opusi i tij krijues ishin lajmëtare të një kohe të re e jo “reaksion ndaj vetmisë së tij krijuese apo prishjes së qetësisë së tij”.

“Fakti që edhe 250 vjet pas lindjes idetë e tij riprodhohen e dëgjohen nga të gjithë, flet për vete”, shton Bajri.

Jazzi – një ballafaqim i dyfishtë

Shkrimtari italian Umberto Eco diku kishte thënë se “e tërë jeta jonë është një nostalgji për fëmijërinë e rindërmendur”, duke aluduar për një dialog të përhershëm me të kaluarën. Duke u thelluar me një vështrim si të përhumbur për kohën e paraluftës, Bajri nuk e fsheh sensin kritik për gjithçka që u krijua në vitet ‘90. Për të, rezultatet e atyre “viteve të errëta” ishin të vobekta e me pak potencial.

Image
Ilir Bajri: “Emocionet i kam të rezervuara për ardhmërinë, sepse ajo është ushqimi për optimizmin tim” (Foto: Melos Gashi)

“Në fakt, vitet ’90 vetëm sa zbuluan mangësi të mëdha të shoqërisë sonë në rrafshin intelektual, kulturor e artistik”, vlerëson Bajri. “Shtypja ishte shumëdimensionale dhe rrethanat tepër toksike për çfarëdo zhvillimi e përparimi”.

Për Bajrin – i cili ndër vite ka qenë pjesë e disa formacioneve të jazzit – aktivitetet e pakta ishin më tepër reagime të kufizuara ndaj shtypjes së dhunshme e përditshmërisë së saj kohe. Ai ka përshtypjen se shumë prej problemeve negative të sotme qëmtohen mu te ajo periudhë.

“Jazzi në atë kohë ishte më tepër ikje nga realiteti”, vlerëson Bajri, për të shtuar se ky zhanër, që ka lirinë thelb të vet, kërkonte ballafaqim të dyfishtë sa me dhunën që vinte nga shoqëria, po aq edhe me atë që vinte nga pushteti e sundimi.

“E ballafaqimi me të dyja ishte tepër i vështirë, pos për përjashtimet kokëforta të një numri individësh”.

Sado që koncertet recitale i ka të rralla, ustai i jazzit me 10 dhjetor ia fali publikut të vendlindjes së tij, Pejës, koncertin e pagëzuar “Introspective”. Në mbrëmjen e tretë të “Peja Jazz”, Bajri valëzoi një lloj ditari personal përmes tingujve muzikorë.

Në kërkim të ideve të reja

Kompozitor e krijues, Bajri ngulmon që të ketë një “përmbledhje forcash e idesh” për ristrukturimin dhe planifikimin e arsimit që, sidoqoftë, impakton edhe artet. Biseda veç është duke u thelluar te jazzi, dhe ai vë re se në këtë zhanër janë dhënë rezultate të mira.

“Megjithatë, ato janë rezultat i veprimeve dhe aktiviteteve të individëve e grupeve, sepse në rrafshin e zhvillimit e të organizimit është bërë shumë pak”.

Teksa ka vargisur një përvojë të bëshme performimesh edhe jashtë vendit, Bajri para gati dy muajsh, në kuadër të edicionit të sivjetmë të DAM-it, shpalosi edhe projektin që si ambicie ka krijimin e instrumenteve virtuale që stimulojnë tinguj orkestrash simfonike.

Në bisedë e sipër, ai tregon sesi ideja për krijimin e një instrumenti të thjeshtë virtual, që kishte nisur para tre vjetësh, tashmë veç po korr frytet e para me nxitjen e ideve dhe projekteve për të ardhmen.

“Kjo më bën të ndihem shumë mirë”, thotë Bajri për projektin që tashmë ka krijuar ndërveprime edhe me njerëz nga kultura të ndryshme. “Projekti po shkon për bukuri dhe vazhdimisht po rritet e përditësohet. Po më sjell shumë kënaqësi, sepse po mësoj përplot gjëra të reja duke më forcuar ndjenjën e të qenit i dobishëm”.

“Teknologjia nuk dehumanizon, ajo është thelbi i qytetërimit tonë”

Vetë Bajri, në një intervistë për KOHËN, asokohe kishte thënë se teknologjia mund të përdoret edhe për të krijuar. Kjo sikur kontrastoi me parakonceptimin e dëgjuar shpesh se teknologjia është ose anarkike, ose e prirë për të dehumanizuar. Madje, në këtë frymë, edhe prodhimet e saj shihen si “artificiale”.

E Bajri ende kujton, jo pa ironi, pohimin e thënë shkel e shko se “pianoja është natyrale, kurse sintetizatori artificial”. Edhe sot habitet kur njerëz që merreshin me art shprehnin paaftësi për të kuptuar se edhe vetë pianoja ishte artificiale në kuptimin e produktit teknologjik të mendjes së njeriut, ashtu sikundër sintetizatori ishte vetëm një variant i përditësuar i saj.

“Nuk e pëlqej fort termin ‘krijues’, sepse duket sikur të gjitha keqkuptimet burojnë nga ideja se ne krijojmë diçka kur në fakt ne manipulojmë me materiale e forma që janë në natyrë”, shpjegon ai.

Ndërsa e thekson me emfazë që “teknologjia nuk dehumanizon” e se ajo është thelbi i qytetërimit tonë, Bajri shpjegon se druri, metalet e silikoni janë të gjitha të natyrshme, porse manipulimi e kombinimi i tyre i bëjnë të duken si të “panatyrshme”.

“Ne nuk jemi krijues, ne jemi manipulues – dhe përmes kësaj aftësie kemi krijuar mundësi që të arrijmë deri te momenti i reflektimit të koncepteve abstrakte si arti apo demokracia”, thotë Bajri.

I zhytur në angazhime të shumta krijuese, ai e ka rezervuar pjesën më të madhe të kohës për instrumentet virtuale. Së fundmi ka përveshur llërët për të punuar versionin e dytë të instrumentit të parë të tij, “Orchestools Piano”.

“Po përpiqem ta bëj gati për publikim gjatë festave si formë dhurate e shprehje optimizmi për 2021-n”, tregon Bajri, teksa është duke përgatitur edhe dy projekte muzikore.