Ka hequr dorë nga vendosja e shtatores së Anton Çettës para katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, por Ipeshkëvia e Kosovës, shtatoren e ish-presidentit Ibrahim Rugova, të enjten vonë e ka vendosur në njërin prej bazamenteve. Për këtë nuk është pajisur me leje nga Komuna e Prishtinës
Prishtinë, 14 janar – Letra që ia kishin dërguar ipeshkvit në dhjetor nuk kishte bërë punë. Por reagimi publik i vajzave të Anton Çettës i ka dhënë epilog procesit që Ipeshkëvia e Kosovës e kishte nisur krye më vete. Pas reagimit të së mërkurës mbrëma, Ipeshkëvia ka hequr dorë nga vendosja e shtatores së Anton Çettës para katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë. Atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova të enjten vonë ia ka bërë vendin duke mos respektuar procedurat. Nuk janë pajisur me leje nga Komuna e Prishtinës.
Që të dyja janë vepra të skulptorit Fatmir Hoxha, në oborrin e të cilit të enjten po i pastronte të dyja shtatoret. Asaj të ish-presidentit i ka dhënë përparësi, pasi është i sigurt se do të inaugurohet. Por s’ka pranuar të prononcohet kur ekipi i KOHËS e ka takuar dy herë në pak orë.
Një tjetër shtatore e Anton Çettës e financuar nga shteti do të vendoset në këndin e oborrit të Fakultetit Filologjik. Kjo e fundit është punuar nga skulptori Agon Qosa. Krejt ky debat e ka ngatërruar opinionin publik. Është krijuar përshtypja sikur për shtatoren e Çettës s’ka lokacion, ani pse vendimin Komuna e Prishtinës e ka marrë më 10 nëntor të vitit të kaluar.
Pavarësisht që as për shtatoren e Çettës e as për atë të Rugovës s’ka leje, Ipeshkëvia ka paralajmëruar se këtë të fundit do ta inaugurojë të premten. Bazamentet e mermerta për dy shtatore në hyrje të Katedrales ka ditë që janë gati.
“Ato vendime merren në Kuvendin Komunal. Sa e di unë nuk ka pasur vendim të tillë. Duhet të merret leje, sepse shtatoret nuk janë gjëra private”, ka thënë Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës.
E vetë sekretari i Ipeshkëvisë së Kosovës, Don Fatmir Koliqi, ka treguar se kanë hequr dorë nga vendosja e shtatores së pajtuesit të gjaqeve e mbledhësit të folklorit, Anton Çetta.
“Ipeshkëvia e Kosovës ka dashur që t'i nderojë dy figura të mëdha të kombit, dr. Ibrahim Rugovën dhe prof. Anton Çettën. Për këtë asnjëherë nuk është sjellë një vendim i prerë. Por për të respektuar mospëlqimin e vajzave të prof. Anton Çettës dhe pasi kemi hasur në padenjësinë sakramentale të tij, atëherë kemi sjellë vendim që të mos vendoset shtatorja e Anton Çettës”, ka thënë ai.

“Po, do të vendoset”, është përgjigjur në pyetjen nëse të premten do të inaugurohet shtatorja e presidentit Ibrahim Rugova. Gazeta ka provuar të flasë edhe me familjen Rugova.
Mendim Rugova, i biri i ish-presidentit Rugova, nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike e as mesazheve elektronike.
Të premten nuk janë deklaruar as të bijat e Anton Çettës, me arsyetimin se kanë folur nëpërmjet reagimit.
“Familja e prof. Anton Çettës deklaron që nuk është në pajtueshmëri me vendimin që është marrë nga Ipeshkëvia e Kosovës, që më datën 15 janar 2021, shtatorja e prof. Anton Çettës të vendoset në oborrin e katedrales ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë”, thuhet në reagimin e familjes. Sipas familjes, “ky veprim nuk qëndron në përputhshmëri me misionin e prof. Çettës”, pasi “veprimtaria e tij ka qenë në sferën e shkencës, arsimit dhe politikës kombëtare në një kuptim mbipartiak e mbifetar”. “Kujtesa për këtë veprimtari duhet të ruhet në hapësirat publike që i përgjigjen më mirë misionit të tij të madh kombëtar dhe duhet të ruhet si e tillë edhe për brezat që vijnë pas”, ka vlerësuar familja Çetta.
Reagimit i është bashkëngjitur edhe shkresa që familja e prof. Anton Çettës ia ka drejtuar zyrtarisht Imzot Dodë Gjergjit – ipeshkëv i Kosovës, më 24 dhjetor të vitit të kaluar.
“Ne vlerësojmë nismën tuaj për të respektuar figurën multidimensionale të babait tonë. Por duke njohur mirë shpirtin e tij dhe duke qenë të vetëdijshëm për jetën dhe veprën e tij, vazhdojmë të besojmë fort se misioni i tij fisnik u realizua duke u bazuar në vlerat e pajtimit, paqes, tolerancës fetare e, mbi të gjitha, mbi dashurinë e madhe ndaj popullit të vet shqiptar. Ne vlerësojmë se figura e babait duhet të jetë model që transmeton tek gjeneratat e reja vlerat, duke tejkaluar të gjitha dallimet e një shoqërie multireligjioze ku ndodhemi ne, model i paanësisë dhe dinjitetit”, shkruhet në shkresën e nënshkruar nga vajzat e Anton Çettës, Donika Çetta-Junçaj dhe Agata Çetta. Po aty shkruhet se vendosja e shtatores brenda mureve të oborrit të Katedrales do të binte ndesh me parimet dhe qëllimet e tij.
“Prandaj ne si familje nuk e miratojmë një vendim të tillë dhe shpresojmë shumë në mbështetjen tuaj dhe mirëkuptimin e vendosjes së shtatores përballë Fakultetit Filologjik, aty ku e ka miratuar Kuvendi Komunal”, thuhet në shkresë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka vendosur që shtatorja e Anton Çettës e porositur nga Agjencia për Menaxhimin e komplekseve Memoriale të vendoset afër udhëkryqit në oborrin e Fakultetit Filologjik. Kjo shtatore tash dy vjet qëndron në atelienë e skulptorit Agon Qosa, në Ferizaj. Kushtoi 60 mijë e 800 euro. Versioni i kësaj shtatoreje u zgjodh nga konkursi, në të cilin kishin marrë pjesë edhe Agron Blakçori, Idriz Balani, Agron Bytyçi, Maks Mero e Izeir Mustafa.

Për pamjen e shtatores kishin votuar njëzëri skulptori Burim Canolli, kryesues i komisionit, dhe anëtarët Ilir Balaj, po ashtu skulptor, Jetullah Sylejmani, piktor, arkitektja Donika Çetta, e bija e Anton Çettës, dhe inxhinieri Riza Krasniqi, anëtar i Këshillit iniciues për ngritjen e shtatores.
Ndërkaq problemet për lokacionin janë një histori më vete. Në shkurt të 2017-s vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores e kishin penguar mosmarrëveshjet midis Institutit Albanologjik të Prishtinës me Komunën e Prishtinës e Ministrinë e Arsimit. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it.
Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati njëvjeçar pëlqimit për vendosjen e shtatores. Në korrik të vitit 2018 të kaluar gazeta kishte raportuar se Instituti Albanologjik i Prishtinës zyrtarisht kishte refuzuar kërkesën që shtatorja e Çettës të vendosej në oborrin e këtij institucioni. Për udhëheqësit e IAP-it oborri nuk ishte vend adekuat për shtatoren e Çettës.
Ndërkohë, vendosja e shtatores do të jetë pjesërisht e varur edhe nga ndërtimi i parkingut nëntokësor në hapësirën prej 1.4 hektarësh pranë Fakultetit të Filologjisë. Sipas kontratës të nënshkruar me konsorciumin italiano-kosovar “Jaha & Pessina”, brenda 18 muajsh parashihet parkingu dykatësh me 23 mijë metra katrorë, që do të ketë rreth 700 vende për vetura.