Qe një vit i zorshëm pandemik. Por KOHA nuk ndalet. Në natën e fundit të 2020-s e në pritje të Vitit të Ri 2021, shikuesit kanë arsye të festojnë me Kohavisionin, në një natë urimesh për ditë të reja me program ekskluziv festiv. Muzika do të zërë vendin qendror. E kuruar me kujdes për festë, shikuesit do të shoqërohen me emrat më të njohur të muzikës lirike dhe asaj popullore.
Prej orës 20:00, minutat e para të programit qendror janë rezervuar për koncertin ekskluziv, “Në kujtim të Nexhmije Pagarushës”. Njëmbëdhjetë soliste të shoqëruara nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës e nën drejtimin e Gridi Krajës do të sjellin disa prej perlave të muzikës shqipe në nderim të “Bilbilit të Kosovës”, e cila u nda nga jeta më 7 shkurt të 2020-s.

Koncerti vjen edhe si një lloj homazhi për të, por edhe si shpalosje tradite e vazhdimësie me këngët që shënojnë historinë e muzikës shqipe. Një mbrëmje plot finesë, me këngë që i këndojnë jetës.
Si urim për ta përmbyllur një vit të vështirë e për të festuar hyrjen në Vit të Ri, tradita vazhdon. Kohavisioni sjell program ekskluziv në natën më të gjatë dhe jo vetëm. Prej koncertit “Në kujtim të Nexhmije Pagarushës” e deri te programi qendror me Edi Furrën e mysafirë specialë, janë mozaiku i skemës programore. Por jo vetëm kaq. Për festë vijnë emisionet e veçanta...
Programi qendror do të pasojë me emisionin special, i cili shikuesit do t’i shoqërojë drejt minutave të fundit të 2020-s.
Nën moderim të Erjona Gjikollit dhe Armend Shalës, shikuesit do të argëtohen fillimisht me program të zgjedhur nga dy këngëtarë të dalluar të skenës kosovare, Faton Isufi e Fitore Gjonbalaj, në përcjellje të ansamblit “Dasmorët”.
Programi do të kulmojë me këngëtarin e mirënjohur të muzikës popullore, Edi Furra, i cili i shoqëruar nga orkestra “Lirikët” dhe nga këngëtarë mysafirë do të jetë programi i qëlluar për numërimin së prapthi drejt Vitit të Ri.
Mysafirë specialë e koncerte ekskluzive...

Edi Furra nuk do të jetë vetëm. Mysafirë specialë të tij janë edhe ikona e muzikës popullore Mehdi Zena dhe këngëtarja e mirënjohur tiranase Valbona Mema, e cila rikthehet ekskluzivisht në një program televiziv në Kosovë, pas shumë vjetësh. Disa prej perlave të muzikës popullore e qytetare do të vijnë në interpretim nga Furra në shoqëri të Fatos Furrës dhe këngëtarit të ri e shumë të talentuar Vegim Furra. Pas mesnate, shikuesit e KTV-së do të shoqërohen edhe me koncertin televiziv të Motrave Mustafa, i cili vjen premierë ekskluzive në minutat e para të vitit 2021.
Tradita vazhdon me maratonën e filmit me një përzgjedhje të veçantë për adhuruesit e kinematografisë. “Mysafiri”, “Vetura e kaltër” dhe “Kampi X-Ray”, janë vetëm disa nga titujt e listës së gjatë të filmave që shikuesit e KTV-së që do mund t’i ndjekin në ditët festive. Por festa nuk mbaron me kaq. E as programi i Kohavisionit.

Koha për fëmijët
Programi festiv dedikuar fëmijëve do të sjellë edicionin festiv të “Programit Fluturues të Fëmijëve”, më 1 janar prej orës 17:15. Kori “Siparantum”, nën drejtim të dirigjentit Memli Kelmendi, do të sjellë disa pika premierë, përderisa nuk do të mungojnë as koreografitë e trupës së balerinëve të vegjël nga studioja “Angel”. Në kuadër të programit dedikuar më të vegjëlve do të vijnë, mes të tjerësh, edhe filmat artistikë “Aventurieri – Mallkimi i kutisë Majdas” dhe “Djaloshi i quajtur Sailboat”.

Edhe pse ka qenë një prej viteve më të vështira, e me më pak aktivitete, OOOPS-i i “Interaktivit” sjell sërish një super-përmbledhje në ditën e parë të Vitit të Ri, prej orës 19:30. Me maska në fytyrë, politikanë e aktivistë të jetës publike në vend, bënë gabime të shumta e thanë fjalë që nuk i menduan në fjalimet e tyre publike. Gjithashtu sollën skena interesante me të cilat shumë herë qeshëm së bashku. Edhe atëherë kur situatat nuk ishin për të qeshur, por mjaftueshëm interesante për të qenë pjesë e OOOPS-it, si një prej rubrikave më të dashura të “Interaktivit” të KTV-së.
Valle në oborrin e Kullës, show në “1 Kafe me Labin”

Më 1 janar prej orës 18:15 do të mund të ndiqni programin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve nga Deçani i xhiruar në oborrin e Kullës së Jusuf e Bardhosh Gërvallës në fshatin Dubovik.
Nata vazhdon me koncertin televiziv të këngëtares Merita Bunjaku, i titulluar “Si m’ke sytë”, prej orës 20:30.
E pjesa qendrore është rezervuar për edicionin festiv të emisionit të popullarizuar “1 Kafe me Labin”. Prej orës 21:00 një show i cili do të sjellë disa prej këngëtarëve më të dalluar të skenës muzikore shqiptare, si Sabri Fejzullahu, Irma Libohova, Violeta Kajtazi, Labinot Tahiri, Lori, Big Mama, Robert Berisha e shumë të tjerë. Atmosferë festive, muzikë e përzgjedhur, biseda e lojë midis mysafirësh, kujtime e shumëçka tjetër, janë pjesë e menysë së këtij programi.
“Këngë të shpirtit” e “Festë me heronjtë e pandemisë”
2 janari po ashtu do të jetë i mbushur me programe të veçanta. Prej orës 18:15 vjen koncerti televiziv i këngëtarit Gazmend Fazliu, i cili sjell me orkestrime krejt të veçanta disa prej këngëve më të dëgjuara nga repertori i muzikës shqipe. “Këngë të shpirtit”, titullohet koncerti që Fazliu e ke realizuar enkas për programin e Kohavisionit.
Festa vazhdon në sheshin e Prishtinës me edicionin special të emisionit “038” prej orës 20:15. “Festë me heronjtë e pandemisë” është titulluar emisioni i cili do të sjellë biseda me policë, punëtorë shëndetësorë dhe zjarrfikës, derisa mysafire speciale do të jetë këngëtarja Gili, e cila do të sjellë një interpretim si asnjëherë tjetër të këngës “Prishtina”. Pjesë e emisionit do të jetë edhe performanca e këshilltarit në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, dikur fort i njohur në skenën e kryeqytetit si “DJ Gamble”.
“Express” me artistët imunë ndaj virusit

Emisioni “Express” më 2 janar do të sjellë tryezën me disa prej artistëve të cilën e kanë mundur “luftën” me COVID-in. Në moderim të Argjirë Zhushit, të ftuar në tryezë janë regjisori Agon Myftari, aktorët Arta Muçaj e Alban Makolli dhe këngëtarët Adelina Thaçi e Florent Abrashi. Se si u përballen me virusin e me vitin pandemik, shikuesit do të mund ta kuptojnë në edicionin festiv të “Expressit”, në të cilin pos rrëfimeve të tyre ata i bën bashkë edhe muzika. Në kuadër të festës emisioni “Express” do të sjellë edhe materiale të veçanta për “Vitin pandemik në kulturë” që shpalos përmbledhjen e përballjes së artistëve me vitin e vështirë, transformimin e ngjarjeve kulturore e shumëçka tjetër. Po ashtu, në përmbledhje vijnë edhe sukseset, dështimet dhe ikjet e vitit 2020.
Emisioni “Top Koha Music” me edicionin festiv vjen te shikuesit prej orës 22:30. Nushi, Nikka, Lluni e Roni janë vetëm disa prej të ftuarve në edicionin festiv të “Top Kohës”.
Mbrëmja me multi-instrumentisten e edicione speciale të emisioneve
S’ka arsye për ta ndërruar kanalin. Mesnata e 2 janarit është rezervuar për koncertin e këngëtares dhe multi-instrumentiste Linda Rukaj, e cila sjell një kombinim mes këngëve origjinale dhe disa përpunime të këngëve të popullarizuara shqipe e franceze. Festa në Kohavision nuk mbyllet me kaq. Edicionet festive të emisioneve “Nëpër film”, “Fashionista” e “Jeta” vijnë në kuadër të skemës festive, derisa pjesë e programit mund të bëhen edhe shikuesit në mbrëmjen e 3 janarit në kuadër të emisionit, “N’shpi”, i cili përveç transmetimit direkt në edicionin e parë të vitit 2021, vjen edhe me orar të ri prej orës 20:00.
Sporti në pandemi me rrëfime të veçanta
Redaksia e sportit të KOHËS në ditë festive do të sjellë emisionin special të titulluar “Sporti në pandemi”, i cili shpalos zhvillimet në skenën sportive në vitin pandemik. Tregime sportive do të jetë përmbajtja tjetër sportive e cila shpalos rrëfime të veçanta nga bota e sportit vendor. “Xherdani i Kosovës”, “Gjyqtari polic”, “Klubi i veçantë”, “Braziliani i Shqipërisë” dhe “Dëshpërimi i Norës”, janë disa prej reportazheve speciale që shikuesit do të mund t’i ndjekin në kuadër të skemës sportive.