Kulturë

Autoportreti i piktores nga Kosova në ekspozitën botërore që i jep zë gruas

Këtu e një shekull më parë, në gushtin e vitit 1920, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës grave iu dha e drejta e votës. Kjo u cilësua një arritje e jashtëzakonshme në historinë e grave, manifestim i një kapitulli të ri. Por gjatë këtij shekulli gjërat nuk kanë qenë të lehta për gratë. E kjo vihet re edhe në ekspozitën online “Women Suffragists”. Mozaiku i saj plotësohet edhe me autoportretin “Me, myself and I” të artistes shqiptare Shkurte Ramushi.

Ekspozita mbahet në kuadër të projektit “Women Soaring”, që ka për qëllim të fokusohet në çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me gratë. Ekspozita ku merr pjesë edhe artistja nga Kosova do të jetë e qasshme online gjatë gjithë muajit. Aty janë të ekspozuara punimet e 48 artisteve nga e gjithë bota.

“Women Soaring” është një projekt interaktiv i artit dhe kulturës që kërkon të shohë, njohë dhe të vlerësojë gratë në histori. Ramushi e kishte punuar autoportretin e saj gjatë studimeve. Të njëjtin më pas e kishte ripunuar gjatë pandemisë.

“Është e vështirë të jetosh në Kosovë e veçanërisht nëse je grua. Ka më qindra role që duhet të bësh, sepse je grua. ‘Me, myself and I’ është vepra më e mirë që më përfaqëson mua si qenie njerëzore, nënë, vajzë, motër, mbesë dhe artiste”, janë fjalët e artistes që shfaqen me të klikuar në pikturën e saj.

Sipas artistes, kjo vepër me së miri e përfaqëson atë dhe botën e saj.

“Ky autoportret përfaqëson fjalët që nuk i them. Ëndrrat e reja dhe kujtimet e vjetra. Edhe lotët, thirrjet dhe vetë heshtjen dhe ngritjen e zërit tim. Kjo pikturë përfaqëson betejat dhe fitoret”, ka thënë artistja për KOHËN. Sipas saj, edhe në ditët e sotme gratë luftojnë çdo ditë për të drejtat e tyre, e ekspozita e shpërfaq këtë më së miri.

Image
Autoportreti “Me, myself and I” i artistes nga Kosova, Shkurte Ramushi, ekspozohet online përkrah punimeve të 48 artisteve nga e gjithë bota. Sipas artistes, edhe në ditët e sotme gratë luftojnë çdo ditë për të drejtat e tyre. Këtë më së miri thotë se e shpërfaq ekspozita ku shpaloset edhe vepra e saj

Ekspozita ka pasur karakter garues. Summer Herrera nga SHBA-ja me portretin e motrës së saj Dorothy, një aktiviste e re, e cila për shkak të moshës ende s’ka të drejtë vote, ka marrë çmimin e parë. Sipas saj, vepra “Dorothy, A Young Activist” (2020) është një mirënjohje ndaj grave që kanë luftuar që vajzat e reja tani të kenë të drejtën e votës dhe njëkohësisht një inkurajim për të gjitha gratë që zëri i tyre të dëgjohet. Çmimin e dytë e ka marrë Ildiko Nova nga Kanadaja. Me veprën “Fair Representation” thekson se kujdesi i grave mund të rezultojë çdoherë në ndryshime pozitive në botë. Çmimin e tretë e ka marrë Angela (Azadeh) Raz, me veprën “Healing” (2020). Ajo tregon se pasi që është larguar nga Irani për në Kanada, ka dashur që vepra e saj të jetë një deklaratë se në disa vende gratë jetojnë gjatë gjithë kohës në një karantinë.

Krahas ekspozitës ofrohen të dhëna për gratë që patën ndikim në kalimin e ligjit, që u mundësonte të kishin të drejtën e votës. Në mesin e atyre tregimeve që shpalosen është ai i Lucy Stone, e cila në dasmën e saj nuk kishte pranuar ligjet e atëhershme të martesës që e bënin burrin të ishte superior ndaj gruas, si dhe nuk kishte pranuar që të ndërronte mbiemrin. Ajo ishte organizuese e Konventës së parë ndërkombëtare për të Drejtat e Grave në Worcester, Massachusetts në vitin 1950. Po ashtu ishte pjesë e lëvizjes që kundërshtoi amendamentin e 15-të, që u lejonte burrave të çdo race të votonin, por jo edhe grave.

“Në kujtim të 100-vjetorit të së drejtës së grave për votë, ekspozita nxjerr në pah një grup të larmishëm të grave që kishin rol me rëndësi në luftën e grave për të fituar të drejtën për të votuar”, është shkruar në faqen e projektit “Women Soaring”, me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Projekti është themeluar nga dy mike, sociologia Jane Le Skaife dhe artistja bashkëkohore Jackie Lo për të theksuar kontributin e grave ndër vite.

Sipas përshkrimit në uebfaqen zyrtare, programi është një mundësi për të menduar më shumë nëpërmjet qasjes artistike për figura historike, gra që kanë kontribuar në zhvillimin e shoqërisë. Galeritë online, sipas tyre, shërbejnë si një vjegëze për të mësuar më shumë, por edhe për të eksploruar nëpërmjet artit.

Piktorja Shkurte Ramushi teknikë të preferuar i ka ngjyrat e vajit në pëlhurë e letër. Për pikturat e saj frymëzohet nga natyra, shoqëria, por edhe ndjenjat e saj. Në shtator të këtij viti, tri pikturat e saj “Love” (2013), “Eternal love” (2017) dhe “SelfLove” (2019) ishin ekspozuar për një muaj në platformën online “Dark Yellow Dot”. Artistja 28-veçare ishte zgjedhur në mesin e tetë artisteve që kjo platformë online i promovoi gjatë atij muaji.