Kulturë

Shteti i painteresuar për mbrojtjen e ish-Burgut të Gurrakocit

Ka kohë që përmendet rrafshimi i ish-objektit me të cilin lidhen rrëfime të trishta të burgosurish shqiptarë gjatë gjysmë shekulli. Zërat kundër këtij vendimi – për të cilin autoritetet komunale janë pajisur edhe me dokumente institucionesh qendrore – janë shtuar. Tek tash, institucionet e trashëgimisë kulturore janë kujtuar t’ia bëjnë një vlerësim nëse mund të mbrohet e të shndërrohet në muze

Gurrakoc, Istog, 16 dhjetor – Burim Kabashi nuk e ka të lehtë të hyjë brenda murit rrethues të ish-Burgut të Gurrakocit. Në vitin 1999 kishte pasur fatin që të qëndronte aty si i burgosur. Rrëfimi i tij është veç një prej historive trishtuese, pasi ata që kanë qëndruar në këtë objekt, qysh prej ndërtimit të tij fill pas Luftës së Dytë Botërore, janë të shumtë.

Por historia më shumë se gjysmëshekullore e shqiptarëve të torturuar në këtë ndërtesë nuk u bën përshtypje të gjithëve. Madje as zyrtarëve të Komunës së Istogut. Bile ka rreth një vit prej kur autoritetet komunale ia ka mësyrë rrënimit të ndërtesës që gjendet afër udhëkryqit midis Klinës, Pejës dhe Istogut. Për këtë janë pajisur edhe me disa dokumente. Ditëve të fundit është shtuar presioni që ndërtesa të ruhet si monument e të shndërrohet në muze.

Kabashi është acaruar goxha kur ka marrë vesh se Komuna e Istogut planifikon ta shembë objektin. Pas luftës së fundit aty kanë jetuar disa familje me kushte të rënda ekonomike. Komuna i ka larguar shumicën. Kanë mbetur vetëm edhe dy. Kabashi me shumë familjarë të tij kanë përjetuar tortura të tmerrshme në këtë ndërtesë. Familjarë të afërt e të largët të tij kanë qenë të burgosur aty. Por ai nuk e ka vetëm hallin e vet dhe të tyre. Ka thënë se shembja e ndërtesës është “fshirje e historisë më se gjysmëshekullore të shqiptarëve që janë dërguar në këtë ish-burg”.

Bodrumi i ndërtesës është i gurtë. Ka shërbyer edhe si qeli. Aty nuk mund të hyhet. Uji rrjedh vazhdimit, ashtu siç rrjedh edhe në anët e tjera të objektit. Banorët dyshojnë se uji është lëshuar qëllimshëm që të dobësohen strukturat, në mënyrë që të forcohen arsyet për rrënim.

Megjithëse aty për 20 vjet të pasluftës kanë jetuar familje skamnorësh, ndërtesa ka strukturë të fortë. Po ashtu, ka ruajtur goxha edhe tiparet e një burgu. Grilat në korridore, në dritare, në zyrat e administratës e shenja të tjera janë ruajtur.

Image

Burim Kabashi si 17-vjeçar bashkë me familje kishin ikur në fshatin Staradran të Istogut në vitin 1999. Kur forcat serbe i kishin përzënë banorët drejt Shqipërisë, Kabashin e kishin ndarë nga familja. Bashkë me kushërinj të afërt ishin dërguar në ish-Burgun e fshatit të tyre. Më pas, deri në qershor të vitit 2000 kishin qëndruar në burgjet e Serbisë.

Jo rrallë i mbushen sytë me lot kur flet për torturat e përjetuara në ish-Burgun e Gurrakocit. Jo rrallë s’mund të bëjë gjumë kur mendja i shkon në majin e vitit 1999. Një fqinj i tij ka probleme psikike qysh nga ajo kohë.

“Këtu ka pasur tortura të tmerrshme”, thotë ai me zërin që i dridhet. Tregon shenjat e prangave në duar e po ashtu edhe një shenjë që ia kishte lënë goditja me kondakët e pushkëve. Kur i përmendet rrënimi i ish-Burgut, acarohet.

“Unë dhe të tjerët duam që fëmijëve tonë t’ua tregojmë vendin se ku kemi vuajtur. Është johumane të rrënohet ky burg. Nuk bën që vetë ta fshijmë historinë tonë”, ka thënë ai të mërkurën, derisa ecte korridoreve ku dikur nuk mund të hidhte hapat normalisht, shkaku i rrahjeve nga forcat serbe.

“Nuk vij shpesh në këtë vend, pasi kujtimet janë të tmerrshme”, ka thënë ai.

As gjysmën e atyre që i ka përjetuar nuk ka mundur t’ua tregojë familjarëve, pasi mendon se mund ta rrezikojë mirëqenien e tyre psikologjike.

“Historia ime ndoshta nuk është prej më të rëndave. Janë më shumë se 50 vjet që njerëzit kanë vuajtur këtu”, ka thënë ai.

Ndërtesa është e Ministrisë së Drejtësisë. Kurse parcela i takon Komunës së Istogut. Në emër të asaj se objekti paraqet rrezik për qytetarët, Komuna ka marrë pëlqimin e Ministrisë së Drejtësisë për rrënim.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, nuk tregon disponim për shndërrimin e ish-Burgut në muze. Thotë se nuk e ka ndërmend të ngutet me rrënim dhe se do të diskutohet për të ardhmen e ish-Burgut. Për të primare ka qenë që të zhvendosen familjet që kanë jetuar aty. Për ato të dyja që kanë ngelur ka thënë se në ditët në vazhdim do të nënshkruhet kontrata për të ndërruar vendbanimin. Ndërtesa prej fillimit të kësaj jave nuk ka as energji elektrike.

“Aty kanë jetuar në kushte johumane dhe zhvendosja ka qenë prioritet i yni”, ka thënë ai. Sipas Rugovës, rrënimi nuk do të bëhet tash dhe për këtë çështje do të ketë diskutime.

“Komuna nuk e ka takatin as ta bëjë (v.j.muze), as ta organizojë e as ta mirëmbajë. Në qoftë se shteti konsideron ta bëjë muze, unë konsideroj që mund të bëhet. Nuk e kam logjikën e zhdukjes së fakteve”, ka thënë ai. Sipas tij, aty kanë ndodhur krime, pasi ishte burg shtetëror dhe tash duhet të diskutohet se si do të veprohet. Ka përmendur shkatërrimin që i është bërë pas luftës asaj që është njohur si “Kulla e Popit”, ku shqiptarët ishin masakruar. Për ish-Burgun ka thënë se do të kërkojë vlerësim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

“Nuk do ta rrënoj nëse konsiderohet si trashëgimi kulturore. Ideja ime është që ato familje të strehohen”, ka thënë ai.

Objekti nuk është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme. Banorët e fshatit Gurrakoc janë duke bërë një peticion që ndërtesa të marrë statusin e monumentit. Por deri më tash, as autoritetet e trashëgimisë kulturore s’kanë pasur interes për këtë objekt. KOHA qysh në fillmvit kishte raportuar për planet për rrafshim.

Zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, të mërkurën kanë thënë se javën tjetër do ta vizitojnë ish-Burgun, në mënyrë që të hartojnë një raport nëse ka vlera.

“Komuniteti i atyshëm duhet të bëjë një kërkesë që shoqërohet me peticion. Pastaj ne do ta bëjmë një vizitë dhe mund t’ia propozojmë Ministrisë së Kulturës që ndërtesa të jetë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturorë nën mbrojtje të përkohshme”, ka thënë Shpresa Tolaj-Gjonbalaj, drejtoreshë e QRKT-së së Pejës.

Kur KOHA kishte raportuar në shkurt, Shaban Çupi, mësues nga Paldenica e Hanit të Elezit, bashkë me shokët e tij kishin shkuar në Gurrakoc. Më 1986 aty kishte hyrë si i burgosur. Edhe Çupi e kundërshtonte rrënimin.

“Rrënimi i burgjeve është vendimi më miop, më mediokër, i cilitdo institucion të Kosovës që e bën atë”, kishte thënë ai. “Po ajo është trashëgimi e jona. Po ajo është sikur ta shembësh një kala, more burrë. Po, a mendojnë këta njerëz se i zhdukin gjurmët. Po nuk janë veç të miat, po janë me qindra shokë, po janë njerëz që kanë dhënë gjak dhe jetën për Kosovën”, kishte shtuar ai.

Përderisa për ish-Burgun e Gurrakocit ende nuk dihet, ai i Prishtinës do të jetë muze. Në qershorin e sivjetmë ishte hapur për vizitorë për disa ditë. Është formuar edhe një grup punues për hartimin e konceptit për shndërrimit në muze të ish-Burgut në qendër të kryeqytetit. Nuk ruhet si vlerë arkitektonike. Por si shenjë e kujtesës kolektive.