Para pak ditësh – duke biseduar me vajzën time, e cila sapo ka filluar klasën e parë, se për dallim prej sistemit austriak, ku shkronja e parë që mësohet është shkronja L, ndërsa në abetaren shqiptare shkronja e parë është A – pranova një telefonatë nga një ish-ambasador austriak, i cili ka shërbyer për një mandat në Beograd. Bisedën me ambasadorin austriak e vazhdova aty ku e ndërpreva me vajzën time. Pra, aty se ku dallon “abetarja” austriake dhe ajo shqiptare. Fillimi i bisedave të tilla me diplomatë të niveleve të larta zakonisht shërben si “hyrje” e një bisede me tematikë më të rëndësishme. Dhe, si e tillë edhe doli. Dhe, si për koincidencë teksti në vijim ka të bëjë shumë me dy shkronjat e lartcekura »L« dhe »A«.
[A]ktpadia dhe [L]ibri i Bardhë
Aktakuza e ngritur ndaj ish-presidentit Thaçi dhe krerëve të tjerë të UÇK-së ishte arsyeja e telefonatës së diplomatit austriak. Indinjimi i tij mund të përmblidhet në pak fjalë. Pjesa e aktpadisë ku flet për anën historike dhe paraqitjen e fakteve nga Prokuroria e Gjykatës Speciale është, sipas ish-ambasadorit austriak, shtrembërim i historisë së Kosovës dhe kur njeriu e lexon atë pjesë është një tjetërsim i rolit ndërmjet agresorit dhe viktimës, i cili për të nuk ishte edhe çudi.
Në vitin 1986, kur Kurt Waldheim paraqiti kandidaturën e tij për president të Austrisë, shoqëria austriake filloi të konfrontohet me të kaluarën e tij në Jugosllavi gjatë Luftës së Dytë Botërore, që njihet tashmë me emrin “Afera Waldheim”. Andaj qarqe intelektualësh e nacionalistë serbë morën shkas që të trumbetojnë mbi krimet ndaj serbëve, se si populli serb ka përjetuar krime nga të gjitha anët. Prandaj, për t’i treguar botës me ndihmën e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, gazetari serb Stanko Vasoviq botoi [l]ibrin e bardhë “Rasti Waldheim”. Realisht, arsyeja e botimit të këtij libri nuk ishte Waldheim, por goditja ndaj Titos, se gjoja çfarë lideri ka qenë ai që nuk ka bërë asgjë për t’i dëshmuar botës për krimet që janë bërë ndaj serbëve edhe madje nga nivele të larta, kur dihet se Waldheim ishte sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (1972-1981) dhe më vonë president i Austrisë (1986-1992).
[L]ufta në Kroaci
Kur filloi lufta në Kroaci qeveritarët e atëhershëm serbë filluan të flisnin zëshëm mbi padrejtësinë e re ndaj serbëve pasi sllovenët e shkatërruan Jugosllavinë: shtetin model të koekzistencës së etnive dhe religjioneve, kombeve e kombësive. Sakaq, serbët u aktivizuan për të folur për krimet e pareshtura kundër serbëve, tani në Kroaci. Kështu që, në fund të vitit 1991, Parlamenti i Serbisë krijoi një komision parlamentar, i cili kishte për detyrë mbledhjen e të dhënave ndaj viktimave serbe. Kuptohet, vetëm ndaj serbëve, sepse për Beogradin vetëm serbët ishin në epiqendër të krimeve nga të tjerët. Dhe këto “krime” kundër serbëve do të duhej shpërndarë nëpër botë. Ashtu edhe u veprua. Në janar 1992 Beogradi u dërgoi Kombeve të Bashkuara (KB) dhe organizatave të tjera ndërkombëtare një “Memorandum mbi krimet dhe gjenocidin në Kroaci dhe dëmtimin e kampit përkujtimor në Jasenovac”, duke akuzuar autoritetet kroate se për të dytën herë brenda një shekulli populli serb po përjeton “gjenocidin e radhës nga ustashët kroatë”.
Qarqet nacionaliste dhe pjesë nga shoqëria civile serbe shpesh duke marrë “stafetën” e nacionalizmit serb iniciuan dhe themeluan disa institucione për t’i “dëshmuar krimet kundër serbëve”
Për Beogradin, sulmet e të tjerëve kundër serbëve nuk guxojnë të groposen dhe të mbeten një e “vërtetë vetëm për popullin serb”, por duhet t’i dëshmohet botës. Në mars të vitit 1992, Parlamenti i atëhershëm jugosllav mori vendim për ngritjen e një “komisioni parlamentar për mbledhjen e informacioneve për krimet kundër njerëzimit” të kryer kundër serbëve në Kroaci. Gjatë viteve 1991 dhe 1992, Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve ishte e palodhshme në organizimin e konferencave për qëllime të “këshillave shkencore”, se si “gjenocidi kundër popullit serb” nuk ka të ndalur, sikurse ai gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vitet po kalojnë e historia për serbët veç po përsëritet e gjenocid po ushtrohet vetëm ndaj serbëve dhe sakrificat e serbëve mund të krahasohen vetëm me Holokaustin hebrenj. Kështu që armata akademike (dhe diplomatike) serbe shpërndau në çdo cep të botës botimet e tyre, ngaqë bota duhet të lexojë më shumë e të informohet edhe më mirë mbi sakrificën serbe dhe “krimet sistematike kundër serbëve”. Në atë fazë gishti drejtohej ndaj të “këqijve” kroatë.
Qarqet nacionaliste dhe pjesë nga shoqëria civile serbe shpesh duke marrë “stafetën” e nacionalizmit serb iniciuan dhe themeluan disa institucione për t’i “dëshmuar krimet kundër serbëve”. Kështu, në vitin 1992 u themelua “Fondi për kërkimet e gjenocidit” (Fonds za istraživanje genocida) dhe “Muzeu për viktimat e gjenocidit” (Muzej žrtava genocida) në Beograd, të cilat në fokus kishin “gjenocidin e ushtruar” ndaj serbëve në Kroaci e më vonë në Bosnjë. E karakterit të tillë ishte edhe “Qendra për kërkime të krimeve kundër popullit serb” (Centar za istraživanje zločina nad srpskim narodom) e themeluar po ashtu në vitin 1992 në Beograd.
Vetëm gjatë këtyre dy vjetëve pasuan dhjetëra raporte e hulumtime të tjera nga institucionet e ndryshme serbe mbi “krimet dhe gjenocidin kundër serbëve”. Por çuditërisht, këto krime nuk figuronin në raportet e organizatave ndërkombëtare përgjegjëse të të drejtave të njeriut. Andaj, Beogradi filloi ta drejtojë gishtin edhe kundër bashkësisë ndërkombëtare, meqë kjo e fundit, sipas tyre, kishte filluar t’u bashkohej sllovenëve e kroatëve në fushatën kundër popullit serb. Qarqe të ndryshme intelektuale serbe filluan shpërndarjen e teorive konspirative duke përdorur edhe mediat e afërta me qeverinë, se si vendet katolike (Vatikani, Austria e Gjermania), organizatat hebraike (Komiteti Amerikano-Hebraik apo Kongresi Amerikano-Hebraik) dhe bota islame kanë për qëllim “poshtërimin e Serbisë”. Në krye të këtyre përpjekjeve globale qëndronte kush tjetër pos SHBA-së, e cila duke ndjekur qëllimet e saja gjeopolitike në Ballkan të vetmin popull “halë në sy” e ka popullin serb. Pas kryerjes së krimeve kundër serbëve në Slloveni e Kroaci, narracioni viktimizues i mediave dhe shumë intelektualëve serbë ishte përgatitja e opinionit se serbët në Bosnjë-Hercegovinë janë tani e tutje të rrezikuar të shfarosen nga ky komplot ndërkombëtar.
[L]ufta në Bosnjë-Hercegovinë
Kur lufta në Bosnjë filloi duke marrë jetë njerëzish të pafajshëm, autoritetet serbe në Beograd u vunë në aksion për të mos ia lënë rastësisë, por t’i “dokumentojnë” dhe t’i tregojnë botës mbi “krimet kundër serbëve” në Bosnjë. Kur Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KB) më 25 maj 1993 miratoi rezolutën 827, ku autorizoi krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY), u perceptua në Beograd si vazhdim i diskreditimit të popullit serb. ICTY u konceptua si një lloj “procesi i Nürnbergut ose i Tokios” kundër popullit serb. Në po të njëjtin muaj, Parlamenti Federal në Beograd miratoi Ligjin për Mbledhjen dhe Dokumentimin e Informacioneve mbi Krimet kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare dhe bashkë me këtë krijoi edhe “Komitetin për Mbledhjen e të Dhënave për Krimet e Kryera kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare”. Ky komitet i dërgonte pandërprerë KB dhe organeve të saja respektive për të drejtat e njeriut raporte, shkresa, memorandume dhe njoftime të ndryshme me shkrim mbi krimet gjoja të kryera kundër serbëve në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë. Por, asnjë fjalë të vetme mbi krimet kundër etnive të tjera.
Ministria e Punëve të Jashtme e Jugosllavisë ishte e palodhshme në hartimin e notave diplomatike të bashkëngjitura me “fakte” për krimet kundër serbëve. Në qershor 1993 ajo hartoi një “Memorandum mbi krimet e luftës dhe gjenocidin në Bosnjën Lindore” të kryera kundër popullatës serbe. Gjatë vitit 1994 komiteti i sipërpërmendur së bashku me Misionin Permanent të Jugosllavisë në KB dërgonin “fakte të verifikuara” dhe “lista konkrete” të krimeve sistematike kundër serbëve.
Kur më 25 qershor 1995, ICTY publikoi listën e 21 personave që dyshoheshin se kanë kryer krime lufte dhe në këtë listë figuronin vetëm serbë, paraqiste ky akt për Qeverinë Serbe dhe Jugosllave një “liste etnike” vetëm kundër serbëve. Një muaj më pas pasuan aksionet e tmerrshme ushtarake serbe në Bosnjë, ku forcat serbo-boshnjake rrethuan qytetin e Srebrenicës, për t’i “mbrojtur qytetarët nga sulmet myslimane”. Duke përdorur argumentin se si Srebrenica gjatë viteve 1804-1813 ishte bastion i njësive të jeniçerëve osmanë, ky qytet kishte nevojë sipas diskursit serb të çlirohej njëherë e mirë nga levat turke. Andaj, ndodhi ajo që tashmë nga shumëkush ishte paralajmëruar: gjenocid. Afër 8000 boshnjakë u vranë dhe u masakruan në sytë e forcave paqeruajtëse. Bota perëndimore u shokua. Derisa ndërgjegjja ndërkombëtare ishte ngritur në këmbë për krimet çnjerëzore dhe gjenocidit në Srebrenicë e shkaktuar nga serbët, Beogradi u vu prapë në ofensivë. Institucionet shtetërore serbe e jugosllave, bashkë me shumicën e mediave të afërta me qeverinë, intelektualë të shumtë serbë, institucionet fetare dhe akademike, si dhe qarqe tjera nacionaliste i drejtoheshin botës për “krimet dhe gjenocidin etnik kundër serbëve” në Kroaci, duke marrë për bazë fillimin e operacionit “Oluja” në gusht. Por, asnjë fjalë të vetme për gjenocidin në Srebrenicë.
Kur në janar të vitit 1996, Misioni Permanent i Jugosllavisë në New York ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të KB-së raportin e gjashtë mbi krimet e luftës, Beogradi i cilësonte krimet sllovene, kroate dhe boshnjake ndaj serbëve si “gjenocid”, ngaqë autoritetet serbe kishin “identifikuar dhe verifikuar 578 kampe përqendrimi” kundër serbëve, nga të cilat 395 ndodheshin në Bosnjë, 162 në Kroaci dhe 21 në Slloveni. Por, për kampet e sipërpërmendura dinte vetëm Serbia dhe e “vërteta e saj ishte e vërteta reale”, e jo çfarë thoshin hegjemonët ndërkombëtarë. Kështu që, në shtator të 1996, Misioni Permanent i Jugosllavisë në KB prapë ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të kësaj organizate raportin e shtatë mbi krimet e luftës dhe krimet e tjera kundër serbëve, ku kërkonte hetimin konkret të kampeve të përqendrimit kundër serbëve në Ćelebići dhe Krajina. Në mars të 1997, po i njëjti mision u lajmërua nga New Yorku me raportin e radhës, të tetin, mbi “krimet e luftës kundër serbëve”.
Një muaj më vonë, në prill të vitit 1997, filloi ofensiva diplomatike e Kishës Ortodokse Serbe në krye me patriarkun Pavle dhe 60 intelektualë e personalitete publike serbe, në mesin e tyre ishte edhe lideri i opozitës serbe Zoran Gjingjiq. Në deklaratën “Thirrja për ndërgjegjen e gjithë botës” kërkonin që të njihej dhe të dënohej “gjenocidi dhe eksodi i popullit serb gjatë luftërave jugosllave”. E botuar në shtatë gjuhë ndërkombëtare, ajo deklaratë iu dërgua organizatave ndërkombëtare dhe mediave nëpër botë. Aty u shpreh zhgënjimi i thellë mbi padrejtësinë historike dhe për më shumë me fajësimin të vetëm njërës palë. Identifikimi i krimit vetëm me serbët, andaj moralizimi i kundërshtarëve të serbëve nuk duhet dhe nuk guxon të ndodhë sipas Beogradit.
Narracioni serb i viktimizimit vazhdoi tutje: pas luftërave në veriun jugosllav kundër Sllovenisë, Kroacisë e Bosnjës, Serbia kanosej nga lufta e katërt kundër saj në jug, përkatësisht nga shqiptarët e Kosovës
Pasi Bosnja kishte akuzuar Jugosllavinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë (të argumentuara në 302 faqe) se ka kryer gjenocid në Bosnjë, Beogradi i kundërpërgjigjet më 23 korrik 1997 (një dosje prej 1154 faqesh), duke argumentuar se shteti jugosllav dhe organet e tij nuk kanë bërë asnjë krim ndaj boshnjakëve apo kroatëve në Bosnjë, ngaqë organet shtetërore jugosllave nuk kanë dhënë urdhër për diçka të tillë dhe krimet janë realizuar jashtë territorit jugosllav. Por, Bosnja është përgjegjëse për “gjenocidin kundër popullatës serbe” në territorin boshnjak.
Beogradi nuk e ndali luftën juridike dhe diplomatike për të vërtetën serbe. Në prill të 1998 autoritetet serbe dorëzojnë raportin e nëntë në KB për krimet e realizuara kundër serbëve, i cili përmbante disa studime mbi krimet boshnjake kundër serbëve gjatë luftës së Bosnjës. Në dhjetor të të njëjtit vit, Serbia ia dërgon KB raportin e dhjetë mbi krimet e luftës në Bosnjë. Por, me këtë raport Serbia e akuzon drejtpërdrejt Alija Izetbegoviqin si fajtor dhe përgjegjës duke “ofruar dëshmi” për krime lufte në Ćelebići dhe në rajonin Konjić. Pastaj, duke ofruar “fakte mbi gjenocidin serb në kampet e përqendrimit në Split, Kupres, Kozarska Dubica, Dretelj dhe Bihać”. Andaj serbët kërkonin me ngulm që edhe liderët kroatë dhe boshnjakë të ulen në bankën e të akuzuarve e jo vetëm serbët.
[L]ufta e Kosovës

Narracioni serb i viktimizimit vazhdoi tutje: pas luftërave në veriun jugosllav kundër Sllovenisë, Kroacisë e Bosnjës, Serbia kanosej nga lufta e katërt kundër saj në jug, përkatësisht nga shqiptarët e Kosovës. Beogradi nuk harroi të vërë në funksion zanatin e vet propagandues diplomatik duke i alarmuar institucionet ndërkombëtare për rrezikun e sigurisë dhe paqes ndërkombëtare nga “rreziku shqiptar”. Kështu që, Misioni Permanent i Jugosllavisë në KB vetëm gjatë muajve mars-dhjetor 1998 ia dërgoi sekretarit të përgjithshëm dhe presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të KB gjithsej 31 nota verbale duke i informuar për çdo “sulm të ndërmarrë kundër serbëve” dhe njësive policore e ushtarake. Ndërsa gjatë vitit 1999 Beogradi ia dërgoi KB 147 nota verbale. Edhe organizatat e tjera sikurse BE-ja, OSBE-ja, NATO-ja apo Këshilli i Evropës nuk kanë mbetur keq nga notat verbale, raportet, memorandumet, për t’i njoftuar mbi “gjendjen e rëndë” të popullit serb dhe të minoriteve të tjera joshumicë në Kosovë.
Për më tepër, kur në shkurt të 1999 filluan bisedimet e paqes në Rambouillet dhe në Kosovë ushtrohej spastrim etnik nga forcat serbe, po në shkurt të 1999 Serbia i kundërpërgjigjet prapë Bosnjës (në një replikë prej 721 faqesh) në GJND, se eliminimi dhe shfarosja e serbëve si grup etnik është një element i islamizmit radikal, të ushtruar qëllimisht nga boshnjakët në territorin e Bosnjës, andaj Bosnja duhet dënuar për gjenocid, si direkt ashtu edhe indirekt.

Në mars të 1999, bisedimet e Rambouilletit dështuan ngaqë, sipas delegacionit serbo-jugosllav, nuk mund të pranohej një marrëveshje që “poshtëron” shtetin dhe popullin serb, duke lejuar ushtarë të huaj të qarkullojnë në Jugosllavi. Sipas Beogradit, historia kundër serbëve veç po përsëritet, por vetëm [a]gresori po ndryshon, atëherë ishte [A]ustro-Hungaria e tash [A]merika. Pas vrasjes së Franc Ferdinandit dhe gruas së tij më 28 qershor 1914 në Sarajevë, Perandoria Austro-Hungareze ia kishte dërguar një ultimatum Serbisë dhe në mesin e pikave kishte kërkuar lejimin i autoriteteve austro-hungareze për të hetuar [a]tentatin e kryer nga Gavrilo Princip dhe organizatës terroriste “Dora e Zezë”, e cila qëndronte pas tij. Serbia e kishte refuzuar atëbotë ultimatumin e Vjenës dhe më 28 korrik filloi [l]ufta. Për Beogradin, [l]ufta e [a]gresorit të udhëhequr nga SHBA-ja ishte vazhdim i padrejtësive historike kundër popullit serb. Për më tepër, sipas Serbisë, NATO-ja po u del në ndihmë përsëri islamikëve, por tash në Kosovë dhe po e poshtëron popullin serb, i cili në dy luftëra botërore ishte në anën e duhur të historisë. Por, dikush i doli në ndihmë popullit serb. Ai ishte shkrimtari austriak, Peter Handke, i vetmi që në kohën e bombardimeve të NATO-s vizitoi Serbinë dhe i bënte thirrje botës për ndaljen e “krimeve kundër serbëve’. Por, prej Handkes nuk doli asnjë thirrje për krimet e shkaktuara nga serbët.
Për shumëkënd në Beograd “lufta e Kosovës” nuk konsiderohej e humbur, sepse ajo ishte vetëm një betejë
Në maj 1999, ICTY ngrit aktakuzë ndaj Milosheviqit, Milutinoviqit, Sainoviqit, Stojilkoviqit dhe gjeneralit Ojdaniq për krime lufte dhe krime të tjera në Kosovë. Por autoritetet serbe një muaj më herët tashmë kishin dorëzuar padi në Hagë kundër agresorëve, duke përfshirë disa shtete të NATO-s. Sipas diplomacisë serbe, memoria institucionale serbe duhet t’i tregojë botës mbi “krimet e amerikanëve dhe aleatëve” të saj kundër popullit serb. Andaj Ministria e Punëve të Jashtme e Jugosllavisë botoi “[L]ibrin e Bardhë” (“NATO crimes in Yugoslavia: Documentary evidence”) më 1999 në dy vëllime, mbi bombardimet e NATO-s, duke evidentuar një nga një krimet, vrasjet, plagosjet, dëmtimet e shkatërrimet e bëra nga NATO-ja. Me dhjetëra e mijëra ekzemplarë u shpërndanë falas nga Beogradi nëpër botë e në çdo bibliotekë, ku kundërshtarët e intervenimit të NATO-s e përdorin si referencë.
Propaganda e autoriteteve shtetërore serbe dhe jugosllave bënte fushatë të pareshtur duke goditur NATO-n në pikën më të fortë të saj, përkatësisht në “teknologjinë vrastare të NATO-s”, ngaqë NATO-ja me bombat e saja ka shpërndarë gjithandej uranium, i cili në të ardhmen do të paraqesë një problem shëndetësor dhe bota duhet ta dijë këtë.
Për shumëkënd në Beograd “lufta e Kosovës” nuk konsiderohej e humbur, sepse ajo ishte vetëm një betejë. Kur presidenti i atëhershëm jugosllav, Milosheviq, u detyrua të jepte dorëheqjen më 5 tetor 2000, autoritetet serbe filluan fushatën diplomatike duke trumbetuar se me rrëzimin e Milosheviqit dhe dorëzimin e mëvonshëm të tij në Hagë u përmbyll “denacifikimi i Serbisë”. Me vetëm një person?! Zaten, jo pak evropianë u ngazëllyen nga kjo fushatë. Kur demokratët serbë erdhën në pushtet, ata nuk e ndërruan narracionin mbi “krimet kundër serbëve”. Sipas tyre, serbët janë prapë viktima të dhunës së të tjerëve. Beogradi shkruante e alarmonte botën se si kosovarët po bëjnë “spastrim etnik” në Kosovë dhe bota nuk po ndërmerr asgjë për mbrojtjen e tyre.
Për Beogradin, poshtërimi serb nuk kishte të ndalur pas referendumit të suksesshëm të Malit të Zi (2006) dhe më vonë pavarësimit të Kosovës (2008). Për më tepër, sipas linjës zyrtare serbe, popullit serb po i merren dy të drejta historike, ajo strategjike (mungesa e daljes në det) dhe ajo hyjnore (mbetja e kishave serbe në Kosovë). Narracioni propagandues e diplomatik serb ishte i qartë: që nga shpërbërja e Jugosllavisë fituan të gjithë, përpos serbëve.
Pasi që politikanët në Beograd e rikthyen Serbinë në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, ata punuan në fuqizimin e diplomacinë shtetërore serbe dhe çështjen e Milosheviqit e quanin “aksident historik”, i cili tashmë i takonte së kaluarës. Politikanë e diplomatë serbë kërkonin me ngulm e pohonin gjithandej se ICTY po merret vetëm me krimet e serbëve, e ajo duhet të merret edhe me kosovarët, ngaqë krimet e kosovarëve nuk po gjykohen, e edhe kur po gjykohen ata po lirohen. Andaj, autoritetet shtetërore serbe u hodhën në aksion për të “dëshmuar barbarinë e kosovarëve”: trafikimin e organeve njerëzore në Shqipërinë Veriore. Prokuroria serbe i kërkonte Prokurorisë shqiptare që të bëjë hulumtime për rastin e “Shtëpisë së verdhë” në territorin e saj, por, sipas Beogradit, si t’u besohet shqiptarëve të njëanshëm. Autoritetet serbe kërkonin që këtë çështje ta bënte dikush që është neutral dhe lobuan vazhdimisht për këtë. Ama Beogradi insistonte e insistonte duke kërkuar të paktën një gjë: që bota “të paktën” ta hulumtojë këtë rast.
Autori është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Politikë Ndërkombëtare në Vjenë dhe Fellow i Fondacionit Austriak të Planit Marshall në Universitetin Johns Hopkins, në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Washington
Pjesa e dytë e esesë “Mbi mungesën e memories si konstantë historike” vijon prej orës 12:00. Se si u përqafua edhe në Evropë platforma e Beogradit kundër të “vërtetës së njëanshme” kroate, boshnjake dhe kosovare? Se cili është bilanci më i zymtë i mundshëm për një luftë çlirimtare? Çfarë flasin shifrat e të dënuarve serbë e shqiptarë përgjatë dy dekadave? Se si supozimet e Del Pontes për trajtim çnjerëzor dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve u bënë për Beogradin si një “dhuratë nga dora e Zotit”? Se përse antivlera më e madhe qëndron në besimin e verbër të shumëkujt se “ndërkombëtarët i kryejnë punët tona”? Çfarë të përbashkëte kanë COVID-i me memorien institucionale?