Përmendorja e Minatorëve është monumenti më i madh dhe më i dukshëm i vendosur në Kodrën e Minatorëve që ngrihet lart mbi qytetin e Mitrovicës. Madhësia e këtij monumenti nuk është vetëm në spektrin fizik, estetik e simbolik, por edhe në aspektin e kujtesës kolektive të qytetarëve të saj, ngase për pesë dekada të qëndresës së vet, ky lokacion priti qytetarët e saj e u gdhend në vete si një përvojë urbane e një lloji të veçantë.
Në periudhën jugosllave u ndërtuan një mori monumentesh me pamje futuristike, me dedikime të ndryshme për të rënët e Luftës së Dytë Botërore. Siç thekson Arna Maçkiq, është i jashtëzakonshëm fakti se këto monumente në pamje vizuale nuk e reflektuan luftën, por shikonin drejt një të ardhmeje lirie, barazie, pavarësie, në mënyrë që monumenti të tërheqë të gjithë banorët e ndryshëm (pavarësisht kombësisë ose fesë së tyre), duhej të shpikej një formë e re e gjuhës. Këto monumente nuk përmbajnë simbolet e ideologjive, heronjve të luftës ose feve. Përkundrazi, ato janë forma abstrakte që i referohen së ardhmes moderne.
I tillë ishte edhe dizajni i Përmendores së Minatorëve, që u dedikua për qytetin e Mitrovicës.
Sipas Sylejman Muratit, themelues i Muzeut të Qytetit të Mitrovicës, përmendorja është ndërtuar në formën e kovës për transportimin e xehes në teleferikun e “Trepçës”, të vendosur në dy shtylla.
Përmendorja e Minatorëve është një strukturë me madhësi nga 19 metra, e përbërë nga tri elemente, me dy shtylla masive prej betoni me pamje brutale që mbështesin një bllok sipër të betonit të stilizuar me simbolikën e kovës së xeheve. Madhësia e distancës ndërmjet shtyllave është 16 metra dhe lartësia është 18 metra. Struktura e sipërme prej betonit dikur ishte e mbështjellë në pllaka bakri, por ato pllaka ndër vite kanë rënë ose janë vjedhur.
Monumenti ka për bazë dy simbolika: kolonat vertikale janë simbolikë e rënies së shtyllës së teleferikut në fshatin Rahovë të Shalës së Bajgorës, që njihet si sulm i parë ndaj pushtuesve gjermanë nga minatorë të revoltuar në vitin 1941, si dhe në shpjegimin tjetër thuhet se dy kolonat e monumentit simbolizojnë etninë shqiptare dhe serbe. Pjesa e sipërme e monumentit simbolizon kovën me të cilën transportohej xehja nga “Trepça” në Zveçan, përmes teleferikut.