Kulturë

2021-shi i kulturës

Në një bilanc vjetor – sidomos të një viti pandemik – arti e kultura ia kanë dalë që të depërtojnë duke dëshmuar kreativitetin e shtetit më të ri në Evropë. Por siç ka ndodhur rëndom, janë organizatat e pavarura e artistët që individualisht po shënojnë suksese. Institucionet e shtetit, me përjashtime, kanë reprizuar të kaluarën

Në një përmbledhje vjetore të zhvillimeve në art e kulturë për vitin 2021, kinematografia e Kosovës u prin sukseseve. Është një rrëfim i veçantë. I tillë edhe trajtohet në numrin festiv të gazetës: prej tri çmimeve kryesore në “Sundance” – kur “Zgjoit” në shkurt iu dha Çmimi i jurisë, ai për regjinë më të mirë dhe Çmimi i audiencës – e deri në dhjetor me hyrjen në listën e ngushtë për “Oscar”. Por ky film është vetëm një rrëfim suksesi krahas, “Pa vend”, “Vera andrron detin”, “Në kërkim të Venerës” e “Luaneshat e Kodrës”, pa lënë anash as sukseset e projekteve të tjera kinematografike.

Në një bilanc vjetor – sidomos të një viti pandemik – arti e kultura ia kanë dalë që të depërtojnë duke dëshmuar kreativitetin e shtetit më të ri në Evropë. Por, siç ka ndodhur rëndom, janë organizatat e pavarura e artistët që individualisht po shënojnë suksese. Institucionet e shtetit, me përjashtime, kanë reprizuar të kaluarën.

Në mbrojte të së kaluarës

Janari, muaj ku jeta kulturore është më e zbehtë, nxori në pah nismat shtetërore që çalojnë për vite të tëra. Shtëpia e familjes Çerkezi në Gjakovë, ku vizitorët prekin direkt krimet serbe ndaj civilëve, u vërshua nga ujërat e zeza. Nuk mjaftoi vënia e pllakës që e bën atë muze e as iniciativat e tjera më shumë mediale, që shtëpia ku jeton Ferdonie Çerkezi t’i shpëtojë një fatkeqësie që mund të parandalohej. Me iniciativa private nisën të plotësohen disa kërkesa të nënës e bashkëshortes që lufta ia mori pesë anëtarë të familjes. Por shteti ia doli që atë muaj të bartte 125 vepra nga hoteli “Grand” për në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me gjithë pamundësinë që t’u krijonte kushte. Prishtinës iu shtua edhe një shtatore. Ajo e presidentit Ibrahim Rugova në oborrin e katedrales “Nënë Tereza”, pa leje. Reagimi i familjes së Anton Çettës bëri që Ipeshkvia të tërhiqej nga vendosja e shtatores së pajtuesit të gjaqeve e studiuesit të folklorit. Shteti heshti, ashtu sikurse përballë shembjeve në Kalanë e Prizrenit, ku janë investuar mbi 1 milion euro. Zhvendosja e një rezervuari të ujit që shkakton telashe, nuk bëhet shkaku i mosbashkëpunimit institucional. Bashkëpunim nuk kishte as në rastin e ish-Burgut të Gurrakocit në Istog, por peticioni i nisur nga një ish i burgosur kreu punë: u ndalua rrënimi. Zymtësia e ditëve të para të vitit ka nisur ta marrë tatëpjetën sapo kanë filluar ngjarjet, vjen në pah individualieti apo puna grupore e artistëve të pavarur.

Artistët e artë

Dua Lipa triumfoi për albumin më të mirë pop në “Grammy”. Nuk u ndal me kaq. Me emrin e Dua Lipës e me epitetin mbretëreshë për të është përmbyllur edicioni i 41-të i “Brit Awards”. Ka marrë dy trofe, duke u bërë artistja më e shpërblyer në ceremoninë e mbajtur në Londër. U nominua edhe për dy çmime të tjera për ceremoninë që mbahet më 2022. Fjalimi i saj në Këshillin Atlantik është i tipit të një ambasadoreje që mund dhe di t’i tregojë botës për vendin e saj. Muzikantët bënë bujë edhe në të tjera fusha. “Anima Rara” i sopranos Eronela Jaho është konfirmuar si vepër e jashtëzakonshme, triumfoi në kategorinë e muzikës vokale në “International Classical Music Awards”, që konsiderohet “Oscar” në fushën e incizimeve të muzikës klasike. Puna iu vlerësua lart edhe një grupi entuziastësh. Gara më e madhe në botën e muzikës korale ku morën pjesë 308 kore nga e gjithë bota i dha çmim korit “Siparantum” nga Peja. Grupi doli i artë edhe në Kroaci, e vitin e përmbylli në Gjermani. Sa i takon muzikës klasike, sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi ka marrë vëmendjen e revistës amerikane “OperaWire”. Duke e vlerësuar si “yll në ngritje”, artikullin që i është kushtuar asaj revista e ka titulluar: “Artistja e javës: Elbenita Kajtazi”. Ka vazhduar të debutojë në role të ndryshme operistike nëpër Evropë. Ishte pjesë e “BBC Cardiff Singer of the World”. I riu kosovar, Granit Musliu, si tenor u bë pjesë e programit të Operës Shtetërore të Bavarisë.

E tenori Ramë Lahaj pos punës së suksesshme në operë, themeloi festivalin ndërkombëtar të operës “Ramë Lahaj”, duke e bërë Kosovën për herë të parë me një festival të tillë. Për disa ditë Prishtina ishte nikoqire e emrave të dëshmuar të skenës operistike të Evropës.

Festivalet në ritëm

Punën me ritëm të lartë e vazhduan edhe organizatat teatrore në vend. Qendra “Multimedia” u “zhvendos” në New York për prova në “La Mama”. Bashkë konkretizuan “Balkan Bordello”. Premiera u dha në Prishtinë e në SHBA do të jepet në vitin 2022. Festivalet që tashmë janë bërë tradicionale më 2021 çuan kryet sa i përket pandemisë në raport me vitin paraprak.

“DokuFest” u bë 20 vjeç e në edicionin jubilar i dha frymë njëfarë “restarti” me temën “RE:SET RE:MIX RE:ACT”. Edhe më 2021 hyri në atë që është lista e 20 më të mirëve në botë, duke u përshkruar si festival magjik. Me temë bosht “izolimin”, festivali i animacionit “Anibar” e bëri Pejën edhe një herë qytet të filmit të vizatuar. Solli në Kosovë edhe Brooke Keesling, animatorten elitare.

Avazin e traditës e edhe të shijes së hollë e vazhduan edhe festivalet e muzikës klasike si “DAM”, “Chopin Piano Fest” e “ReMusica”. Bile “DAM”, midis të tjerash, i solli Prishtinës edhe lojën e koncertmjeshtrit të Filharmonisë së Vjenës, Fedor Rudin.

Në stacionet botërore të artit...

Një mjeshtër kosovar, jo i muzikës por i artit bashkëkohor, Petrit Halilaj e vazhdoi karrierën duke bërë bujë në disa vende të botës. Gjurmët më të mëdha i la me ekspozitën personale në “Tate të St.Ives” në Britani të Madhe. Dërgoi rrëfime personale të luftës. Mori vëmendje në të katër anët e botës e për të raportuan prej “The Guardian” e deri te “The New York Times”.

Kosova e vazhdoi përfaqësimin në Bienalen e Venecias. Më 2021 në atë që ishte edicion i shtyrë i Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës, shteti u përfaqësua nga me “C0ntainp0rary” të kuruar nga arkitekti Maksut Vezgishi.

E Bienalja e Kosovës, “Autostrada Bienale” mbajti edicionin e tretë prej 1 korrikut deri më 11 shtator në Prishtinë, Prizren e Pejë. Ky organizim i solli Prishtinës, veprat e Agnes Denes, Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbanos. “Lule mos më harro” ishte titulli i ekspozitës që solli në kryeqytet dyshen Halilaj-Urbano e që hapi edicionin e sivjetmë. Në Prizren e Pejë u shtruan shumë pyetje e u trajtuan problemet që i preokupojnë artistët.

Veprat që trajtojnë probleme nga perspektiva letërsisë e gazetarisë u shpërblyen në edicionin e 14-të në ceremoninë e shpërblimeve për gazetari dhe letërsi “Rexhai Surroi”. Në ngjarjen e mbajtur në dhjetor, shpërblimi për gazetari të shkruar “Rexhai Surroi” i është ndarë gazetarit të KOHË-s Besnik Krasniqi për serinë e raportimeve me të cilët u zbulua keqpërdorimi i mbi 800 mijë eurove në emër të pastrimit të Kosovës. E Mark Pashku (Lucgjonaj) qe laureati i shpërblimit për romanin më të mirë për veprën “Humbja” ku trajtohet gjenerata me të shkuar të zymtë e të ardhme të pasigurt.

Institucioni në letër, repriza konkursesh

Në gusht u dha një lajm i madh. Kuvendi themeloi Operën e Kosovës. Më vonë u mbajt edhe ai që u quajt “Koncert inaugurues” i Operës së Kosovës. Realisht nuk u inaugurua asgjë. Opera ka një ushtrues detyre të drejtorit. Me kaq po llogaritet si institucionin. Është përfshirë në buxhetin për vitin 2022 dhe planifikohet të punësohen pesë veta. Për ndonjë lokacion ku do të mund të ndërtohet objekti nuk ka folur kush. E projekti është paralajmëruar për vitin 2022. Ministria e Kulturës ka hequr dorë nga hapësira afër Fakultetit Teknik, ku në dhjetor të vitit 2009 qe vënë guri themeltar dhe u shpenzuan mbi një milion euro. Sivjet shteti zgjodhi një projekt për sallë koncertale. Nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar Komuna e Prishtinës u përcaktua që nëpërmjet projektit të arkitektit japonez Kengo Kuma ta shndërrojë ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në sallë koncertale.

Qeverisja e re e kryeqytetit me kryetar Përparim Ramën ka plane të tjera për sallë koncertale.

Kori i Filharmonisë në “Verën e Ohrit” shpalosi shekujt e muzikës shqipe. Historia e institucioneve qendrore të kulturës sa i përket mungesës së drejtorëve ka vazhduar. Galeria Kombëtare e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës e Teatri Kombëtar i Kosovës vazhdojnë të kërkojnë udhëheqës. Disa konkurse dështuan. Por MKRS-ja vendosi që ta lërë pa drejtor edhe Qendrën Kinematografike të Kosovës. Arben Zharku, në korrik u pezullua nga puna, në shtator u shkarkua, në tetor u kthye, më pas u pezullua e në fund u shkarkua përsëri.

Arkeologjia e pagërmuar, Manastiri në “rrezik”

Ngecjet e përcollën edhe arkeologjinë. Në projektet më të mëdha si ai i “Ulpianës” e Dresnikut nuk u punua. Në të parin bën përjashtim gërmimi njëmujor në bashkëpunim me studiuesit francezë.

Jehonë të madhe bëri përfshirja e Manastirit të Deçanit në Listën e trashëgimisë kulturore në rrezik nga organizata “Europa Nostra”. Hyri në këtë listë nëpërmjet raporteve që institucionet serbe ia përcjellin UNESCO-s. Në këtë rast Serbia i dha zjarr fushatës kundër Kosovës. Institucionet kosovare fillimisht heshtën. Më pas u aktivizuan, por nuk ia dolën të bëjnë gjë. Dy shkresa nëpërmjet të cilave kërkohet kthimi i artefakteve që gjenden në kryeqytetin serb që prej fundit të viteve ’90, janë nisur në adresë të tri institucioneve në Beograd.

Dështim të paktën për këtë vit, mund të llogaritet edhe puna për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës. Qeveria e re vendosi që dy vjet pasi nisi ndërtimi t’i kthehet projektit prej pikës zero. Prej dhjetorit të vitit 2019 aty nuk është punuar.

Në Kalanë e Novobërdës nuk u bë asnjë ditë punë. Kësisoj, janë bërë më shumë se dy vjet prej kur nisi shembja e gurëve të fasadës në këtë monument.

Skandali me Hamamin, bibliotekë për skrap

Me një procedurë të përshpejtuar pas katër vjetësh, Ministria e Kulturës ia doli që ta mbajë në këmbë një prej shtëpive të kompleksit “Eminxhiku” në Prishtinë. Por aty afër u provokua një skandal i madh. Agjencia turke “TIKA” bashkë me Komunën e Prishtinës u bënë bashkë që të investojnë një milion euro në Hamamin e Madh. Projekti e bënte Hamamin e Prishtinës “Fatih Hamami Müzesi”. Projekti u hodh poshtë nga një komision i Ministrisë së Kulturës për gjoja probleme procedurale. Prishtinës nuk i eci mirë as me minibibliotekat. U thyen, u vodhën librat e u vandalizuan në forma të ndryshme. Një prej tyre u vodh për t’u shitur për hekur. Më vjedhje shtetit i doli punë edhe në Kamenicë. Pasi që institucionet nuk e morën për gjashtë muaj pitosin 1700-vjeçar, një shtetas i Kosovës bashkë me një të Serbisë e nxorën nga toka dhe planifikonin ta dërgonin në Serbi.

“Pazari” me vepra, projektet e “ringjalljes”

Iniciativat e shtetit në raport me kulturën e trashëgiminë kulture janë të shumta. Por disa vazhdojnë të ngelin në nivel letrash a muhabetesh, si ajo për teatrin e ri kombëtar. Nga Pakoja për Ringjalle Ekonomike, Ministria e Kulturës mori 5 milionë euro. Prej tyre 2.5 i caktoi për kulturë. Me alamet shifrash financoi projekte individuale e aso të organizatave. Për individë dha deri në 20 mijë euro e për organizata deri në 40 mijë. Me fonde të kësaj pakoje u financuan edhe projekte vjetore të organizatave. Por MKRS-së iu ndal “turri” kur vendosi të blejë vepra të artit. Me 247 mijë euro vendosi të blejë vepra nga 68 artistë. Për një pikturë ishte përcaktuar të paguheshin deri në 7 mijë euro. Aty sillej edhe çmimi për disa fotografi. Reagimet – përfshirë edhe një protestë të rreth 20 vetave – bënë që procesi të anulohet.

Sukseset e dështimet përfshijnë një listë më të gjerë sa i përket vitit 2021, por derivatet e tyre do të shihen edhe në vitin pasues.