Reagime të shumta ka ngjallur ndarja e çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke.
Handke njihej si përkrahës i Sllobodan Millosheviqit dhe si person që haptas kishte mohuar masakrat në Ballkan.
Ish-diplomati dhe profesori universitar, Blerim Reka, përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka quajtur skandaloze këtë vendim.
“Skandaloze! Nobel për letërsi i ndahet Handkes, shkrimtarit që e mbështeti kriminelin e luftës, Millosheviq! Po sikur që paraprakisht po atë çmim ia ndanë Ivo Andriq koautorit të (projektit për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në ish-Jugosllavinë - sqarim ynë) Çubrilloviqit dhe Ambasadorit Mbretëror Jugosllav, ngrehësit të dollisë në përurimin e Adolf Hitlerit si Kancelar. Nuk do të habitesha nëse vitin që vjen Nobelin e fiton shkrimtari i Robert Mugabes!” ka shkruar ai në Facebook.
Ndaj vendimit të Akademisë Suedeze ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku.
“Skandaloze! Komiteti i Nobelit ka vendosur të nderojë Peter Handken – një burrë që e ka lartësuar Millosheviqin, e njohur si ‘Kasapi i Ballkanit’ dhe e ka përkrahur regjimin e tij gjenocidial – me çmimin për Letërsi. Nuk ka asgjë nobel lidhur me këtë. Është vendim i paarsyeshëm e i turpshëm”, ka thënë ajo.
Pa fjalë ka thënë se ka mbetur me këtë vendim, Alexander Ivanko, ish-zëdhënësi i misionit të OKB-së në Bosnje e Kosovë.
“Jam absolutisht pa fjalë! A e ka humbur Akademia Suedeze toruan?! Peter Handke?! Mbrojtësi i Milosheviqit dhe mohues i Srebrenicës?! Si dikush që ka punuar në Sarajevë gjatë luftës, unë siguroj se aty s’ka pasur qytetarë të atij qyteti që kanë mbytur njëri-tjetrin! Forcat serbe kanë gjuajtur, qëruar e vrarë mijëra civilë. Handke nuk ishte aty, por ka mohuar se kjo ka ndodhur. Pa fjalë!” ka shkruar ai në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosja vlerëson se çmimi Nobel për Peter Handken është fyerje për viktimat e shovinizmit serb.
Përmes një reagimi në Facebook, Vetëvendosje thotë se Akademia Suedeze vendosi që për vitin 2019 çmimi Nobel t’i shkojë shkrimtarit austriak Peter Handke.
“Justifikimi i vendimit që ka marrë akademia ka qenë tërësisht letrar, mirëpo letërsia ka një autor, të cilit i jepet çmimi. E ky autor, Peter Handke, ka qenë mbështetësi më i famshëm i spastruesit etnik, Millosheviqit, gjatë kohës kur elitat ndërkombëtare të kulturës, e më pas edhe ato të politikës, u distancuan dhe e dënuan politikën e tij gjenocidale. Ç’prej 1996 Handke u angazhua me publicistikë në mbështetje të veprimeve kriminale të Serbisë në Bosnjë, duke u përpjekur të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, ku humbën jetën mijëra të pafajshëm. E në 1999, kur miliona shqiptarë ishin përzënë nga shtëpitë e tyre dhe nga vendi i tyre, Handke doli në përkrahje të Millosheviqit. Në 2006, kur kryeshovinisti serb vdiq i padënuar kurrë, në burgun e Hagës, shkrimtari austriak mori pjesë në ceremoninë funerale, ku mbajti një fjalim lavdërues për Millosheviqin para dhjetëra mijëra adhuruesve të atij krimineli”, thuhet në reagim.
Për kujtesën e viktimave të dhunës serbe në Kosovë, thuhet në reagimin e VV-së, për mbi 12.000 të vrarët gjatë luftës, për mbi 20.000 gra, burra e fëmijë të dhunuar seksualisht, për njerëzit të cilët vuajtën dhe ende vuajnë traumën e pësuar, për familjarët e mbi 1600 personave ende të pagjetur, ky çmim i dhënë nga Akademia Suedeze për Peter Handken është fyerje e rëndë.
Lidhur me këtë vendim letër drejt Akademisë Suedeze ka shkruar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në këtë letër, ASHAK-u ka kërkuar anulimin e vendimit “si akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike”.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se i vjen të vjellë nga ky vendim. Ai ka thënë se paturpësia po kthehet në diçka normale në botë.
Organizata amerikane “PEN America” ka thënë se është për keqardhje ky vendim.
Ndërkohë është nisur një peticion për revokimin e këtij vendimi.