Kur gjysma e Evropës po rrëzonte sistemet totalitare komuniste, regjimi komunist në Shqipëri ishte i vetmi që po ruante me hekur e zjarr kultin e Stalinit. Nën të po vuante një popull i tërë. Në kohën kur vetëm ndonjë rreze e hollë informacioni arrinte në vend, sidomos nga “Zëri i Amerikës”, disa të rinj shkodranë në fillim të janarit nisën të mërmërisnin kundër diktaturës. Përpjekja për të rrëzuar bustin e Stalinit, në Shkodër, u bë kryengjarja me të cilin zbardhi viti 1990
E gjithë bota e matanshme, tej Perdes së Hekurt, ia kishte kthyer shpinën qysh në vitet ’50 njeriut që ishte vetë epitomi i egërsisë, brutalitetit dhe vdekjeve. Ndryshe nga kjo “atëvrasje”, në një cep të botës komuniste një regjim e kishte kthyer Iosif Vissarionovich Stalinin në kult të gjallë.
Një bust i gjeorgjianit namkeq ishte vendosur edhe në Shkodër si për të vrarë moralisht qytetin që më së shumti u orvat t’i vinte ledh etablimit të komunizmit në Shqipëri.
Siç shkruan Besnik Mustafaj në librin e tij “Midis krimeve dhe mirazheve”, me këto simbolika komunistëve “u donte zemra t’i jepnin publikisht Stalinit edhe një dëshmi të fundit besnikërie, por ishte edhe instinkti i fundit i vetëmbrojtjes që i shtynte të bënin në fshehtësi ndarjen me Vëllain e Madh”.
Por në mbrëmjen e 13 janarit 1990 dikush do të gjente vullnetin për të shembur idhujt e së kaluarës. Nisi me shpërndarje traktesh nga lagjja në lagje të Shkodrës loce. Shkodranët e rinj, Rini Monajka dhe Dedë Kasneci, po mërmërisnin planin për të ftuar popullin për të rrëzuar kryesimbolin ideologjik të regjimit. Mëngjesi i së dielës i 14 janarit do të bëhej dita kur do të “vritej” frika midis Shkodrës. Duke ardhur nga çdo lagje e qytetit, një grumbull prej 3 mijë qytetarësh po avitej për t’ia vënë “litarin” figurës së urryer në bronz.
Atë ditë nuk u bë histori me shembjen e bustit të Stalinit, por me përpjekjen për ta rrëzuar atë. Me gjithë krizën e thellë të regjimit, regjimi e ruante të paprekur armën e vet kryesore, Sigurimin.
Një bust i gjeorgjianit namkeq ishte vendosur edhe në Shkodër si për të vrarë moralisht qytetin që më së shumti u orvat t’i vinte ledh etablimit të komunizmit në Shqipëri
“Sampistët” famëkëqij rrethuan bustin duke e bërë të pamundur që protestuesit t’i qaseshin. Snajperistë ishin vendosur gjithandej me gishtin në këmbëz për të qëlluar sapo të jepej urdhri. Nga Tirana vijonin të vinin përforcime policësh civilë.
Qysh në natën e 13 janarit, Sigurimi kishte vënë në pranga Dedë Kasnecin, Gjergj Livadhin, Flamur Elbasanin, Viktor Martinin e të tjerë, e disa qindra të tjerë do t’i arrestonte të nesërmen. Një pjesë e të arrestuarve u dërguan në burgun “313” në Tiranë për një hetim më special, kurse pjesa tjetër u mbajt në Degën e Brendshme në Shkodër.
“E patëm në shpirt antikomunizmin”
Me rrudhat në fytyrë që ngjajnë sikur vajtojnë një jetë të kaluar mes grilash, vështirësish e vuajtjesh, të rinjtë e asaj kohe tridhjetë e një vjet më vonë rikthehen pas në kohë për të kujtuar atë ditë dimri ku komunizmit iu dha goditja që e shkallmoi për pak muaj.
Të enjten disa prej tyre zgjodhën një adresim për mediat për të evokuar historinë e të parës protestë kundërkomuniste në Shqipëri.
Në mbrëmjen e 13 janarit 1990, dikush do të gjente vullnetin për të shembur idhujt e së kaluarës. Nisi me shpërndarje traktesh nga lagjja në lagje të Shkodrës
Nga mjediset e hotelit “Rozafa”, Nikolin Thana, Viktor Kasneci, Apollon Haxhi, Gjergj Livadhi, Gjovalin Rrolba e Tonin Dema kanë dhënë rrëfimin e vet për ditën e paharrueshme.
Teksa ndonjë nga protagonistët nuk jeton më e të tjerë ka kohë që janë larguar nga vendi, ata nuk fshehën pezmin që në gjykata e në jetën publike në Shqipëri ka plot prej atyre që rrihnin me shkopinj të rinjtë, torturonin dhe shqiptonin dënime të rënda.
“Ne dolëm se e patëm në shpirt antikomunizmin, me e rrëzu diktaturën, por jo për këtë ditë të rrejshme ku njerëzit e Sigurimit punojnë ende si prokurorë e gjyqtarë”, ka thënë Gjovalin Rrolba.
Ndonëse përpjekja për të hequr bustin e Stalinit nuk u realizua, disa muaj më vonë autoritetet lokale të regjimit do ta hiqnin atë me pretekstin e planifikimeve të reja urbane. Tre vjet më vonë, po aty, Shkodra ngriti shtatoren e patriotit dhe veprimtarit, Luigj Gurakuqi. Ndanë tij te lulishtja është edhe “epitafi” që memorializon me pak fjalë rezistencën shkodrane.
“Këtu më 14 janar 1990, shkodranët demonstruan kundër simboleve të regjimit më çnjerëzor komunist në Evropën Lindore”.
Në stepën e Lindjes
Dikur Ernest Gellneri jo pa habi vërente se si anija e komunizmit ishte e vetmja ideologji prej së cilës ikën që të gjithë me shpejtësi siç nuk kishte ndodhur askurrë. As vendi më i izoluar në “stepën” e Lindjes, Shqipëria enveriste, nuk po arrinte më t’i zmbrapste erërat e demokracisë. Shpirti i revoltuar i njerëzve po dilte i fituar përballë nomenklaturave komuniste dhe aparateve represive.
Në të rrëmbyerin vit që pasoi shembjen e Murit të Berlinit, forcat e reja politike ngadhënjyen kudo: në Hungari fitoi “Forumi Demokratik”, në RD të Gjermanisë “Forumi i Ri”, në Çekosllovaki “Forumi Civil”, në Bullgari “Bashkimi i Forcave Demokratike”, ndërsa në Rumani pushtetin e mori “Fronti i Shpëtimit Kombëtar”.
Mëngjesi i së dielës i 14 janarit do të bëhej dita kur do të “vritej” frika midis Shkodrës. Duke ardhur nga çdo lagje e qytetit, një grumbull prej 3 mijë qytetarësh po avitej për t’ia vënë “litarin” figurës së urryer në bronz
Por, udhëheqja e asokohshme e Shqipërisë, PPSh, rropatej të jashtonte çfarëdo ndryshimi të beftë përmes reformave gjysmake, gjithnjë të kontrolluara prej saj. Dara e krizës së pamëshirshme po ngushtohej gjithnjë e më shumë. Ekonomia e centralizuar po jepte grahmat e fundit. Mungesat e rënda të krijuara në prodhimin e naftës dhe kromit, si dy sektorët kryesorë të ekonomisë, përftuan pasoja të rënda. Në treg pati mungesa të tmerrshme të mallrave më të domosdoshme të konsumit të përditshëm.
Dhunë, egërsi e linçim
Memoriali që kujton protestën antikomuniste të 14 janarit të 1990-s në Shkodër
Edhe pasi prapësoi forcërisht protestuesit paqësorë shkodranë, propaganda e shtetit nuk pushonte së foluri për “elementin armik”. Fryma e represionit goditi rëndë disa prej protagonistëve kryesorë që u dënuan në mënyrë të paapelueshme me disa vjet heqje lirie: Aldo Perrizi, Dedë Kasneci, Flamurg Begu, Gjergj Livadhi, Klaudio Daka, Kolec Hublina, Nikolin Margjini, Nikolin Thana, Rin Monajka dhe Tonin Dema.
Në emër të neneve, nenet 55 e 57, e të Kodit Penal të RPSSh-së, Gjykata i akuzoi se kishin krijuar e marrë pjesë në një “organizatë kundërrevolucionare” që, sipas Prokurorisë së asokohshme, kishte kryer krim kundër shtetit me qëllim të dobësimit të pushtetit popullor.
“Sipas planit të organizatës, më datën 14 janar 1990 fillojnë të grumbullohen të pandehurit e tjerë në qendër të qytetit. Aty vijnë edhe persona të tjerë të njoftuar apo të nxitur nga të pandehurit, elementë të dënuar, parazitë të cilët prisnin që të fillonte kjo veprimtari e theksuar armiqësore”, thuhet në tekstin e aktakuzës.
Më së keqi pësoi prej torturave Rini Monajka, të cilit iu shkaktua një frakturë në kafkë, aq sa nuk ishte në gjendje as të mbronte vetveten.
As vendi më i izoluar në “stepën” e Lindjes, Shqipëria enveriste, nuk po arrinte më t’i zmbrapste erërat e demokracisë. Shpirti i revoltuar i njerëzve po dilte i fituar përballë nomenklaturave komuniste dhe aparateve represive
Më 16 janar, kreu i Shqipërisë, Ramiz Alia, iu referua në mënyrë të tërthortë ngjarjeve të Shkodrës. Gjatë një fjalimi që mbajti para punëtorëve të Fabrikës së Automobilave dhe Traktorëve në Tiranë, ai mohoi se vendi po përballej me një gjendje të jashtëzakonshme. Lajmet që veç kishin marrë dhenë nga “Zëri i Amerikës”, RAI, si dhe mediat në rajon, Alia i cilësoi si “fushatë qëllimkeqe” të shtypit dhe stacioneve radiotelevizive të Perëndimit.
Siç kujtonte kohë më vonë shkrimtari e diplomati Teodor Laço, në kryeqytet veç ishin shpërhapur fjalë nga organet se në Shkodër një grup kishte tentuar të hidhte në erë bustin e Stalinit dhe se ishin hedhur trakte të firmosura si “Ana katolike” (Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar: shënime politike e letrare, Botimet Toena, 1998, f. 7).
“Orteku demokratik”
“Arritja më e madhe e protestës së parë ishte zgjimi dhe fillimi i ortekut demokratik”, thotë për KOHËN pensionisti nga Shkodra, Ndoc Shabe.
Në 31-vjetorin e protestës ai ka bindjen se më 14 janar ishte përballja e parë e organizuar në Shqipëri kundër “regjimit totalitar sadist” që ua mori jetën mijëra intelektualëve.
“Kjo revoltë në dukje e vogël i hapi rrugë e i parapriu revoltës masive që do të gjunjëzonte diktaturën komuniste”.
Edhe pasi prapësoi forcërisht protestuesit paqësorë shkodranë, propaganda e shtetit nuk pushonte së foluri për “elementin armik”. Fryma e represionit goditi rëndë disa prej protagonistëve kryesorë që u dënuan në mënyrë të paapelueshme me disa vjet heqje lirie
Por Shabe nuk fsheh as zhgënjimin për mënyrën se si rrodhën ngjarjet ndër vite, meqë, sipas tij, “jo të gjitha idealet tona u arritën”.
“Shteti ynë udhëhiqet nga bijtë e komunistëve dhe të Sigurimit që sot janë zota të ekonomisë shqiptare”, shton ai.
“Liria në shpirtin e brezit të ri, ma e fuqishme se vdekja”
Filip Guaraziu ishte vetëm 46 vjeç kur si qytetar shkodran mori pjesë në protestë. Ai ishte biri i intelektualit, Pjerin Guraziu, i cili ishte pushkatuar si “armik i popullit” me akuzat për, siç u tha asokohe, shpërthimin e dinamitit në oborrin e ish-ndërtesës së Ambasadës sovjetike në Tiranë, më 19 shkurt 1951.
“Këto rrethana më dhanë forcë morale me qenë në shesh, si spektator, por shumë i kujdesshëm karshi spiunëve të Sigurimit”, tregon Guraziu.
Sipas tij, revolta e Shkodrës ishte një “dukuni që dëshmonte se liria në shpirtin e brezit të ri ishte ma e fuqishme se vdekja prej dhunës së diktaturës enveriste” dhe se brezi i ri po aspironte një demokraci perëndimore.
“Kujtesa historike e ngjarjeve të cilat tentuen çrranjosjen e diktaturës komuniste, për mendimin tim, përban moralin pozitiv me të cilin duhet edukue brezi i ri sot”, thotë Guraziu.
Stafa: Aksioni i parë i lëvizjes antistaliniste
Gazetarja dhe studiuesja, Monika Stafa, thotë se Tirana dhe Shkodra në fillim të viteve ’90 kryesonin për ndjesinë e tyre në kërkim të lirisë e erës perëndimore. Në kryeqendrën antikomuniste, siç e ka quajtur ajo qytetin verior, fillimisht ishin shpërndarë mistershëm, jo për herë të parë, ca trakte.
“Nuk kishte urrejtje dhe nuk ishte ajo që eksitonte qytetarët. Ishte dëshira për të ndryshuar gjërat”, thotë Stafa për KOHËN.
Për të, në këto kohë të trazuara jo pak ndikim patën edhe imazhet e ekranit që tregonin pushkatimin e Çausheskos dhe të shoqes së tij.
“Ato erdhën të gjalla në ekranin e vetëm të shqiptarëve dhe Shqipëria u trondit. Nxitën kurajë, por kishte ende frikë”.
Si një nga njohëset më të dalluara të historisë moderne shqiptare, ajo vlerëson se 14 janari i 1990-s ishte aksioni i parë pas shpërndarjes së trakteve antikomuniste në veri.
Gazetarja Monika Stafa beson se ngjarjet e 14 janarit u shërbejnë shqiptarëve për të treguar se edhe ata ishin përfshirë në lëvizjet e reja për ndryshim historik në të cilat u përfshi gjysma e Evropës
“Sigurimi i kishte marrë informatat dhe emrat se kush do të ishte pjesë kështu që të gjithë ata organizatorë u arrestuan dhe përfunduan në biruca. Terrori nuk u shkund nga mendjet e shqiptarëve edhe më vonë”, vlerëson Stafa.
Për të, ngjarjet e Shkodrës nuk përfunduan me kaq, por edhe krijuan një reaksion ndërkombëtar. Gazetarë të huaj e politikanë nga vendet fqinje kërkuan informacione për atë që ngjau.
“Erdhën dhe politikanë perëndimorë për të parë nga afër se çfarë kish ndodhur në Shkodër dhe si po priteshin ndryshimet në Shqipëri”, thotë Stafa, për të shtuar se ata nuk qenë lejuar të takonin qytetarë apo intelektualë.
Ndërsa ndien keqardhje që ende nuk ka ndonjë monografi dhe si ngjarje nuk spikat në tekstet shkollore, Stafa beson se ngjarjet e 14 janarit u shërbejnë shqiptarëve për të treguar se edhe ata ishin përfshirë në lëvizjet e reja për ndryshim historik në të cilat u përfshi gjysma e Evropës.
“Vetë shqiptarët duhet ta kujtojnë atë si aksionin e parë të lëvizjes antistaliniste në vend. Përpjekja për të hequr bustin nisi në Shkodër e kjo meriton të ketë shenjën e vet simbolike në qytetin më antikomunist në Shqipëri”, shton Stafa.
Çokaj: Një “lule bore” kundër ideologjisë dhe diktaturës komuniste
Nga e majta: Tonin Dema, Gjovalin Rrolba, Viktor Kasneci, Gjergj Livadhi, Apollon Haxhi, Nikolin Thana, organizatorë e protagonistë të protestës së 14 janarit të vitit 1990, të enjten në hotelin “Rozafa”, në 31-vjetorin e ngjarjes historike, shpalosën rrëfimet
Edhe gazetari e publicisti, Arben Çokaj, e krediton 14 janarin si protestën e parë antikomuniste në Shqipëri. Ai ka bindjen që popullata shkodrane si gjithë pjesa tjetër e vendit, e pakënaqur me regjimin komunist, reagoi ndaj bustit të Stalinit si shprehje e “pakënaqësisë së akumuluar ndër dekada”.
Ndonëse, sipas tij, vendi ishte i mbyllur në “çmendurinë komuniste”, njerëzit megjithatë arrinin të merrnin informacione nga “Zëri i Amerikës” dhe media të tjera perëndimore.
“Në këtë kontekst njerëz që i ndiqnin zhvillimet në botë gjetën edhe rastin për të reaguar aq sa mundeshin, si fillim ndaj bustit të Stalinit, që as rusët nuk e donin më”, thotë Çokaj.
Duke e vlerësuar në retrospektivë rëndësinë e 14 janarit të para 31 vjetëve, gazetari Arben Çokaj thotë se pas një periudhe 45-vjeçare, nën një regjim të egër, shkodranët ishin të parët që filluan si një “lule bore” të ngriheshin kundër ideologjisë komuniste dhe diktaturës së proletariatit
Por ai nuk përjashton as mundësinë që Sigurimi i Shtetit, me njerëzit që mund të kishte infiltruar në protestë, të testonte popullatën e fjetur shqiptare nëse ishte kundër regjimit.
“Vizioni në këtë rast nuk besoj se ka ekzistuar në një formë të mirëfilltë, ka qenë më tepër reagim si shprehje e një pakënaqësie popullore, por protesta pati ndikim mbi popullin e Shkodrës dhe të Shqipërisë”.
Duke e vlerësuar në retrospektivë rëndësinë e 14 janarit të para 31 vjetëve, Çokaj thotë se pas një periudhe 45-vjeçare, nën një regjim të egër, shkodranët ishin të parët që filluan si një “lule bore” të ngriheshin kundër ideologjisë komuniste dhe diktaturës së proletariatit.
“Nga kjo pikëpamje, kjo protestë ishte me shumë rëndësi. Sepse dha një sinjal që edhe shqiptarët, sado të shtypur e të kequshqyer, vjen një moment dhe ngrihen kundrejt regjimeve diktatoriale e autokratike, dhe sot kjo na shërben si një shembull i qartë, i reagimit popullor ndaj një regjimi, që ta shkatërronte jetën edhe për një fjalë goje”, thotë ai.