Kulturë

Skënderbeu dhe qëndrimi “modus vivendi” i Raguzës

Që nga fillimi i pushtimeve osmane në Ballkan, Raguza shërbente si qendër e informacioneve në Evropën e krishterë lidhur me rrethanat në Arbëri, ku zhvilloheshin luftime kundër pushtuesit osman dhe përmes Raguzës mbanin lidhje me mbretin hungarez Sigismundin, shkruan Gjon Berisha në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore.

Prandaj shumica e dokumenteve raguziane që trajtojnë periudhën pararendëse të Skënderbeut janë lajme që Raguza ia ofronte Sigismundit për gjendjen në Arbëri dhe Bosnjë. Vetë perandori dhe mbreti hungarez do t’u dërgonin zotit Andrea Topia dhe disa udhëheqësve të tjerë arbërorë letra dhe udhëzime, gjithnjë nëpërmjet Raguzës.

Kjo formë e komunikimit përmes Raguzës vërtetohet edhe nga vetë Andrea Topia, i cili i shkruante perandorit se letrat e tij nuk i ka, por i marrin vesh tërthorazi nga Raguza. Prandaj Senati i Raguzës, i cili e njihte sovranitetin e perandorit mbi Raguzën, e informonte sistematikisht për depërtimin e ushtrive turke, luftën çlirimtare të arbërorëve dhe fitoret e tyre.

Edhe pse raguzianët, në maj të vitit 1435, e dërguan në Arbëri të dërguarin e perandorit për t'u informuar mbi rrethanat në Arbëri, interesimi i raguzianëve për Gjergj Kastriotin në periudhën e parë të luftës së tij kundër osmanëve pasqyrohej vetëm si vrojtues të ngjarjeve në këtë vend fqinj. Ajo në këtë kohë nuk ishte e gatshme të vinte kontakte më të afërta me arbrit në luftë kundër osmanëve. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).