Kulturë

1100 fotografi për mbi 100 vjet histori të Ferizajt

“Gjithë ky dokumentacion që është mbledhur, është mbledhur për një të mirë të këtij vendi, në bashkëpunim me njerëzit e qytetit të Ferizajt, të cilët m’i kanë dhuru fotografitë, dëshmitë, dokumentacionin”, ka thënë doktori Agim Bytyçi në hollin e ordinancës së tij mjekësore në rrugën “12 Qershori”. “Këta njerëz kanë pasur një vullnet të mirë, për një të mirë, për një trashëgimi të kësaj komune dhe për gjeneratat e reja që vijnë pas nesh”

Janë rreth një mijë e njëqind fotografi e faksimile që pasqyrojnë vendime, ngjarje e personalitete historike që drejtpërdrejt a tërthorazi ndërlidhen me historinë e Ferizajt. Dhe ky mal materialesh të mbledhura nga mjeku Agim Bytyçi u është dorëzuar institucioneve kulturore dhe arkivore të Ferizajt, i cili sivjet do të shënojë 150-vjetorin e themelimit. Bytyçi ka thënë se nga një CD me rezultatet e punës së tij disavjeçare do t’ua dorëzojë edhe institucioneve qendrore, që janë përgjegjëse për mbledhjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e historike të vendit.

Bashkëpunimi i qytetarëve

“Gjithë ky dokumentacion që është mbledhur, është mbledhur për një të mirë të këtij vendi, në bashkëpunim me njerëzit e qytetit të Ferizajt, të cilët m’i kanë dhuru fotografitë, dëshmitë, dokumentacionin”, ka thënë Bytyçi në hollin e ordinancës së tij mjekësore në rrugën “12 Qershori”. “Këta njerëz kanë pasur një vullnet të mirë, për një të mirë, për një trashëgimi të kësaj komune dhe për gjeneratat e reja që vijnë pas nesh”.

Ende pa nisur konferenca për media, Bytyçi ua ka dorëzuar nga një kompakt disk përgjegjësit të Muzeut të Historisë së Ferizajt, Ilir Bytyçi, përgjegjësit të Arkivit të Ferizajt, Bekim Sallahu, dhe historianit Ramadan Ramadani, me të cilin janë bashkautorë të monografisë voluminoze për historinë e shëndetësisë ferizajase gjatë shekullit XX. Ramadani e ka këshilluar edhe gjatë mbledhjes dhe selektimit të materialeve të reja, ka thënë Bytyçi.

Duke folur për rëndësinë që u kushtohet fotografive dhe dokumenteve historike nëpër muzetë e ndryshme evropiane, sidomos në botën perëndimore, Bytyçi ka thënë se në fokus të punës së tij studimore kanë qenë “individi e personaliteti, njeriu, i cili në shoqëri në kohë të caktuar ka dhënë kontributin e vet në ndërtimin e këtij qyteti”.

Image

“I dyti, ky është dokument, Bashkija e Ferzoviqit, kur ka qenë, viti 1941, një ‘lejekalim’ për një qytetar. Nënkryetari i Bashkësisë, nënkryetar Ibrahim Lamaxhema”, lexon Agim Bytyçi

Apatridë në vendlindje!

Pas konferencës, duke përzgjedhur disa prej fotografive e dokumenteve të përzgjedhura, Bytyçi në kompjuterin e kabinetit mjekësor ka treguar fotografinë e Shasivar Ferizit, i cili, sipas tij, ka qenë kryetar i parë i Ferizajt nga viti 1906 deri më 1912.

“5 gusht ’58, shpërngulja e shqiptarëve për Turqi”, lexon mjeku një faksimile të dokumentit me të cilin shqiptarët do të dëboheshin nga Kosova drejt Turqisë pas marrëveshjes së Jugosllavisë së Titos me autoritetet turke pas Luftës së Dytë Botërore, kur shërbimet sekrete e milicia jugosllave nën komandën e famëkeqit Aleksandar Rankoviq do t’ua kishin lëshuar zullumin shqiptarëve. “Pa shtetësi”, përkthehet nga serbishtja pjesë e dokumentit.

“I dyti, ky është dokument, Bashkija e Ferzoviqit, kur ka qenë viti 1941, një ‘Lejekalim’ për një qytetar. Nënkryetari i Bashkësisë, nënkryetar Ibrahim Lamaxhema”, vazhdon të lexojë Bytyçi. Një tjetër dokument shpalos qendrën e vjetër të Ferizajt, që thotë se është vepër e piktorit dhe këngëtarit Qazim Dushku, i cili kishte jetuar në Ferizaj. “Babanë e tij e kanë pushkatuar në 1944-tën”, thekson ai. “Kjo është edhe në Komunë nëse nuk gaboj”, thotë Sallahu. “Po, po”, ia kthen Bytyçi. Me gishtin tregues të dorës së djathtë, shtyp tastin e shigjetës “djathtas” për të kaluar te fotografia e Kuvendit të Ferizajt më 1908, që do të mbahej në Saraishtë, tani ngjitur me qytetin.

“Ka edhe shumë të tjera”, thotë ai.

Image

Kryengritësit mbajtën të rrethuar Ferizajn nga 6 deri më 10 gusht 1912

“Është bërë punë shumë e madhe”

Ramadani ka thënë se Bytyçi - i cili gëzon respekt të veçantë në mesin e ferizajasve sidomos për punën e tij gjatë viteve nëntëdhjetë në qytetet dhe rrethinë – ka bërë punë të madhe me mbledhjen e materialit arkivor.

“Meqë faktografia është burimi kryesor dhe mbështetja kryesore e historisë si shkencë”, ka thënë Ramadani, të cilin Bytyçi e ka falënderuar për këshilla profesionale gjatë punës së tij për hulumtimet e tij në familjet e Ferizajt, por edhe në arkiva të ndryshme evropiane e turke.

“Po e përmend njërën prej atyre ngjarjeve; është Kuvendi i Ferizajt i vitit 1908, ngjarjet e demonstratave të ’81-shit, ngjarjet e demonstratave të viteve ’88-‘89, helmimi i nxënësve, e duke përfunduar me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Sallahu ka falënderuar Bytyçin për dorëzimin e këtij materiali. “Do të thotë Arkivit Historik po i shtohet edhe një fond voluminoz”, ka thënë ai.

Image

Shasivar Ferizi, i cili, sipas Agim Bytyçit, ishte kryetari i parë i Ferizajt nga viti 1906 deri më 1912

 Dëshmitë nuk kanë ku të ekspozohen

Bytyçi ka thënë se mbi tetëdhjetë për qind e fotografive dhe dokumenteve nuk janë ekspozuar asnjëherë më parë për publikun. “Dokumentacion nga arkivat nga Kosova janë diku mbi katërqind. Do të thotë, krejt kjo trashëgimi e qytetit të Ferizajt dhe qytetarëve të shtetit të Kosovës duhet të përmblidhet dhe duhet të radhitet në një muze të bukur, të mirë sikurse i ka hije”.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve komunale e atyre qendrore që objekti i braktisur i shkollës së parë fillore shqipe në Ferizaj, ”Ismail Qemali”, hapur më 1941 me drejtor Fadil Hoxhën nga Shkodra e nga viti 1946 kthyer në Gjimnazin e Parë të Qytetit deri më 1955, të shfrytëzohet për të vendosur materialin e tij. Objekti, ku edhe vetë Bytyçi ishte nxënës e Ramadanin e kishte profesor historie, është vërshuar nga mbeturinat, me dyshemetë e tavanet e shkatërruara. Muret janë përlyer e shkarravitur. Qosheve gjenden edhe shiringa, duke u kthyer në shqetësim për banorët e ndërtesave përreth, që nuk lodhen ta pastrojnë së paku oborrin që ia përdorin për parkimin e veturave. Objekti tash është nën mbrojtje të përkohshme të institucioneve qendrore të kulturës. Disa vjet më parë rrezikonte të rrafshohej pasi Komuna po shqyrtonte mundësinë që të ndërtoheshin objekte të larta banimi.

“Ky qytet, përkundër gjithë këtyre objekteve që ka ndërtuar dhe po ndërton, ta ketë edhe një objekt që i ka hije për një kulturë të veten, jo të huaj, por të veten”, ka thënë Bytyçi.

Ilir Bytyçi, përgjegjës i Muzeut të Kulturës të Ferizajt, ka thënë se qytetit i duhen së paku dy muze. “Në këtë rast ta kemi një historik. Ta zëmë, është e mirë iniciativa për themelimin e muzeut të UÇK-së, por nuk ka një objekt definitiv. E në kuadrin e tij do të bëhej një muze historik, ku do të përfshihej ndoshta edhe historia 150-vjeçare e Ferizajt dhe ajo e viteve të luftës të fundit në Kosovë”, ka thënë Ilir Bytyçi.

Image

Nga e majta, Ilir Bytyçi, përgjegjës i Muzeut Historik të Ferizajt, historiani Ramadan Ramadani, mjeku Agim Bytyçi, dhe drejtori i Arkivit të Ferizajt, Bekim Sallahu