KTV

ChatGPT, termocentrali Kosova A dhe Kosova B

Video e shkëputur nga emisioni PIKË me Veton Surroin.


Agron Demi: Është një raport i Bankës Botërore menjëherë mbas luftës që thotë nëse targetohen gjithë të varfrit, do të mjaftonin 80 milionë marka të asaj kohe, për t’i nxjerrë krejt njerëzit e Kosovës prej varfërisë.

Me të njëjtën logjikë, duke marrë parasysh të dhënat për varfërinë dhe varfërinë ekstreme, ne në GAP i patëm llogaritur sa i duhen Kosovës për t’i nxjerrë këta 17% që janë në varfëri edhe me këta 700 milionë do të mjaftonte që, nëse targetohen mirë, asnjë i varfër të mos mbetej në Kosovë.

Shpesh jam keqkuptuar; normal që nuk do të duhej dhënë pensione arsimtarëve e viteve të '90-a, ish-të burgosurve politikë, kategorive të dala nga lufta, për shkak se e redukton kontributin e tyre në një rrogë mujore që nuk do të duhej, për shkak se askush nuk do të shkonte në burg për atë rrogë. Por, nëse dikush do të ishte në një gjendje të rëndë sociale, është më mirë me ia dhënë 700-800 euro në muaj, apo ajo ndihmë me qenë domethënëse që mos të mbesin prapë në varfëri, në vend se me qenë e kundërta, që nëse ke qenë në luftë e merr automatikisht.

Këtë reformë nuk po guxon asnjë prej qeverive me e ndërmarrë, për shkak të lobit të fortë të kategorive të dala nga lufta, por kjo do të ishte shumë më profitabile edhe për ata.

E përmenda edhe në diskutimin paraprak sa u përket zhvillimit dhe zhvillimit të pakontrolluar. Një prej arsyeve pse e kemi filluar "Atlas Institute" është njëfarë "disi" që e kemi bërë Ayn Randit, për shkak se e kam lexuar goxha shumë Ayn Rand, "Atlas Shrugged" , apo përkthyer në shqip është "Revolta e Atlasit". Edhe aty e kanë komplet burimin libertarian, mendojnë që nuk duhet aktiviteti ekonomik fare të kontrollohet, për shkak se vetëkontrollohet prej tregut. Kjo logjikë ka sjellë pastaj edhe këto eksternalitete që ne i vuajmë, për shembull, qoftë prodhimi i qymyrit, qoftë veturat që hyjnë këtu, qoftë aktiviteti i gurthyesve dhe industrisë tjetër dhe ideja është që po, zhvillimi ekonomik është shumë i mirë, e natyrisht atë po e synojmë, por duhej t'i kishte parasysh edhe këto eksternalitete që na pengojnë në jetën tonë të përditshme.

Veton Surroi: Tash jemi të lidhur unë dhe ti gati në një rrëfim të njëjtë dhe është një rrëfim të cilin unë e kam punuar si gazetar para dyzet vjetësh. Pra, narracioni në Kosovë nuk po ndryshon. Jemi duke trajtuar të njëjtat probleme. Zhvillimin ekonomik. Çfarë duhet investuar në infrastrukturë?

Problemi sillet të jetë i njëjti: po flasim për Obiliqin, për termocentralet, të cilat janë ndërtuar në kohë të socializmit, një pjesë në “Kosova A”, me teknologji të Gjermanisë Lindore, imagjino; “Kosova B”, me teknologji të përzier, masë të madhe franceze dhe amerikane. Por, kjo ka ndodhur në vitin 1982/83 (Kosova B).

Ndërkohë, krejtësisht, bota ka ndryshuar në formë fundamentale. Një pyetje e cila i bëhet ChatGPT-së: “Kur do të luajë Barcelona sonte? Ku mund ta blej biletën më të lirë për Cyrih?” Ajo pyetje dhe ChatGPT shpenzojnë njëzet minuta të një poçi elektrik. Domethënë, aq energji shpenzon. Në fund të këtij dhjetëvjetëshi inteligjenca artificiale do të shpenzojë diku 8% të energjisë elektrike botërore. E ne jemi ende duke folur për termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Si do ta bëjmë tranzicionin, sepse ky është problemi thelbësor i këtij vendi. Si ta bësh tranzicionin drejt energjisë më produktive, të themi ashtu, dhe duke ruajtur ambientin kur energjia jote varet me të madhe 90% nga prodhimi i qymyrit.

Agron Demi: Vendet e pazhvilluara kanë një avantazh prej shumë disavantazheve, kanë disa avantazhe edhe ndaj vendeve të zhvilluara. Një ndër to është që kur të hyjë teknologjia e re je në pozicion shumë më të mirë për t’i adaptuar prej fillimit, sesa të përdoren të gjitha teknologjitë, të cilat i kanë përdorur vendet e zhvilluara. Një shembull. Kur Estonia ka dalë prej Bashkimit Sovjetik, kanë pasur plane për të vendosur linja telefonike, për shkak se nuk kanë pasur as telefon. Edhe Finlanda në atë kohë ka qenë në proces të ndërrimit prej telefonisë analoge në digjitale dhe i ka thënë Estonisë “që ta fal komplet rrjetin”. Por, Estonia ka thënë se “nëse pas disa vjetëve duhet të dilet prapë në digjitale, pse mos të niset prej fillimit”, dhe pikërisht për shkak se ka qenë e pazhvilluar, Estonia e ka filluar procesin e digjitalizimit mbarë prej fillimit dhe tash është një prej vendeve më të digjitalizuara. Krejt e marrim shembull sa i përket e-qeverisjes dhe shërbimeve të tjera digjitale.

Njëjtë në Afrikë, për shkak se kur s'kanë pasur "landline" apo vija telefonike tradicionale. Në momentin që ka hyrë telefonia mobile, ata kanë kaluar drejt në telefoninë mobile dhe është një prej kontinenteve që është zhvilluar më së shumti. Vendet që nuk kanë pasur sistem tradicional bankar kanë kaluar shumë shpejt, shumë më lehtë e më shpejt në pagesa përmes telefonave mobilë, në krahasim me vendet e tjera. Domethënë edhe ne jemi në atë pozicion.

Emisioni i plotë