Objekti i degës së Gjykatës Themelore të Ferizajt në Kaçanik është përfshirë nga zjarri në orën 03:55 të së mërkurës.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thekuar se nga hetimet e para dyshohet se ka të bëjë me zjarrvënie të qëllimshme nga tre persona të panjohur.
Sipas tij zjarri është lokalizuar dhe si pasojë e tij janë dëmtuar dy zyre të kësaj Gjykate.
“Ju njoftojmë se me datën 13.03.2024 rreth orës 03:55 kemi pranuar një informatë se në Objektin e Gjykatës Themelore- dega në Kaçanik ishte një zjarrvënie. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të Zjarrfikësve të cilët rreth orës 04:40 kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Si pasojë e këtij incidenti nga zjarri janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate”, ka thënë Veseli, për Betimi për drejtësi.
Ai ka thënë se rasti po vazhdon të hetohet.
“Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat e stacionit të Kaçanikut e më pas edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit i kanë nisur hetimet intensive. Nga hetimet e para dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie nga 3 persona të panjohur, e që hetuesit policorë janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejtë të këtij rasti”, ka thënë tutje Veseli.
Nga Gjykata Themelore në Ferizaj kanë thënë se janë duke u zhvilluar hetimet për të parë se çfarë dëme materiale ka pasur nga zjarri.
“Ju informojmë se sot më 13 mars 2024, rreth orës 04:00 të mëngjesit, zjarri ka kapluar një pjesë e dy zyrave të katit të II-të të objektit të Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik. Ekipi i zjarrfikësve dhe policia kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes me çka është lokalizuar zjarri, janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe zjarri është shuar si dhe kanë zhvilluar procedurat dhe marrjen e provave. Si pasojë e zjarrit ka pas dëme materiale por jo pasoja me njerëz. Sipas të dhënave të Organeve kompetente dyshohet për zjarrvënie nga persona të panjohur deri më tani”, thuhet në reagimin e tyre.
Ylber Shehu, nga brigada e zjarrfikësve në Kaçanik ka thënë se nga zjarri janë përfshirë dy zyra të gjyqtarëve.
“Sot pas orës 3 të mëngjesit dy zyra të gjyqtarëve janë përfshirë nga zjarri. Kemi reaguar shpejtë dhe e kemi ndalur zgjerimin e zjarrit në arkivin e gjykatës dhe në zyrat tjera”, ka theksuar Shehu për KOHËN.