Policia e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Vërmicë ka ndalur një 18-vjeçar tek i cili janë gjetur 8 gram substancë narkotike, që dyshohet të jetë kokainë.
I dyshuari ka qenë në veturë me tre persona të tjerë, që të gjithë shtetas të huaj.
“Gjatë operacionit taktik është ndaluar një veturë me targa të huaja e cila pas nënshtrimit të procedurave të parapara në pikë kufitare, është selektuar për kontroll në vijën e dytë të kontrollit, ku gjatë kontrollit të mjetit të lartcekur në një kuti çamçakëzi brenda një çante është gjetur një qese me pluhur të bardhë, substancë e dyshuar e llojit kokainë, në sasi prej rreth 8 (tetë) gramësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.

I dyshuari me iniciale Y.M. thuhet se e ka pranuar se sasia e substancës i përket atij dhe pas intervisitmit është liruar në procedurë të rregullt.
“Lidhur me rastin drejtuesi i mjetit i dyshuari Y. M. (viti i lindjes 2005) dhe pasagjerët me iniciale A. A. (viti i lindjes 2000), N. A. (viti i lindjes 1999) dhe E. O. (viti i lindjes 1999) që të gjithë shtetas të huaj, janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së për intervistim, ku gjatë intervistimit nën prezencë të avokatit sipas detyrës zyrtare, i dyshuari me iniciale Y. M. ka pranuar se sasia e substancës së dyshuar i përket atij dhe se e njëjta është blerë në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Ndaj Y.M. thuhet se është iniciuar rasti “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Thuhet se për procedura të mëtejme hetimore janë sekuestruar pasaporta e personit të dyshuar dhe substanca e dyshuar narkotike janë sekuestruar për procedura të mëtejme hetimore.