Sot pak pas mesnatës, ka ndodhur një vrasje tjetër e një gruaje në Gjakovë.
Siç ka thënë për Koha.net zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjakovë, Kristë Gjokaj, rreth orës 0:30, policia është njoftuar për të shtëna në lagjen “Kolonia”.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se është plagosur një grua 50 vjeçare, e cila më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Gjakovës.
“Dyshimet e para janë se incidenti është shkaktuar nga burri i saj. Deri më tani kemi vetëm dyshime për vrasje aksidentale”, ka thënë Gjoka.
Sipas burimeve të Kallxo.com, çifti nga komuniteti egjiptas ishin duke qëndruar në oborr ku kanë qenë duke e pastruar një revole që e kishin së bashku. Fëmijët e tyre thuhet se kanë dëgjuar vetëm një të shtënë ndërsa kur e kanë dalë e kanë parë të atin duke e ndihmuar nënën e plagosur.
Mësohet se pas kësaj ngjarje, burri është në arrati.
Kjo ngjarje ka ndodhur në rrugën “Ali Ibra” në Gjakovë.
Hetimet po vazhdojnë.