Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vrasjes në tentativë që ka ndodhur në Mitrovicë të Jugut, ku të plagosur kanë mbetur dy persona.
Rasti ka ndodhur të mërkurën pak para mesnatës.
“Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime pasi që dyshohet se dy të dyshuar kosovarë për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës dhe pastaj të dyshuarit me veturë janë larguar në drejtim të panjohur. Lidhur me rastin viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve kompetent gjendja e tij është stabile, ndërsa lëndime të lehta ka pësuar edhe viktima femër të cilës po ashtu i është ofruar tretman mjekësor”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Njësitet policore në vendin e ngjarjes thuhet se kanë sekuestruar veturën e viktimës për ekzaminim, ndërkohë që lidhur me rastin është informuar dhe konsultuar edhe prokurori. Rasti thuhet se është duke u hetuar.