Kronikë

Vrasja e dyfishtë në Gjakovë: Viktima e kishte njoftuar policinë për kërcënimet pak orë para vrasjes

Foto: Koha / ilustrim

Policia e Kosovës ishte e njoftuar për mundësinë që diçka e keqe mund të ndodhte në Brekovc të Gjakovës.

KALLXO.com ka mësuar se pak orë para se dorasi të qëllonte me automatik gruan dhe vajzën e tij, i kishte dërguar një mesazh kërcënues në telefon gruas së tij. Kjo e fundit pak orë para vrasjes ishte ankuar në Polici për kërcënimin.

Detajet për këtë janë konfirmuar nga kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj. “Viktima është ankuar në Polici për kërcënimin. Policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktojë, por ka qenë e pamundur”, ka thënë Selimaj.

Ai ka shtuar se dorasi është person i njohur për Prokurorinë dhe ishte i njohur pasi ndaj tij ka një procedurë penale.

Selimaj ka përgënjeshtruar lajmet se i dyshuari ishte liruar dje nga paraburgimi. Në një bisedë për KALLXO.com, Selimaj ka konfirmuar se i dyshuari ishte në paraburgim nga data 12 maj deri në 6 qershor të këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje e cila është dorëzuar në gjykatë.

Në rrethana ende të pasqaruar, një 40 vjeçare dhe vajza e saj u qëlluan për vdekje mbrëmjen e datës 7 gusht. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i 40 vjeçares. Çifti jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë, dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Viktima, siç mëson KALLXO.com, është me prejardhje nga Tropoja ndërsa jetonte nga paslufta me familjen e saj në Gjakovë.


E plotësuar - Prokuroria Themelore e Gjakovës ka dalë me një deklaratë për rastin duke dhënë disa detaje.

“Prokuroria Themelore e Gjakovës deklaron se më 7 gusht 2018, i dyshuari P.N., 43 vjeçar nga fshati Bitesh i Komunës së Gjakovës, ka shkuar në shtëpinë e familjes së bashkëshortes pas orës 21:00 në lagjen Bretkoc të Gjakovës dhe me armën e tipit kallashnikov ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, V.N., 40 vjeçe dhe vajzën e tij të mitur K.N, 9 vjeçe. I dyshuari është ndaluar me urdhër të Kryeprokurorit Ali Selimaj, i cili së bashku me njësitë e policore rajonale ka dalë në vendin e ngjarjes rreth orës 22:00, me ç’rast është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes. Pas kërkimeve të shumta është gjetur edhe arma, me të cilën dyshohet se i dyshuari ka kryer aktin kriminal. Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave janë marrë nga zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të kryer autopsinë. I pandehuri është në ndalim dhe ndaj tij do të kërkohet të caktohet masa për sigurimin e tij në procedurë. Hetimet në vazhdim do të tregojnë se cili ka qenë motivi i vërtetë i këtij krimi makabër”, thuhet në deklaratën e Themelores në Gjakovë.