Kronikë

Vrasja e 15-vjeçarit në Gramsh, Gjykata lë në burg katër të miturit

Gjykata e Elbasanit ka vendosur të shtunën arrest me burg për katër të miturit, të cilët u përfshin në sherrin që la të vdekur një 15-vjeçar në Gramsh pas një zënke në rrjetin social, TikTok, raporton Topchannel.

Gjashtë adoleshentë janë konfliktuar mes tyre në brendësi të një lagje, pranë shkollës “Asllan Shahini” në Gramsh të martën. Njëri prej tyre i pajisur me thikë dhe dorezë hekuri ka qëlluar për vdekje F.B., 15 vjeç, ndërsa është plagosur kushëriri i tij M.L.

Sipas dëshmive të mëtejshme në vendin e ngjarjes, vetëm dy kushërinjtë ishin nxënës të shkollës “Asllan Shahini”, katër fëmijët e tjerë ishin banues në fshatin Cërrunjë. Pas konflikteve në rrjetet sociale ata kanë udhëtuar drejt Gramshit dhe i kanë pritur dy kushërinjtë derisa kanë mbaruar mësimin, për t’u zënë pritë pak më tutje, në mënyrë që të mos dukeshin nga shkolla.

Dëshmitarët kanë thënë se konflikti ishte mes djemve të Cërrunjës dhe djalit të plagosur, ndërsa 15-vjeçari që gjeti vdekjen ka ndërhyrë të mbrojë kushëririn e tij.