Kronikë

Veprat për të cilat dyshohen tre të arrestuarit në rastin “Bon Vivant”

Gjykata Themelore ka caktuar masën e paraburgimit kundër tre të pandehurve në rastin “Bon Vivant”.

Sipas njoftimit, A.P dyshohet për veprat “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

I pandehuri H.G dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrje në rrahje” dhe “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërkaq i pandehuri G.Z për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”.

Bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.P, H.G dhe G.Z, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje një muaji për secilin.

Nga të shtënat me armë zjarri të premten në lokalin “Bon Vivant” kanë mbetur të plagosur shtatë persona, njëri prej tyre vdiq më vonë në QKUK, ndërsa 13 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga objekte të ndryshme. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.