Berat Nimani, vëllai i boksierit të ndjerë Besar Nimani, është dorëzuar vullnetarisht në polici të premten, pasi policia e kishte shpallur në kërkim nën dyshimin për plagosjen e katër personave të mërkurën para Gjykatës së Qarkut në Bielefeld të Gjermanisë. Sipas mediave gjermane, ai është deklaruar i pafajshëm.
Sulmi me armë u bë pas seancës gjyqësore ku Huseyin Akkurt po gjykohet për vrasjen e Besar Nimanit më 9 mars të vitit të kaluar. Akkurt është një nga dy personat që dyshohen se e vranë Nimanin me 16 plumba në Bielefeld.
Në mesin e katër të plagosurve të mërkurën, ishin edhe babai dhe vëllai i Akkurtit, ndërsa një 23-vjeçar është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dy persona të tjerë të dyshuar për gjuajtje me armë, janë liruar nga policia të mërkurën, pasi është konstatuar që nuk kanë të bëjnë me të shtënat dhe se i përkisnin familjes të Akkurtit.
Dëshmitarët kanë pretenduar se e kanë parë Berat Nimanin dhe motrën e tij në një makinë të zezë që u largua nga vendi i ngjarjes. Pjesëmarrësit në gjyq po ashtu vunë re se të dy u larguan para kohe nga salla e gjyqit.