Ka vdekur në QKUK të hënën një person që kishte marrë lëndime të rënda pasi kishte rënë në një pusetë të hapur në Prishtinë në mbrëmjen e 9 gushtit. 

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se viktima kishte qenë duke u trajtuar në QKUK nga atëherë, por nuk ka mundur t’i mbijetojë lëndimeve. 

“Prishtinë / 09.08.2024 – 21:30. Më 19.08.2024 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar i cili ishte duke u trajtuar në QKUK si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi kishte rënë në një pusetë të hapur më 09.08.2024. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime”, thuhet në raportin e policisë. 

Vdekja e personit që ra në pusetë: Inxhinieri thotë që rruga ku ndodhi është projekt i nivelit qendror

7 muaj më parë / 21 gus 2024 17:32 Nga: Ardit Kika
Pusetat

Foto: Ilustrim

Musli Shala, inxhinier i projektit për ndërtimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë në kuadër të kompanisë punëkryese “PRO&CO Group”, ka thënë se projekti është i nivelit qendror. 

Në një deklaratë për KOHËN, pas vdekjes në QKUK të një personi që kishte marrë lëndime të rënda pasi kishte rënë në një pusetë në këtë magjistrale, ai e ka konfirmuar se për këtë rast është intervistuar nga Policia. Shala ka thënë se është intervistuar vetëm ai.

Ai ka shtuar se në pjesën ku gjendej puseta nuk ka ndriçim.

“Puseta ka qenë e shenjëzuar me kona dhe aksidenti ka ndodhur në orët e vona. Dhe përveç meje askush nuk është marrë në pyetje me sa kam njohuri. Ndriçim nuk ka aty”, ka theksuar ai. 

Vdekja e personit që kishte rënë në pusetën e hapur më 9 gusht, ka përplasur pushtetin dhe opozitën në kryeqytet për përgjegjësinë lidhur me rastin.

Gëzim Sveçla, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi përgjegjësi për rastin duke e akuzuar Komunën e Prishtinës.

E në një përgjigje, Komuna e Prishtinës nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se rasti ka ndodhur në rrugë që janë kompetencë e Qeverisë dhe jo e Komunës. 

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se viktima kishte qenë duke u trajtuar në QKUK nga 9 gushti, por nuk ka mundur t’u mbijetojë lëndimeve. 
 

Vdekja e personit që ra në pusetë përplas pushtetin e opozitën në Prishtinë

7 muaj më parë / 21 gus 2024 15:15
Puseta

Foto ilustrim

Vdekja e një personi që kishte rënë në një pusetë në Prishtinë, ka përplasur pushtetin dhe opozitën në kryeqytet për përgjegjësinë lidhur me rastin.

Të mërkurën, Policia e Kosovës në raportin 24-orësh njoftoi për vdekjen e personit që po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës qëkur pësoi lëndime më 9 gusht. 

“ASGJËSIM, DËMTIM APO HEQJE E PAJISJEVE MBROJTËSE. Prishtinë / 09.08.2024 – 21:30. Më 19.08.2024 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar i cili ishte duke u trajtuar në QKUK si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi kishte rënë në një pusetë të hapur më 09.08.2024. Në konsultim me prokurorin është inicuar rasti dhe mbetet në hetime”, thuhej në raport të Policisë.

Gëzim Sveçla, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi përgjegjësi për rastin duke e akuzuar Komunën e Prishtinës. 

“PRISHTINA E PËRJETIMEVE TË RËNDA. Ndërkohë që promovohen kontrata 18 milionëshe për shesh, 12 milionë për vizatime të arkitektëve, miliona për digjitalizime të parkingjeve, e shumë të tjera - neve na vdesin njerëzit në puseta. Është e tmerrshme me ndodh kjo në vitin 2024 në kryeqytet. Kaq vlenë jeta e njeriut në Prishtinë. Të rrezikuar në çdo hap, në çdo moment, qoftë nga kulmet që fluturojnë, nga lisat që rrëzohen nga era apo nga pusetat e hapura. Ngushëllime familjarëve e hetim dhe përgjegjësi për rastin”, ka shkruar ai në Facebook.

E në një përgjigje, Komuna e Prishtinës nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se rasti ka ndodhur në rrugë që janë kompetencë e Qeverisë dhe jo e Komunës.

“Më datën 09 gusht 2024, një i moshuar ka rënë në një pusetë të hapur përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë - Podujevë. Si pasojë, personi në fjalë ka ndërruar jetë me 19 gusht. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është konstatuar nga ekipet tona dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës, se puseta në të cilën ka rënë i ndjeri është në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë. Kjo rrugë magjistrale nuk është në kompetencë të Kryeqytetit, por në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria”, thuhet në një reagim të komunës. 

Ky institucion i ka cilësuar “për keqardhje deklaratat e pavërteta nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët këtë fatkeqësi të rëndë tentojnë ta politizojnë dhe përmes shpifjeve tentojnë t’ia hedhin fajin organeve të Kryeqytetit”.

Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ky institucion ka iniciuar hetime. Siç ka bërë të ditur ajo, rasti ka ndodhur në Bardhosh të Komunës së Prishtinës. Ajo ka thënë se veprimet po ndërmerren hetimet në bashkëpunim me policinë.

“Ju njoftojmë se ditën kur është raportuar rasti në fjalë, Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas KPRK-së. Meqenëse viktima ka ndërruar jetë në QKUK, Prokuroria ka lëshuar urdhëresë për obduksion, në IML, ndërsa ndaj këtij rasti janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në bashkëpunim me policinë. Rasti ka ndodhur në Bardhosh të Komunës së Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e Ulajt për KOHËN.