Kronikë

Vdes shoferi e shtatë nxënës lëndohen nga aksidenti i minibusit në Vushtrri

Vdes shoferi e lëndohen disa nxënës nga aksidenti i autobusit në Vushtrri

Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se paraditen e së enjtes në një aksident në fshatin Galicë të Vushtrrisë ka vdekur shoferi i minibusit, ndërsa kanë mbetur të lënduar shtatë nxënësit që po i transportonte për në shkollë.

Shoferi i vdekur është me inicialet H.S., 59 vjeç.

“Nga hetimet e para të zhvilluara në vendngjarje, bëhet e ditur se si shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë  pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me  kushtet e rrugës ku për pasojë vetura  përfundon jashtë rruge”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i ka shprehur ngushëllime familjes së shoferit që humbi jetën në aksident. Ndërsa për nxënësit e lënduar ka thënë se po marrin trajtim në Emergjencë.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në komunën tonë gjatë paradites së sotme. Në një aksident që ka ndodhur gjatë transportit të nxënësve nga fshati Duboc, komuna jonë ka humbur një burrë të ndershëm e një qytetar të përgjegjshëm, shoferin e kësaj linje, Hajzer Sadiku, ndërsa janë lënduar edhe disa nxënës, të cilët tashmë janë duke marrë trajtim në Emergjencën e Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri. Në emër të Komunës tonë, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Sadiku, ndërsa nxënësve të lënduar ju uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar ai në Facebook.

Për aksidentin reagoi edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka shkruar se janë pranë familjes së shoferit në këtë momente të vështira, ndërsa nxënësve të lënduar u uroi shërim të shpejtë.

“E prekur thellë nga lajmi tragjik i aksidentit në fshatin Galicë të Vushtrrisë, ku humbi jetën shoferi i minibusit dhe u lënduan disa nxënës që po udhëtonin për në shkollë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Sadiku për humbjen e të dashurit të tyre. Në këto momente të vështira, jemi pranë jush me zemër dhe mendje. Lutem për shërimin e shpejtë të nxënësve të lënduar dhe uroj që të rikuperohen sa më parë e të kthehen shëndoshë e mirë pranë familjeve të tyre. Ngjarje të rënda si kjo, na rikujtojnë për rëndësinë e kujdesit dhe përgjegjësisë në komunikacion”, ka shkruar Nagavci.