Policia e Kosovës ka njoftuar se dyshohet se ka vdekur një person në lagjen Ulpiana të Prishtinës, pasi shtëpia ku qëndronte ishte përfshirë nga zjarri.
Policia i ka thënë KOHËS se rasti ka ndodhur të premten rreth orës 09:00 në rrugën “Musine Kokalari”.
Personi i vdekur thuhet se është shtetas i huaj.
“Bazuar në të dhënat fillestare nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet për një person të vdekur ( shtetas i huaj) në rrethana të dyshimta brenda objektit të përfshirë nga zjarri. Aktualisht policia ka nisur një hetim lidhur me rastin respektivisht për rrethanat e kësaj vdekjeje të dyshimtë si dhe shkaqeve të zjarrit, por edhe ndërlidhjen eventuale mes tyre”, thuhet në njoftimin policor.
Menjëherë njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin.