Musli Shala, inxhinier i projektit për ndërtimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë në kuadër të kompanisë punëkryese “PRO&CO Group”, ka thënë se projekti është i nivelit qendror.
Në një deklaratë për KOHËN, pas vdekjes në QKUK të një personi që kishte marrë lëndime të rënda pasi kishte rënë në një pusetë në këtë magjistrale, ai e ka konfirmuar se për këtë rast është intervistuar nga Policia. Shala ka thënë se është intervistuar vetëm ai.
Ai ka shtuar se në pjesën ku gjendej puseta nuk ka ndriçim.
“Puseta ka qenë e shenjëzuar me kona dhe aksidenti ka ndodhur në orët e vona. Dhe përveç meje askush nuk është marrë në pyetje me sa kam njohuri. Ndriçim nuk ka aty”, ka theksuar ai.
Vdekja e personit që kishte rënë në pusetën e hapur më 9 gusht, ka përplasur pushtetin dhe opozitën në kryeqytet për përgjegjësinë lidhur me rastin.
Gëzim Sveçla, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi përgjegjësi për rastin duke e akuzuar Komunën e Prishtinës.
E në një përgjigje, Komuna e Prishtinës nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se rasti ka ndodhur në rrugë që janë kompetencë e Qeverisë dhe jo e Komunës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se viktima kishte qenë duke u trajtuar në QKUK nga 9 gushti, por nuk ka mundur t’u mbijetojë lëndimeve.
