Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vazhdon rigjykimi i Endrit Nikës, dëshmon mjekja që ia dha ndihmën e parë viktimës argjentinase

Endrit Nika

Foto: KOHA

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon procesi i rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila humbi jetën në gusht të vitit 2023, pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.

Në këtë seancë po dëshmon mjekja Blerina Gashi, e cila punon në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë, dhe e cila ia ka dhënë ndihmën e parë viktimës. 

Avokati i Nikës, Tomë Gashi, e ka pyetur dëshmitaren nëse i kujtohej esenca e deklaratës së dhënë në Polici

Por trupi gjykues nuk e ka lejuar këtë pyetje. 

Gjyqtari Gazment Bahtiri ka thënë se nuk mund t’i referohen kësaj deklarate, për faktin se prokuroria i ka informuar se ka të bëjë me një çështje tjetër.

“Gjykata i referohet vetëm dëshmisë së saj në seancën e kaluar. E përsëris se gjithçka që ka thënë në procesverbalin në polici, ju ndaloj ta parashtroni si pyetje, për shkak se nuk është pjesë e shkresave të lëndës”, ka theksuar Bahtiri. 

Edhe Apeli kthen në rigjykim rastin e argjentinases Kronikë Apeli kthen në rigjykim rastin e argjentinases

Në shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në kryeqytet e dënoi me 18 vjet burgim Endrit Nikën për vrasjen e të dashurës argjentinase në një hotel në Fushë-Kosovë në gusht të 2023-tës. 

Në gusht të këtij viti Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin, duke konstatuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga Gjykata Themelore në Prishtinë. 

Sipas aktakuzës, Nika ushtroi dhunë ndaj viktimës edhe në dhomë, derisa në një moment e hodhi atë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit ku po qëndronin.