Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar një muaj paraburgim F.Sh. i cili u kap me kokainën që kishte për qëllim ta shiste.
Mbi të pandehurin rëndon vepra penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikologe dhe analoge”.
Në komunikatën e gjykatës u dhanë informacione se si kishte ndodhur rasti. Aty thuhet se më 12 shkurt në parkun afër qytetit të Ferizajt, i pandehuri u zu me 19 paketime kokainë që kishte qëllim t’i shiste.
“I pandehuri pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes substancë narkotike të llojit kokainë, në atë mënyrë që derisa ditën kritike zyrtarët policorë civilë ishin duke vëzhguar në park, aty vërejnë të pandehurin i cili fillimisht nuk u bind policisë që të ndalet, mirëpo policia arrijnë të njëjtin që ta ndalojnë dhe pas kontrollit të tij në xhepin e palltos kanë gjetur nëntëmbëdhjetë (19) paketime me substanca të dyshuara narkotik pluhur ngjyrë e bardhë të lloji kokainë të mbështjella në qese të najlonit, me peshë të përgjithshme 9.52 gram”, thuhet në komunikatë.