Kronikë

Turku në Tiranë arrestohet për prostitucion, të përfshira nëntë shtetase të huaja

Policia e Shtetit

Një 37-vjeçar turk me banim në Tiranë ka rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se përmes reklamimit të fotove në faqet online, rekrutonte shtetase të huaja dhe më pas i shfrytëzonte për prostitucion.

Përmes një njoftimi, Policia në Shqipëri ka bërë të ditur se gjatë këtij operacioni policor të koduar “Foreign Escort”, u proceduan penalisht edhe 9 shtetase të huaja për ushtrim prostitucioni.

Shtetaset e huaja rekrutoheshin nga Kina e Kazakistani dhe ushtrimi i prostitucionit kryhej në një ambient me qira të marrë nga shtetasi turk në Tiranë.

Policia sekuestroi një shumë të konsiderueshme parash, të dyshuara që janë përfituar nga ushtrimi i kësaj veprimtarie, tre telefona celularë dhe nëntë karta krediti.

“Rekrutonte shtetase te huaja të cilat më pas i shfrytëzonte për prostitucion, nëpërmjet reklamimit të fotove online, arrestohet një shtetas turk. Procedohen penalisht 9 shtetase për ushtrim prostitucioni. Sekuestrohet një shumë e konsiderueshme parash, të dyshuara të përfituara nga ushtrimi i kësaj veprimtarie, 3 celularë dhe 9 karta krediti. Në kuadër të operacionit ‘Foreign Escort’ u arrestua shtetasi turk  I.Y, 37 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Prostitucion’ dhe ‘Mbajtja e lokaleve për prostitucion’. Si dhe u proceduan në gjendje të lirë 9 shtetase të huaja, për ushtrim prostitucioni”, thuhet në njoftim. 

Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.