Të paktën tre persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në rrugën Gjilan-Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i ka thënë KOHËS se rasti ka ndodhur në orët e vona të së shtunës.
Në këtë aksident trafiku i përfshirë ka qenë një automjet.
“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Gjilan -Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë ajo.
Policia ka nisur hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident.
E ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve për vozitje të kujdesshme.
“Mbrëmë pas mesnatës në një vetaksident gjeten vdekjen tre të rinj, prej të cilëve dy tashmë janë identifikuar. Në vend të ngjarjes menjëherë pas aksidentit ka intervenuar Policia e Kosovës e cila me ndihmën e FSK-së dhe zjarrfikësve ka nxjerrë veturën nga Liqeni i Badocit dhe trupat e të ndjerëve. Aktualisht, ekspertët e fushës janë duke bërë hetime për shkakun e aksidentit. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe në këto momente të rënda për ta jemi në krah të tyre. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve për vozitje të kujdesshme në mënyrë që të shmangim dhe të mos përsëriten aksidente të tilla”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po ashtu ka ngushëlluar familjarët e viktimave.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre të rinjve në aksidentin në Liqenin e Badocit. Këto janë momente të rënda për familjet dhe të afërmit e tyre, dhe në këto çaste dhimbjeje, dua t'u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Lutemi që të gjejnë forcën për të përballuar këtë humbje të madhe. Ne jemi me ju në këtë moment të vështirë”, ka shkruar kryetari i Prishtinë, Përparim Rama në Facebook.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta zbardhë rastin.
“Humbja e jetës së tre qytetarëve në Liqenin e Badocit është një lajm i trishtë. Kërkojmë që Policia të zbardhë rrethanat e këtij rasti. Ndajmë dhembjen me familjet që humbën të dashurit e tyre. Zoti i forcoftë në këto momente shumë të vështira për ta!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se organet shtetërore janë angazhuar maksimalisht për të zbardhur rastit.
Ai iu ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, duke thënë se “shpresoj të gjejnë forcën për të përballur këtë tragjedi”.
Konjufca ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike “që shtojnë rreziqet përgjatë lëvizjes me mjete automobilistike”.
“Me shumë dhimbje mora lajmin se në aksidentin e mbrëmshëm në Liqenin e Badocit kanë ndërruar jetë tre të rinj. U informova se organet përkatëse janë angazhuar maksimalisht me rastin për ta zbardhur atë në plotni. E në të njëjtën kohë, i bashkohem thirrjes për kujdes të shtuar gjatë këtyre kushteve të pafavorshme atmosferike që shtojnë rreziqet përgjatë lëvizjes me mjete automobilistike. Duke bashkëndier me dhimbjen e familjarëve, si dhe miqve të viktimave, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e tyre dhe shpresoj të gjejnë forcën për të përballuar këtë tragjedi tronditëse. U prehshin në paqe”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.
Zjarrfikësit japin detaje për aksidentin me tre të vdekur në Badoc
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka bërë të ditur se dy nga trupat e pajetë të personave të përfshirë në aksidentin e ndodhur të shtunën mbrëma në rrugën Gjilan-Prishtinë, janë nxjerrë nga zhytësit e FSK-së nga uji i Badocit.
Ndërsa, trupi i pajetë i viktimës tjetër, sipas tij, është tërhequr bashkë me veturë me anë të litarit.
Trupat e pajetë e të tre viktimave janë dorëzuar te ekipet mjeko-ligjore.
“Menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Kanë bërë përpjekje për ta nxjerrë veturën, por nuk kanë mundur sepse ishte e gjitha e zhytur në ujë. Ka ardhur ekipi i zhytjes së FSK-së, i kanë nxjerrë dy persona që kishin humbur jetën në ujë, njëri që ka mbetur në veturë e kemi tërhequr me litar, me kamion e kemi nxjerrë veturën me gjithë personin e vdekur, dhe pastaj sigurisht e kemi hequr edhe nga vetura bashkë me FSK-në, dhe e kemi dorëzuar te ekipet mjeko-ligjore”, ka thënë Gashi për KOHËN.