Raportohet për të paktën tre të plagosur jashtë gjykatës në qytetin e Bielefeldit në Gjermani të mërkurën, ku u mbajt seanca gjyqësore për vrasjen e boksierit kosovar Besar Nimani në vitin 2024. 

Huseyin Akkurt po gjykohet për vrasjen e Nimanit. 

Të shtënat nisën rreth orës 13:30 me kohë lokale, pas përfundimit të seancës të së mërkurën. Raportohet se tre plumba u shkrepën  150 metra larg gjykatës. 

Gazeta gjermane “Bild” raporton se të paktën dy pjesëtarë të familjes së të akuzuarit u qëlluan - vëllai dhe babai - njëri prej tyre u plagos në këmbë e tjetri në gjoks dhe është në gjendje të rëndë. Ndërkohë gazeta “Neue Westfalische” raporton për të paktën tre të plagosur.

Raportohet se një nga të dyshuarit për sulmin e të mërkurës është arrestuar, ndërsa një tjetër është barrikaduar.  Për rastin ka informuar edhe "Radio Bielefeld", që ka treguar se disa zona janë rrethuar për kapjen e të dyshuarit të dytë për plagosjen e të mërkurës. 

Seanca e të mërkurës nisi në ora 9:00. Hyseyin Akkurt po akuzohet për vrasjen e Nimanit më 9 mars të vitit të kaluar. 

Ai u arrestua në qershor të vitit të kaluar në Bruksel. Dyshohet se së bashku me Aymand Dawoud Kirit (33), që është në arrati, e vranë Nimanin në Bielefeld. Ata kishin shkrepur 16 plumba në drejtim të boksierit kosovar që vdiq në vendin e ngjarjes. 

Ndërkohë në një faqe në rrjetin social X janë publikuar pamjet ku shihen një veturë e zezë nga e cila është kryer sulmi. 

Nuk ka raportime akoma për arrestimin e të dyshuarve që kanë shtënë ndaj familjarëve të të akuzuarave për vrasjen e boksierit Nimani. 

WDR raporton se njëri prej të plagosurve në Bielefeld ka vdekur

1 muaj më parë / 26 shk 2025 21:49
Plagosja në Bielefeld

Ilustrim

Mediumi gjerman WDR ka raportuar, duke u thirrur në reporterin e tij, se njëri prej të plagosurve në Bielefeld ka vdekur.

“Sipas reporterit të WDR, njëri prej të plagosurve besohet të ketë vdekur, sipas burimeve të afërta me rastin”, shkruan WDR.

Është raportuar për katër persona të plagosur që u shtrinë në spital.

Të shtënat me armë ndodhën afër gjykatës ku po gjykohej i dyshuari për vrasjen e boksierit kosovar, Besar Nimani.

Dy prej të plagosurve ishin familjarë të të dyshuarit për vrasjen e Nimanit. Babai i tij u raportua se ishte i plagosur rëndë.

Flet vëllai i Besar Nimanit

1 muaj më parë / 26 shk 2025 21:06
Vëllai i Besar Nimanit

Berat Nimani

Berat Nimani, vëllai i ish-boksierit të vrarë Besart Nimani, pretendon se nuk kishte asnjë lidhje me sulmin që u krye pasditen e së mërkurës në Bielefeld ndaj të afërmeve të vrasësit të dyshuar të vëllait të tij. 

Këtë ai e ka shpjeguar në një lidhje telefonike, raporton “westfalen-blatt.de”. 

“Berat Nimani: Nuk isha unë!”, shkruan sajti gjerman në titull.

Raportohet për katër të plagosur në Bielefeld

1 muaj më parë / 26 shk 2025 20:04
Arrestim i nje personi per te shtena ne Bielefeld pas fundit te seances per vrasjen e Besar Nimanit

Foto: Neue Westfalische

Policia gjermane ka njoftuar se nga të shtënat me armë në afërsi të gjykatës regjionale në Beieleld janë lënduar katër persona, njofton “tagesschau.de”.

Katër janë të shtrirë në spital, ndërsa prej tyre ka edhe të plagosur rëndë.

Zona ku ndodhi plagosja është rrethuar nga policia, që është forcuar me njësi speciale.

Njëri prej të dyshimtëve është arrestuar kur ndodhi rasti e një tjetër në mbrëmje. Po hetohet edhe për dy të tjerë.

WDR ka njoftuar se i dyshimtë për gjuajtje me armë është vëllai i boksierit të vrarë, Besar Nimani. Të plagusur janë edhe familjarër të personit që po gjykohet për vrasjen e Nimanit, përkatësisht vëllai dhe babai.

BILD: Dy të arrestuar për plagosje, policia në kërkim të vëllait të Nimanit

1 muaj më parë / 26 shk 2025 19:08
Plagosja në Gjermani

Dy persona janë arrestuar si të dyshuar për plagosjen e tre personave nga të shtënat jashtë gjykatës ku po gjykohej vrasësi i boksierit Besar Nimani, raporton “Bild”. 

“Sipas deklaratave të dëshmitarëve, personi tjetër i dyshuar thuhet se është vëllai i Besarit. Aktualisht policia është në kërkim të tij. hetuesit mjeko-ligjorë kanë nisur punën në vendngjarje. Arma me të cilën dyshohet se është përdorur në plagosje është gjetur pranë vendit të ngjarjes”, shkruan “Bild”.

Mediat në Gjermani: E paqartë se sa persona janë përfshirë në plagosje

1 muaj më parë / 26 shk 2025 18:58
Plagosja në Gjermani

Mediat në Gjermani kanë raportuar se është ende e paqartë se sa persona janë përfshirë në plagosjen e tre personave nga të shtënat jashtë gjykatës ku po gjykohet vrasësi i boksierit Besar Nimani. 

Në Gjermani bëhet e ditur se një helikopter është në vëzhgim të qytetit. 

Edhe në orët e hershme të mbrëmjes, forca të shumta policie të armatosura rëndë ishin në vendin ku u krye krimi. 

Disa rrugë anësore dhe rruga me shumë korsi në vendin e krimit janë të mbyllura. 

Sipas gazetarit të agjencisë së lajmeve “DPA”, policia nuk konfirmoi se një tjetër i dyshuar mund të ishte pjesë e plagosjes së tre personave. 

Raportohet se një nga të dyshuarit për sulmin e të mërkurës është arrestuar.