Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në rajonin e Prishtinës nën dyshim për trafik droge në një operacion të koduar “Kolonia”.
Sipas njoftimit të Policisë, pas hetimeve fillimisht rreth orës 17:30 në rrethrrotullimin në Fushë-Kosovë është ndaluar një person me inicialet D.E. me veturë me targa vendore. Pas kësaj, Policia ka shkuar në bastisje në banesën e tij dhe ka gjetur dëshmi apo prova materiale, paketime të marihuanës, kokainës, ekstazisë e peshore digjitale.
Pas kësaj, Policia ka bërë bastisje në banesën e të dyshuarit të dytë me inicialet Sh.O.. Tek ai ka gjetur marihuanë e 200 euro të gatshme.
Operacioni është finalizuar me arrestimin e të dyshuarit të tretë me iniciale B.I. dhe atij i konfiskuar një automjet me targa vendore me të cilën dyshohej se bënte transportimin e substancave narkotike.
Ndaj të treve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Policia ka thënë se është duke zhvilluar hetime të tjera në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në vendin tonë dhe në veçanti masa të ashpra ligjore po aplikohen dhe do të aplikohen ndaj personave të dyshuar të involvuar në abuzimin dhe shitblerjen e substancave të dyshuara narkotike-drogave në përgjithësi. Inkurajojmë të gjithë qytetarët që kanë informata relevante të bashkëpunojnë sa më shumë me Policinë e Kosovës në parandalimin e rasteve të tilla dhe bashkërisht të krijojmë një ambient më të sigurt për të gjithë, në veçanti për rininë tonë”, ka apeluar Policia në komunikatë.