Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak të pandehurve, zyrtarëve policorë Z.J., I.R. dhe B.O., në kohëzgjatje prej një muaji.
“Ditë më parë, disa persona kanë kryer një vjedhje në Qendrën Tregtare ‘Agmia’, në Gjilan, ku me këtë rast zyrtarët policorë në detyrë, nuk kanë përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë që i kanë, duke mos arritur të identifikojnë apo të kapin personat që kanë kryer këtë vjedhje. Me këto veprime, i pandehuri Z.J. dhe I.R. dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘bashkëkryerje keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ndërsa i pandehuri B.O. dyshohet se ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thotë Gjykata Themelore e Gjilanit.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Policët dyshohen se nuk kishin reaguar për parandalimin e plaçkitjes e cila kishte ndodhur në Qendrën Tregtare “Agmia” e cila gjendet afër kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe afër objektit të Gjykatës Themelore të Gjilanit dhe objektit të Prokurorisë, raportonte korrespodenti i Grupit KOHA në Gjilan.
Plaçkitja e armatosur kishte ndodhur javën e kaluar në orët e hershme të mëngjesit ku një grup i personave të maskuar kishin shkatërruar dyert e objektit të Qendrës Tregtare dhe më pas ishin futur brenda duke vjedhur bankomatin i cili i takonte bankës Raiffaisen.
Kurse plaçkitësit ishin larguar pa ndonjë problem nga vendi i ngjarjes me një makinë tjetër e cila ishte parkuar në oborrin e qendrës tregtare.