Kronikë

Tjetër vdekje në vendin e punës, familja në Skenderaj akuzon kompaninë që s’ofroi kushtet e nevojshme

Qamil Brahimi nga fshati Kqiq i Madh i Komunës së Mitrovicës, po punonte si punëtor krahu në fshatin Kopiliq të Skënderajt.

Vendi ku punonte, në mungesë të kushteve të punës, i kushtoi me jetë.

Derisa 57-vjeçari ka qenë duke punuar në hapjen e kanalizimit, në një thellësi mbi 4 metra, nga rrëshqitja e dheut, ka humbur jetën, raporton KTV.

Familjarët e viktimës, ndonëse nuk kanë dashur të flasin para kamerës, kanë treguar se viktima nuk i ka pasur kushtet më të përshtatshme për punë.

Kohavisioni ka provuar të kontaktojë edhe me kompaninë “Bryma”, për të marrë një qëndrim se në çfarë rrethanash, më 10 qershor, ndodhi ky rast, por kontakti me këtë kompani ishte i pamundur.

Të shqetësuar me vdekjen e 57-vjeçarit në vendin e punës, janë shprehur në Sindikatën e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, thotë se rastet e tilla në Kosovë po shpeshtohen, pasi që kompanitë private nuk po ofrojnë kushte të duhura për punë.

Ky është rasti i 11-të që brenda këtij viti punëtorët vdesin në vendin e punës.