Kronikë

Të shtëna armësh në një lokal në “Ulpianë”, sekuestrohet një armë zjarri

Të shtëna armësh janë dëgjuar në një lokal në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës sot rreth orës 20:00.

Lajmin e ka konfirmuar për KOHËN zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti sipas së cilës, Policia ka arritur ta identifikojë personin e dyshuar për shtënie i cili është në kërkim nga Policia.

Ajo ka thënë se nuk ka të lënduar në këtë rast.

“Sot rreth orës 20:00, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën "Mujë Krasniqi", në Prishtinë, saktësisht në një lokal. Bazuar në të dhënat fillestare nuk raportohet për persona të lënduar. Njësitet policore menjëherë kanë ndërmarrë një varg veprimesh operative të cilat kanë rezultuar me identifikimin e personit të dyshuar, i cili është në kërkim nga ana e policisë”, ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, në afërsi të vendit të ngjarjes Policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një armë zjarri që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari.

Zyrtarët kompetent policor janë duke punuar në zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.