Mbrëmë para mesnatës një granatë dore është hedhur në oborrin e Komunës së Zveçanit.
Zëvendrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, ka thënë se nga sulmi nuk ka të lënduar, por se është dëmtuar ndërtesa e komunës dhe katër vetura që kanë qenë të parkuara aty afër.
“Mbrëmë para mesnate ka pas një shpërthim që ne dyshojmë se ka qenë granate dore e llojit M-75. E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e komunës së Zveçanit, e po ashtu edhe në 4 vetura që kanë qenë të parkuara aty afër”, ka theksuar Elshani.
Ai ka thënë se Policia është duke e hetuar rastin.
“Policia mbetet e përkushtuar që të vazhdoj të ofroj shërbimet ndaj qytetarëve të veriut të vendit”, ka deklaruar Elshani.
Në raportin e Policisë rasti është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
“Raportohet se si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur janë dëmtuar disa pjesë të objektit të komunës si dhe xhamat e disa veturave që kanë qenë të parkuara në afërsi. Shpërthimit dyshohet se ka ndodhur nga një mjet shpërthyes (dyshohet granatë dore) që është hedhur nga person/a të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti në hetime”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Ky është sulmi i dytë brenda kësaj jave ndaj insitucioneve të Kosovës në veri. Të martën në mbrëmje janë hedhur dy granate dore në oborrin e stacionit policor në Zveçan.
Dënohet sulmi ndaj Komunës së Zveçanit
Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur “akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë” sulmet ndaj institucioneve në Komunën e Zveçanit. Brenda dy ditësh u hodhën granata dore, fillimisht në drejtim të stacionit policor e pastaj ndaj Komunës.
Ai ka thënë se nuk ka burime të brendshme destabiliteti që institucionet shtetërore nuk i menaxhojnë.
“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë, ose strehohen diku edhe jashtë rajonit tonë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, apo të kërcënimit të sigurisë, të cilët nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta”, ka theksuar Kurti.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se rendi e ligji do të funksionojnë në çdo cep të territorit pavarësisht sulmeve të tilla, e se të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes “frikës e terrorizmit”.
“Sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshprimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi. Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, ka shkruar në Facebook.
Ndërkohë, kanë reaguar edhe nga opozita. Partia Demokratike e Kosovës e ka dënuar aktin dhe ka thënë se është një përpjekje e qartë për të frikësuar kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, dhe ekipin e tij. Ka bërë thirrje për hetim të rasteve dhe që organet e rendit t’i ofrojnë mbrojtje kryetarit të komunës dhe zyrtarëve të tjerë.
“Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë. Ato kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, minojnë proceset demokratike dhe synojnë destabilizimin e institucioneve tona. Kryetari Ilir Peci përfaqëson angazhimin tonë për një Kosovë më të bashkuar dhe më të mirë, ku të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë. Këto përpjekje duhet të mbështeten, e jo të sabotohen”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Sulmi me granatë në ndërtesën e Komunës, Peci: Akt i papranueshëm i dhunës dhe terrorit
Sulmin më granatë dore në ndërtesën e Komunës së Zveçanit, kryetari i Ilir Peci e ka quajtur akt të dhunës dhe të papranueshëm.
“Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:45, disa individë të paidentifikuar kanë kryer një sulm ndaj objektit të Komunës së Zveçanit me granata dore. Ky akt i dhunshëm ka shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar”,
Ai ka thënë se si kryetar e dënon fuqishëm këtë akt.
“Si kryetar i Komunës, unë e dënoj fuqishëm këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit ku para dy dite ka ndodhur i njëjti sulm në stacionin policor të Komunës së Zveçanit”, ka shkruar Peci.
Peci për sulmin është deklaruar edhe për media, ku ka thënë se katër veturat e dëmtuara janë të qytetarëve serbë.
VIDEO: Deklarata e kreut të komunës, Ilir Peci
Ai ka treguar tri nga to kanë pësuar vetëm dëme të vogla, ndërsa njëra ka pësuar dëme më të mëdha.
Pecia ka thënë se aktet e tilla po bëhen me qëllim të frikësimit të qytetarëve dhe të vetë atij e zyrtarëve komunal.
“Ky është një tentim për t’i frikësuar qytetarët apo mua si kryetar i komunës, por unë dhe zyrtarët jemi të vendosur që deri në ditën e fundit të mandatit të vazhdojmë me punë”, është shprehur Peci.
Ai ka theksuar se në Zveçan ndodhen të gjitha grupet kriminale serbe të cilat menaxhohen drejtpërdrejtë nga Serbia.
Për këtë sipas tij në Zveçan ka më shumë incidente.





Postimi i Pecit pas sulmit: